Home KRYESORE Partia e Pacollit, starti që pritet

Partia e Pacollit, starti që pritet

Nga Suzana Tahiri

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë më 2014 u shoqëruan me shumë të papritura, mes të cilave edhe mospërfaqësimi i “Aleancës Kosova e Re” (AKR) e Begjet Pacollit, që në shkallë vendi arriti të merrte 34.170 vota, ose 4.67 për qind, duke mos mundur të kapërcente pragun e nevojshëm për t’u përfaqësuar në Kuvend.

Siç dihet atëhere koalicioni që kryesohej nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mori 30,38 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u kuotua në 25,24 për qind, “Lëvizja Vetëvendosja” (LV) grumbulloi 13,59 për qind, “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK) arriti 9,54 për qind, Lista Serbe (LS) me 5,22 për qind dhe “Nisma për Kosovën” (NK) kaloi pragun me 5,15 për qind.

Kjo përqindje votash në shkallë vendi, në Kuvendin e ri të Kosovës prej 120 vetësh, u materializua respektivisht në këtë mënyrë me numrin e deputetëve: PDK me 35 deputetë, LDK me 33, LV me 16, LS me 11, AAK me 9, NK me 6 vetë, 6+ me 6 vetë dhe 4 legjislatorë pa grup parlamentar. Në zgjedhjet lokale të një viti më parë, pra më 2013, pati të tjera befasi dhe të papritura, sidomos për partitë kryesore, LDK dhe PDK.

Për herë të parë pas këtyre zgjedhjeve administrative, kryeqytetin e udhëheq Shpend Ahmeti nga “Lëvizja Vetëvendosja”, ndërsa LDK arriti të fitojë Gjilanin, Ferizajin dhe Pejën.

Nga ana tjetër PDK mundi ta ruajë fitoren në Prizren, por humbi në Mitrovicë, e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri nga AKR e Pacollit, që ftoi gjithashtu edhe Gjakovën me Mimoza Kusari Lilën kundrejt kandidatit të AAK të Haradinajt.

Megjithatë starti pozitiv i zgjedhjeve lokale, nuk ruajti të njëjtin ritëm edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, çka rrudhi tepër disa parti politike dhe ruajti në krye të renditjes dy partitë tradicionale.

Zhgënjyes për këto zgjedhje ishin veçanërisht për AKR e Pacollit, që shquhet si një biznesmen i fuqishëm dhe me njohje të mëdha ndërkombëtare.

Vetë Pacolli nuk ka fajësuar askënd për këtë humbje duke u premtuar mbështetësve dhe anëtarësisë se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojnë bindshëm si në zgjedhjet lokale të radhës ashtu edhe në ato parlamentare.

Natyrisht se do edhe pak kohë për të parë se sa reale do të jenë këto premtime, megjithatë vlen për t’u theksuar qëndrimet konstruktive që mban kjo forcë politike ndaj zhvillimeve politike në Kosovë, të cilat mund të kthehen në një premisë të mirë në të ardhmen.

Share: