Home KRYESORE Flutura Acka: Kufiri Shqiptar nga Hollanda duket Han pa porta..

Flutura Acka: Kufiri Shqiptar nga Hollanda duket Han pa porta..

Nga Flutura Acka

Javët e fundit, Shqipëria ka qenë më e shpeshtë në kronikat e televizioneve holandeze, pasi, për habi të holandezëve, numrin më të lartë të azilkërkuesve, e mbajnë shqiptarët, edhe para sirianëve tani. 250 shqiptarë kërkojnë azil çdo muaj. Kur në Holandë, që njihet për politikat e saj të ngurta, mendo ç’bëhet në vende të tjera.

Por një nga kronikat e fundit, ishte një rrëfim drejtpërdrejtë nga kufiri shqiptar, pranë Konicës nga gazetari Lex Runderkamp. Sirianë dhe magrebianë që nuk po e shtyjnë më dot qëndrimin në Konicë, po ikin, ose po mendojnë të ikin përmes Shqiperisë, pasi nga Maqedoinia as që bëhet më fjalë. Muhameti, njëri prej tyre tregon se ka hyrë ne bisedime me ca shqiptarë, të cilët do t’i paguajë për të kaluar tutje.

Nuk është se ka shumë besim tek ata, por do të përpiqet t’ia dalë. George Papas, një banor i fshatit, i tregon gazetarit shtegun nga shkohet lehtë për në Shqipëri, përroi i vogël, kodra aty turje dhe shpejt je atje. Madje Maria, një vullnetare, mesuese në profesion, i ndihmon ta bëjnë këtë sa më shpejt. Do çliruar fshati! I çon vetë deri te piramida, por mbase pa i treguar se në anën tjetër jetojnë njerëz aq të varfer, sa nuk kanë as për vete.

“Çfarëdo rreziku të ketë rruga,” thotë një sirian në kufi, “është më mirë se këtu”. Po, do të ishte më mirë, nëse takon shqiptarë bujarë e me besë, por nëse nuk takon të tillë, por nga ata xhambazë që na turpërojnë shpesh faqe botës, një Zot e di se ç’do të ndodhë? Pastaj gazetari merr shtegun vetë dhe e kapërcen kufirin: “Jam në Shqipëri, në 100 km këtu nuk ka asnjë polic!”
Ecni sirianë në këtë kufirin tonë… si han. Po ku janë policët në këtë vend? Duhet të ketë një përgjigje për gazetarin holandez, Lex-in.

Policët shqiptarë, plot 1200 prej tyre, janë duke ruajtur një kantier “privat” ndërtimi te Parku í Liqenit, ndaj ca “vandalëve” të bezdisur e që “kacavirren televizioneve”, që tani me urdhër nga lart i kanë braktisur fare, a thua se nuk janë dhe ata shqiptarë, a thua se nuk do të jetojnë në këtë gjelbërim që po vdes shpejt, ata, fëmijët e tyre dhe nipërit e tyre.

Sikur të mbroheshin të gjithë privatët kështu. Ishte bërë Shqipëria me kohë. Një privat mbrohet vetë, nëse e dëmtojnë vandale që kanë (në këtë rast) emra e mbiemra, shkon në gjykatë dhe merr dëmshpërblimin. Sigurisht, nëse ajo që po ndërton ti, është brenda ligjeve dhe tërësisht ligjore. Nëse jo, nuk mbrohesh dot, veç në të mbron shpteti, për arsye që vetëm pushteti i shpjegon.

Të gjitha këto janë thagma shqiptare, nga të cilat duket s’do të shpëtojmë kurrë, sa kohë Shqipërinë e konsiderojmë han… aq më keq pronë të babait.

Share: