Home KRYESORE Kumti aktual i Besëlidhjes së Lezhës

Kumti aktual i Besëlidhjes së Lezhës

Nga Suzana Tahiri

Megjithëse kanë kaluar 572 vjet nga Besëlidhja e Lezhës, mesazhet e asaj ngjarjeje historike të 2 marsit të vitit 1444, janë më aktuale se kurrë, kryesisht në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në Maqedoni, Preshevë dhe në Mal të Zi që ka popullsi etnike shqiptare.

Besëlidhja e formuar nga kryetrimi shqiptar Skënderbeu qindra vjet më parë synonte të bashkonte të gjitha viset shqiptare për të përballuar hordhitë turke, çka mundi ta realizonte për 25 vjet.

Por mbrojtja e Shqipërisë së asokohshme ishte njëherësh edhe barrierë e pakapërcyeshme në mbrojtje të civilizimit europian, duke e përvijuar heroin tonë kombëtar edhe si një simbol të kontinentit të vjetër.

Shqiptarët e sotëm në viset e tyre autoktone janë në kushte të tjera, por kumti i bashkimit është gjithnjë e më aktual. Kuptohet jo ai bashkim që kërkojnë matrapazët nacionalistë, por që të gjitha pjesët e territorit me shqiptarë të jenë anëtarë të familjes europiane, anëtarë të NATO-s, që kanë një kryealeat të përjetshëm dhe të patjetërsueshëm si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikërisht nga Beslidhja e Lezhës vjen kryemesazhi që shqiptarët janë europianë, që politikanët tanë duhen të sillen si të tillë dhe që të punojnë së bashku për begatimin e popullit të tyre.

Sfidat nuk janë asnjëherë të njëjta për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, megjithatë Kuvendi i Lezhës apelon për të qenë gjithnjë të bashkuar në vlerat euro-atlantike.

Share: