Home I pakategorizuar NË FARSËN ZGJEDHORE TË PARAZGJIDHUR…

NË FARSËN ZGJEDHORE TË PARAZGJIDHUR…

Nga Ardi Omeri

(Kongresi i Edit me shokë)

Ndryshimi tek vetja dhe për hir të atyre që besojnë tek ne!

Kështu foli Edi Rama, por…

Kongresi filloi me përshëndetje të partnerëve socialiste europianë që pas dy rreshtave e mos më pak, përshëndetjeje për socialistët shqiptarë çdo tjetër përshëndetje dhe përkushtim e kishin për dhe në mbështetje të Edi Ramës

Që nga moderatori ish pionier e deri tek të ftuarit, asgjë nuk kish ndryshuar. Mu duk një rikthim në të kaluarën. Aq sa dukej sikur asistonim në Kongreset e Partisë së Punës me të ftuarit e nderit, delegatët e partive simotra komuniste nga mbarë bota!

Në fakt edhe vetë Kryetari i disa socialistëve kish mbetur me të kaluarën. Fjalimi i tij ishte kryekëput i mbetur në fushatën e 2013-tës.

Drejtimi i gishtit kundër akuzës prodhon politikën e baltës,- Edi Rama

Po ai vetë çfarë bëri, çfarë vazhdon të bëjë?

Ai ka marrë një mandat si kryeministër ndërkohë që nuk ka atë të kryetarit të socialistëve dhe humb kohë me të kaluarën ndërkohë që propagandon se s’duhet humbur kohë.

Ai vazhdon dhe humb kohë…

Pasi ri denoncon kundërshtarët e tij, të socialistëve, se kanë bërë këtë apo atë krim ekonomik, politik, etj etj, ka mbi dy vjet e gjysëm që vazhdon slloganet, pasi asnjë denoncim konkret nuk është dërguar në prokurori për eksponentët e ish qeverisë së kaluar. Mirë se çdo të enjte jemi të detyruar të shohim maskaradën e akuzave të ndërsjellta në parlament, por në Kongresin e socialistëve, duhej të na i kursente këtë skenë të shpifur e cila po na bën të ndrojmë kanal tv …

Duhet vullnet dhe durim,- Edi Rama

Po për çfarë zoti Edi, që shok su bëre dot kurrë?

Të durojmë krenarinë tënde ndërsa me sllogane je super yll e në fakt, me vepra je në konçesione të panumërta dhe vazhdon ti biesh në të njëjtën vrimë të thyerit fyll…

Fjalimi i zotit Rama ishte një manifest opozitar, asgjë që të kishte lidhje me Kongresin e Partisë Socialiste. Mu duk një fjalim i zakonshem në Parlamentin Shqiptar, ku mungonte vëtëm replika e Sali Berishës.

Nuk mund të ketë drejtësi ndërkohë që qeveria bën padrejtësira të qëllimshme,- Edi Rama

Po ju vetë zoti Edi, a nuk po i bën padrejtësi socialistëve?

A nuk duhej të flisje për hallet e socialistëve e jo për opozitën?

A nuk i ke abandonuar në mjerimin e tyre mijëra e qindra mijëra militantë e anëtarë partie që të ndihmuan të bëheshe Kryeministër?

Mirë që vënde pune nuk u dhe, por të paktën mos i bëj të ndjehën në faj me keq qeverisjen tënde dhe shokëve të tu që veç rilindje nuk mund të quheni. Këtë e demonstruat edhe me këtë çelje kongresi që veç i socialistëve nuk ishte.

Partia socialiste nuk është qëllim në vetëvete! Kryetari i partisë nuk është qëllim në vetë vete, sekretari i përgjithshëm, nuk është qëllim në vetë vete, ato janë thjeshtë mjete për të qenë kryeshërbëtorë të popullit shqiptar, antarësisë tonë, dhe të gjithë Shqipërisë.- Erion Veliaj

Por në fakt, përtej këtij sllogani që u hap me fjalën,- do të ketë shumë debate, dhe mirë është që ka debate, asgjë e mëtejshme nuk bëri  vaki. Erjoni e dinte shumë mirë që s’do të kish asnjë debat. Ato ishin mbyllur pa filluar Kongresi.

Fjala e Erion Veliajt duhej të ishte kryefjala e Edi Ramës, ndërsa në të vërtetë Edi Rama u përpoq ti ngushëllonte socialistët se po sulmoheshin pasi ishin në rrugën e duhur, në drejtimin e duhur.

Vetë profesor Servet Pëllumbi u kthye në një renegat që justifikon shkeljet. Një oportunist servil që mbështeti shkeljet, që justifikon shkeljet.

Ilir Meta! Ish socialisti Meta ishte ndoshta i vetmi që në atë Kongres nuk ishte, nuk foli si i ftuar nga të ftuarit. Në fillim fjalën e tij u duk se ai u ndje në shtëpinë e tij dhe foli si zot shtëpie.

Natyrisht nuk mund të mungonte as humori. Në një parti ku shkelen me të dyja këmbët rregullat demokratike edhe ambicja e Ndocajt për tu kandiduar nuk mund të merret  me ilaritet

Rikonfirmimi i Edi Ramës si kryetar nëpërmjet Kongresit, kam bindjen që do të ishte shumë më i lehtë sikur të bëhej vetëm nëpërmjet rizgjedhjes së Tij dhe jo nëpërmjet instrumentave servilë dhe fushatës parapërgatitëse të përshëndetjeve nga jashtë dhe nga brënda.

Kam bindjen se ky Kongres farsë do ta rikonfirmojë kryetarin që i ka humbur mandati por nuk do ti japë Atij atë prestigj që kishte kur u zgjodh me legjitimitet 7 vite më parë. Ndërsa prestigjin e arritur si kryeministër i sapo zgjedhur në 23 qershor 2013, unë mendoj se pas këtyre tre viteve mos realizim të asgjëje të premtuar dhe keq qeverisje, asnjë Kongres nuk mund t’ia japë më

Ardi OMERI

Share: