Home KRYESORE 12 vjeçarja që hakmerret ndaj abuzimit, duke shkuar me 83 burra

12 vjeçarja që hakmerret ndaj abuzimit, duke shkuar me 83 burra

Nga Jetona Kocibelli

Ne kemi lindur për t’u plakur. Megjithatë, jo për të mbetur peng i së shkuarës. Është pak a shumë mesazhi i një prej veprave më prekëse “Zogu i Zi’, nga David Harrower.

Historia është e thjeshtë. Një 40 vjeçar bën seks me një të mitur, me një 12-vjeçare.

Historia e një pedofili, por që kjo është një peshë që do t’i kushtonte vazhdimësinë e jetës.

Më keq akoma asaj fëmije. Rritet me hijen e së shkuarës. Dashuron dhe urren njëkohësisht njeriun që i ndryshoi jetën. I ndryshoi, sepse që prej asaj dite ajo do të ndryshonte çdo koncept për botën.

Nata e fundit e të dyve ishte në bregdet. Ishin përgatitur të iknin së bashku. Ajo të linte atë qytet të trishtë provincial, dhe ai të mos mbante në ndërgjegje karshillëkun e të tjerëve.

Por diçka ndodhi. Ai u largua për cigare, pastaj ndeshi dikë, piu një gotë, u frikësua, reflektoi dhe aksidentet e momentit e çuan përtej detit.

Ajo e priste në dhomë, për një kohë të gjatë, aq sa e ndjeu që kishte ftohtë e uri. Doli në rrugë të pyeste për të, por nuk i ndjeu gjurmët. Makina e tij nuk ndodhej më jashtë. Kërkoi dikë në afrësi të portit. Dikë që ju ofrua për ndihmë. I tha se kishte humbur babain. E besoi. Më pas erdhën prindërit e vërtetë të vajzës. E ndjenë shpërfytyrimin dhe dramën e saj. Më pas Policia, punonjësit socialë.

“Të rriturit duan të marrin gjëra prej nesh, pastaj gënjejnë.” E mësuan të mendonte 12 vjeçaren. Por ajo nuk do të vazhdonte jetën e saj njëlloj.

Që prej asaj dite ajo nuk u largua nga ai qytet. Shtyu ditët mes shenjëstrimit të të tjerëve. Mes fjalëve. Etiketimeve. Mbajti emrin e saj të vërtetë. Dhe zgjodhi të mos kishte përzgjedhje ndër burrat që hyjnë në jetën e saj. Plot 83.

Në ndryshim nga ai që iku larg, ndryshoi emrin, u martua, nuk bëri fëmijë, por ruajti në kujtesë atë që i kishte bërë një fëmije.

Pas 20 vitesh, të dy janë më të plakur. Të dy janë me jetë të ndryshuara. Të dy kujtojnë të shkuarën, por me një ndryshim të madh. Ajo do të kthehet, ai do të vazhdojë.

Pas bisedash virtuale, vendosin për një takim. Aty fatet ndryshojnë, sepse ai kërkon vazhdimësinë, duke lënë pas të shkuarën.

Një vepër bashkëkohore, ku në skenë aktorët (Eglantina Cenomeri dhe Pjerin Vlashi) nuk e shohin njëri-tjetrin. Ata thjesht e dëgjojnë, sepse komunikimi duhet të jetë virtual.

Më shumë se një orë ata zhvillojnë monologun e tyre vetëm para një kamere. Kjo kërkon mjeshtëri të lartë në profesion për të përcjellë emocionin. Këtu hyn në rol multimedia, e cila zbërthen vizualisht këtë copëzim historie, si dhe heq distancën midis subjekteve, të cilët janë të ndarë nga njëri-tjetri fizikisht duke përdorur teleprezencën dhe internetin.

Është një tentativë për të lidhur personazhet, imazhin dhe internetin brenda një hapësire siç është ekrani i projeksionit, në marrëdhënie me hapësirën teatrale.

Sepse më shumë se çdo gjë kjo vepër ka emocion, ka psikanalizë, ka pendesë, ciznizëm, dashuri dhe urrejtje të përziera.

Frika e vetme është lineariteti. Mbi të gjithë ky interpretim kërkon kurbë emocionale. Mjeshtëri artistike dhe ndjeshmëri.

Zogu i Zi është një vepër që vihet sot në sallën “Liria” në Tiranë. Është një vepër që ka në qendër historinë e një pedofili. Një mesazh i rëndësishëm social. Një teatër bashkëkohor. Së shpejti kjo shfaqe do të prezantohet edhe në Prishtinë e në Shkup.
Por mesazhi më i rëndësishëm, është pesha e së shkuarës. Ka ngjarje që na shënojnë jetën, dhe një e tillë nuk është pak. Megjithatë të fortë janë ata njerëz që kthejnë faqe. Që vazhdojnë jetën para, pa mbetur peng i së shkuarës. Në ndryshim nga dy personazhet e “Zogu i Zi”.

Kjo është ajo që unë doja të merrja nga kjo vepër. Jeta është shumë e shkurtër ndonjëherë për të ngelur peng, e nesërmja dhe vazhdimësia janë kryefjala e saj.

Share: