Home KRYESORE Ja pse edhe Kongresin e PS e shkarraviti Edi Rama.

Ja pse edhe Kongresin e PS e shkarraviti Edi Rama.

Nga Armir SHKURTI

Me të njejtin stil që shkarravit mbi shkresa edhe këtë fundjavë kryetari i rilindjes shkarraviti më të lartin institucion të partisë që ka marrë. I pari kongres që mbyllet me vendimin: Të pyesim a duhet votuar! Dhe për pyetjen “a duhet votuar?” kongresi…votoi!

Nuk është lojë fjalësh por lojë surreale politike. Ashtu si shumicën e shtetit që ka dekompozuar dhe degraduar, kryetari i rilindjes provoi se të njejtën taktikë , me të njejtin sekt, po zbaton fuqishëm edhe brenda partisë. Të njejtët njerëz u shfaqën si bashkëautorët e përdhosjes edhe të Kongresit.

Në çdo gjuhë të botës “delegat” do të thotë “përfaqësues”, “i dërguar”, “i mandatuar”. Pra ç’ishin në atë sallë të shtunën përfaqësonin grupin e socialistëve të zonës që i kish nisur për të folur e votuar në emër të tyre. Më e rëndësishmja: PËR TË VOTUAR NË EMËR TË TYRE. Por kryetari – për të cilin Ben Blushi dhe disa nga delegatët që diskutuan në Kongresin e PS thonë se është pakicë – ua hoqi mundësinë e kësaj vote, duke i shtënë të votojnë për të pyetur anëtarësinë në duhet votuar …për Edi Ramën.

Ky njeriu që ca kohë më parë na shprehej në ekran i merakosur se si mund të lodhej partia në vitin zgjedhor me një votim për kryetar, e fut vet partinë në një votim, nga i cili mund të dalë edhe një tjetër votim. Dhe e gjitha kjo, duke shkelur statutin e sapomiratuar të Partisë!

A është kjo prepotencë, megallomani, meraku mos kalon miu nën mustaqe dhe e bën udhë apo pasiguri, vetëdije se Blushi ka të drejtë që Rama është minorancë brenda PS, që ka humbur besimin dhe mbështetjen brenda partisë?

Stili i lacit i ka funksionuar çuditërisht këtij drejtuesi. Me fjalor rruge, me sjellje harbute e antisociale ia ka dalë diku të fitojë adhurimin e atyre që me atë gjuhë janë mësuar, diku të atyre që qenë lodhur nga gjuha e mykur dhe e lodhshme e politikës, të tjerët që janë nënshtruar se ua do trupi t’i shash e fyesh , ose siç thotë vet populli “ky milet me dajak e do”… Që në nisje të rrugës politike Edi Rama i ka shprehur këto prirje për të rënë në sy, për të hyrë në histori si AI, si EDI I MADH, si “i çmenduri”, por në kuptimin e mirë të fjalës, të një vizionari që pikërisht për këtë arsye “mizat” e kohës së tij nuk e kuptonin, ndaj , si një udhëheqës i madh ai bëri gjëra të mëdha por që bashkëkohësit mendjevegjël s’e kuptonin. Me goxha dashamirësi dhe me të dy sytë e mbyllur edhe mund ta pranonim kështu, sikur bashkëkohësve të mos u shtohej mundimi përditë, ndërsa atij personalisht të mos i rritej progresivisht pushteti në duar dhe arbitrariteti me të cilin e ushtron. Kjo logjikë të çon se mbase më e vërtetë është hipoteza e dytë:

Mos vallë ka humbur mbështetjen brenda partisë dhe ka rënë besimi ndaj tij? Sondazhet e fundit thonë PO! Besimi ndaj PS ka rënë dukshëm në popull dhe është rritur po aq ai ndaj LSI. Ndoshta duke njohur mirë gjendjen, Rama me sektin e tij kanë preferuar më mirë përçudnimin e kongresit dhe gjithë institucioneve të partisë sesa një votim të lirë në kongres që, edhe nëse Blushin nuk do ta nxirrte fitues, do të tregonte se një pjesë e konsiderueshme e delegatëve, për rrjedhim edhe e anëtarësisë që i ka mandatuar, nuk kanë më besim tek ai.

Duke njohur stilin e Ramës, përdhosja e kongresit, e statutit, vendimi prej monarku që “hajt ta kalojmë në referendum” etj nuk janë gabim por stratagjemë. Anëtarësia e mori mesazhin që ligjin e bën Edi. Ai e mbledh kongresin kur do e nuk e mbledh fare se nuk do, ai s’përfill delegatët por thërret kongresin, ai bën statutin e në fund ai bën edhe referendumin…

Ç’i mbetet në këtë referendum socialistit të thjeshtë? Të votojë për unitetin, aq të shenjtë në atë forcë sa e shkëmbejnë edhe me bukën, ujin e dritat. Të dëshmojnë me votë plebishitare, mundësisht 99.9% se nuk duan që të votohet për kryetar, pra që udhëheqësi i madh të vazhdojë të sundojë, të rrojë sa malet , bashkë me unitetin në PS.

Por në thelb unë besoj se ky do të mbahet mend si Kongresi i Ben Blushit. Ai dhe Lëvizja për Demokraci në Partinë Socialiste u bënë bërthama e diskutimeve, vendimeve dhe veprimeve të forumit më të lartë të Partisë. Prej tyre u mblodh në fakt, dhe rreth tyre, tezave dhe akuzave të tyre u vërtit gjithçka. Personalisht, e kam thënë se prisja më shumë, të paktën prej Blushit. Por edhe kaq, ai dhe kjo lëvizje janë të fituarat e këtij kongresi sepse:

ATA U TREGUAN SOCIALISTËVE DHE SHQIPTARËVE SE PËRFUNDIMSHT EDI RAMA NUK ËSHTË I AFTË TË DREJTOJË ME LIGJE E RREGULLA. NUK KA AS FORMIM, AS DIJE DHE AS EDUKATË SHTETARI PËR TË ECUR NË SHINAT E LIGJEVE E RREGULLAVE, PALE TË HARTOJË DHE NDËRTOJË MË TË MIRA SE ATO QË JANË. SHKELJA DHE INJORIMI I TYRE JANË MJETI. SIÇ E NISI QEVERISJEN DUKE SHKELMUAR NJË INSTITUCION KUSHTETUES SI AI I PRESIDENTIT E MË PAS DËSHMOI SE NUK E QEVERIS DOT VENDIN ME KUSHTETUTËN DHE LIGJET PËRKATËSE ASHTU PO DREJTON PS DUKE SHKELMUAR INSTITUCIONIN E LARTË TË KONGRESIT, STATUTIN E Ç’VJEN ME RRADHË PAS TYRE.

Këtë kongresi dhe Lëvizja për Demokraci në Partinë Socialiste e arritën. Tashmë, ai që është në qeveri, i paaftë si shtetar, doli lakuriq edhe si udhëheqës luajal partie që më shqip e më thatë do të thotë; individ që nuk ka asnjë pikë takimi me demokracinë. Edhe në partinë e tij , si në qeverisjen e vendit, Edi Rama e tregoi me vepra se ka fobi nga demokracia e nuk ka asnjë pikë takimi me të.

Share: