Home KRYESORE Valët e emigracionit dhe zbatica shqiptare

Valët e emigracionit dhe zbatica shqiptare

Nga MARJANA BULKU

Emigracioni, kjo dramë me efekte të shumëfishta i ka trazuar shpesh shqiptarët ku ikjet nuk janë thjesht akte ndarjesh, por edhe drama plot me pasoja tragjike që nëse do i analizonim rast pas rasti me siguri që do përbënin një burim informacioni plot gjetje e zbulime se nga i ka rrënjët trauma shqiptare, pse aq shumë kronika të errëta, por nga ana tjetër duket se ka mjaft histori suksesi aq sa të krijohet përshtypja se përtej Shqipërisë ka jetë, jo vetëm shpresa por edhe suksesi. Përgjigja për sentencën e fundit është e thjeshtë. Mundësitë reale që krijojnë aparatet shtetërore janë detyrim për qytetarët. Si sot më rrinë në vesh lutjet e merakosura të koleges time: “Marjana, Marjana! Ajo pacientja vetull bukur shqiptare që erdhi per kontroll, e sapo martuar në USA kishte depresion, jepja numrin e celularit. Mbase do ketë nevojë për dicka, dikund!” Eh njeriu këtu ka vlerë, në cdo fjalë dhe veprim, madje edhe çdo pikë loti e tij.

Po përse shqiptarët e lënë aq shpejt atdheun e vet? A nuk e vë kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre? Sa brezash jeton atdheu përtej kufijve? Pse rikthimet janë të vështira e deri të pamundura? Një zinxhir pafund enigmash që më kanë munduar që kur mësova për herë të parë ikjen. (Ishte viti 1986…Histori tjetër kjo, pjesë e disa historive që nyjëzohen në vitin 1959). Por kur bisedojmë me miq kosovarë të cilët mundeshin të udhëtonin nëpër botë përveçse në Shqipëri gjatë regjimit të Titos, mendoj se emigracioni shqiptar ka qenë më tragjiku sepse ekonomia e rënduar çka nxiste ikjet shndërrohej në mur politik që e bënte absurde jetën dhe brengë e familjarëve që kishin persona të arratisur siç quheshin asaj kohe. Sa fëmijë u rritën pa prindër? Sa bashkëshortë patën fatin e baladave tona të trishta që sikur e parashkruan historinë tonë. Historia jonë hesht nëpër balada, na fton nëpër balada, thërret prej andej dhe na paralajmëron.

Valët e emigracionit që zënë fill me 250000 shqiptarët e parë që emigruan drejt Italisë menjëherë pas vdekjes së Skenderbeut duket se nuk i ndali dot koha, perveçse komunizmit ku mund te them pa frikë se koha ngriu, mendimi, perspektiva gjithashtu bashkë me të drejtën për të ëndërruar dhe ndërtuar një jetë më të mirë. Sa e sa shqiptarë kapërcyen izolimin duke shpresuar se marrëzia nuk do zgjaste pesëdhjetë vjet. Duke e parë emigracionin si të vetmin investim në kushtet e mohimit të cdo lloj shprese për normalitet në tokën trashëguar brezash, humbën lidhjet me familjarët, ndërsa këta të fundit u braktisën edhe nga shteti, farefisi, shpresa. C’tragjizëm!

Por ajo çfarë mbetet permanente në gjithë këtë det dramatik të pafund ikjesh është se shqiptarët janë popull i palumtur, këtej apo andej, se tranzicionet e pafundme ua kanë tkurrur shpresat, por jo ambiciet, se janë një popull ëndërrimtar, por pa një bazë ku të ndërtojnë perspektivat e tyre, e rrjedhimisht kjo i bën më pak mendimtarë dhe largpamës, pikë e dobët kjo e shfrytëzuar sistematikisht nga politikbërësit tanë aksidentalë. Imagjinoj shpesh fëmijën që ka humbur rrugën dhe në dëshpërimin për t’iu drejtuar strehës së vet të rehatisë do t’i besonte gjithkujt apo lypte gjithkujt dorën e ndihmës. Ky paralelizëm është tabloja që përcjell pakujdesinë permanente të shtetit për qytetarët e vet.

E dhimbshme kur bisedon me emigrantët e hershëm, me ata që e lanë Shqipërinë brenda vetizolimit të vet absurd. ”Ikëm si armiq, shprehen, por me një dëshirë të pamasë për t’u rikthyer e per tju treguar se ne nuk ishim armiq, por të rinj me ëndrra për tu shkolluar, për të ndërtuar, për të jetuar pse jo më mirë nga çfarë ofronte sistemi i tolonave”. Dhe në të vërtetë ia dolën… por jo në vendin e tyre. Prandaj ndonjëherë suksesi të jep një kënaqësi të dyfishtë, këtej dhe andej. Kam takuar shqiptarë të suksesshëm që dashuri të pamasë kanë atdheun artistikisht dhe jo vetëm. Kam takuar edhe nga ata të zakonshmit që të jashtzakonshëm e kanë mallin për atdheun; një e përbashkët që na bashkon, një dashuri që shumfishohet po aq sa distancat që na ndajnë.

Por është e habitshme kur ky fluks të ikurish nuk resht edhe sot. Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës juglindore, jo e iluzioneve me lule enveriane, por ajo e gjeografisë reale e plot kolore, me relievet e larmishme, me lumenjt që rrjedhin mespërmes trupit elegant drejt detesh të mrekullueshëm, rrethuar nga liqenet ku Struga e Ohri i thonë: ”jemi kaq afër”, me madhështitë malore që përqafojnë diellin kur lind dhe teksa perëndon mbrëmjeve kur magjik është edhe ëndërrimi për agun tjetër… atje ku ashpërsia e motit të kujton kreshnikët e motçëm që për nder e pronë ishin bashkë në çdo betejë. Atje ku lakmitë dhunojnë por edhe lartësojnë dinjitetin -amanet, e Frashërve, Konicave, Fishtës, Camajt,… ikjet po e zbrazin. U zbraz përsëri atdheu nga ikjet e gjata, nëpër ato rrjeshta varg të ikurish ka me qindra histori vuajtjesh, zhgënjimesh, rikthimesh, ëndrrash, suksesi. Bashkëbisedoni me ta! Dëgjojini! Lexojini dhe faljani atdheut të zbrazur duke i rikthyer natyrshëm disa jetë nga jeta e tij.

Nju Jork Mars 2016

Share: