Home KRYESORE A nis rrugëtimi për turizëm të qëndrueshëm nga Durrësi?

A nis rrugëtimi për turizëm të qëndrueshëm nga Durrësi?

Nga Elvis Kotherja

Turizmi ende mbetet një sfidë, e cila akoma përpëlitet ethshëm për t’u orientuar e strukturuar drejt, për të qenë jo vetëm i qëndrueshëm, por dhe i përgjegjshëm në të njëjtën kohë. Ka një angazhim për t’u lavdëruar sa i përket rëndësisë se kësaj industrie nga ana e qeverisjes qendrore, e cila gjithmonë ka qenë e mbështetur nga biznesi, por ky sezon tregoi se frangmentizimi i qeverisjes vendore në copa të vogla penalizon në të njëjtën kohë dhe qeverisjen qendrore që nuk arrin të implementojë programin, rregulloret ose standardin e saj, rrjedhimisht dhe biznesin lokal si siguruesi kryesor i produkteve dhe shërbimeve dhe publikun si përfituesi kryesor.

Gjithmonë në një eksperiencë negative ka një aspekt pozitiv, sepse tashmë kemi mësuar se pa një bashkëpunim të qeverisjes vendore me biznesin lokal, dhe pa një koordinim të qartë midis qeverisjes qendrore dhe lokale, zhvillimi i turizmit bëhet i pamundur, por besojmë se reforma territoriale tashmë e pranuar politikisht dhe e miratuar në Parlament do të zgjidhë handikapin e krijuar nga tranzicioni 23-vjeçar që më së shumti dhe tinëzisht yshtej nga interesi politik.

Afatgjatë, i vetmi risk që mund të kërcënojë apo komprometojë implementimin e reformës së re territoriale dhe rrjedhimisht rregullave dhe politikave rregullatore për zhvillimin e turizmit nga qeveria qendrore drejt asaj lokale mund të jetë decentralizimi i shpejtë. Nëse do të ndodhë një decentralizim më i butë, duke e bërë atë në një proces afatgjatë të kujdesshëm, hap pas hapi, atëherë mund të jemi të suksesshëm. Shembulli që ne nuk do ta harrojmë kurrë është 1992, nga të mbyllur u gjendëm të lirë, e kjo liri u kthye në anarki, e ku çdokush mendoi se duke qenë i lirë, mund të ndërtojë, shkatërrojë, prishë, rrënojë kudo e këdo, sepse ishte i lirë, e cila na dërgoi në të sotmen shoqëri që po kërkon të gjejë as diktaturën e as lirinë anarkike, por të mesmen e saj, jetën sociale, ajo që jetohet në Perëndim, e cila bazohet mbi rregulla, parime e ligje.

Decentralizimi i shpejtë mund të komprometojë procesin, faji do t’i mbetet lidershipit të qeverisjes qendrore apo lokale, nëse që pa nisur decentralizimin, nuk merr parasysh realitetin, duke filluar me përzgjedhjen e lidershipit lokal, mentalitetin shoqëror, përgatitjen e administratës së institucioneve lokale, kohës që ata duan të absorbojnë diçka të re dhe shumë faktorë të tjerë që janë të rëndësishëm.

Në gusht 2010, isha me dy miq të huaj, biznesmenë dhe këshilltarë turizmi me eksperiencë në shumë vende në zhvillim. Vizituam si fillim Gjirin e Lalëzit e më pas pjesën e Golemit. Gjithmonë i bindur ose më mirë i shtyrë dhe nga shqiptarët mendoja “Ky vend nuk bëhet më, është shkatërruar” dhe se “Gjiri i Lalëzit do të ishte i pëlqyeri i tyre. Njëri nga ata më dha shembullin më të thjeshtë, duke vënë në dukje pikat e forta dhe të dobëta të të dy destinacioneve dhe ajo që më sugjeroi ishte se “Gjiri i Lalëzit” është vërtet parajsë, por do shumë investime e do një kuadër ligjor perfekt për të mbrojtur investimet e huaja, sepse asnjë kompani e huaj nuk e mendon të rrezikojë kapitalet e saj në vende në zhvillim ose ku stabiliteti politik është i paqëndrueshëm. Nëse ky vend do të zhvillohet, patjetër duhet ta nisë nga ajo pjesë që kërkon më pak investim, që ka traditë e që ka mundësi ta bëjë më shpejt, duke zgjidhur së pari kaosin urbanistik, sepse jo të gjithë në Europë e kanë mundësinë të shpenzojnë mbi 1000 euro për 7 ditë diell dhe rërë e madje pjesa më e madhe duan të shpenzojnë më pak. Çka diskutuam në atë kohë ishte e sinqertë, më pëlqeu optimizmi dhe gjithmonë Durrësi mbeti në mendje dhe sot besoj se është e vërtetë dhe se zhvillimi i turizmit nis nga Durrësi.

Referuar eksperiencës së vendeve të rajonit, si Kroacia që ka Dubrovnikun si Kryeqendrën e turizmit Kroat, Mali i zi Budvën etj., po ashtu dhe bisedës së hershme, po jap disa argumente reale pse Durrësi duhet të jetë destinacioni kryesor nga ku nis zhvillimi i turizmit?!

Durrësi është destinacioni ku lindi shërbimi i turizmit dhe për këtë ka fakte që nga periudha e monarkisë, diktaturës e deri në ditët e sotme. Është një destinacion ku është investuar që para 80 vitesh, e më së shumti në 20 vitet e fundit, e ky investim s’duhet të shkojë dëm. Është në qendër të Shqipërisë dhe ka infrastrukturë e cila përballon fluksin në çdo kohë. Është pranë Portit dhe Aeroportit të Tiranës që janë portat hyrëse për në Shqipëri. Ka klimë tipike mesdhetare me më shumë se 300 ditë diell në vit. Është destinacion i cili ofron një natyrë të mrekullueshme me plazhe ranore si rrallëkund në Adriatik. Është destinacion që ka vlera të mëdha arkeologjike, kulturore dhe historike me vlerë për kulturën europiane. Durrësi është destinacion që mund t’i shërbejë më së miri shtresës së mesme nga rajoni dhe çdo vend europian, për produktin e diellit dhe rërës.

Destinacion që marketohet lehtësisht dhe bëhet më i njohuri në Europë, për shkak të historisë, të tjerët duan ta krijojnë emrin dhe mundohen të krijojnë legjenda e balada. E kush nuk e njeh “Jul Cezarin” në Europë? Të gjithë e njohin, por shumë pak e dinë që rrugëtimi i tij drejt fitores nisi nga beteja e parë me Pompein përpara fitores vendimtare të “Farsalisë”, që u zhvillua pikërisht në Durrës, vendi ku sipas Plutarkut Jul Cezar tha, “Sot armiku u ndie fitimtar pa u dukur të merrte fitoren” e të marketosh në tregun europian një plazh me emrin “Jul Cesar Victory” është një vlerë e jashtëzakonshme.

Por Durrësi ka nevojë urgjente për ndërhyrje që e përmirësojnë si destinacion. Në këto ndërhyrje, veç infrastrukturës, rregullit dhe garantimit të furnizimit me ujë dhe energji, nevojitet në një plan afatshkurtër të nxitet edukimi profesional, jo për menaxherë të lartë, por për specialistë të ulët dhe të mesëm, si dhe mësimi i gjuhës angleze dhe gjuhëve të tjera europiane nga stafet e shërimit turistik.

Arsyeja që sot shqiptarët nuk e preferojnë Durrësin është niveli skandaloz i shërbimit, e kur ky destinacion do të bëhet i preferueshëm për shqiptarët e të plotësojë nevojat dhe dëshirat e tyre, atëherë mos u habisni, shumë europianë do të jenë pranë jush për të pushuar në Durrës. Turizmi nuk mund të zhvillohet pa plotësuar kërkesat tona, të vetë shqiptarëve, sot Durrësi nuk shkëlqen sepse asnjë shqiptar nuk e preferon, por merr arratinë, duke paguar shtrenjtë për një destinacion me shërbim shumë të mirë, por kurrë me natyrën dhe plazhin e Durrësit.

Pasuria më e madhe që shqiptarët sot kanë janë “Gabimet e së shkuarës” pa dashur të lëndoj kosovarët, por ata ishin ndër të parët që u tërhoqën nën sloganin “Shqipëria e lirë” e sot ata e braktisën me të drejtë, jo për fajin e tyre, por për realitetin, shpresojmë që kjo mos të ndodhë më, që Kosovarët t’i ikin dhe Shëngjinit, Velipojës apo Jugut të Shqipërisë.

Nuk është faji i tyre, është faji ynë, Shqipëria u marketua së prapthi “Shqipëria destinacion i lirë” kurrë më, do të jetë gabim fatal dhe do të na duhen dekada dhe miliarda për të përmbysur imazhin destinacion i lirë. Autoritetet e qeverisjes në çdo nivel, bizneset e turizmit duhet të bëjnë kujdes e të mbledhin mendjen për të mos përmendur “Shqipëria destinacion i lirë”. Slogan më i mirë është “value for money” – Ia vlen për çka paguan, ose raport i drejtë midis pagesës dhe shërbimit të ofruar. E kjo nuk është utopi, por është eksperiencë për shqiptarët, sepse sot nuk janë në gjendje as kosovarët t’i afrojnë në destinacionin “Durrësi i lirë”

Destinacioni Durrës, në fakt, është një punë e arritshme, e cila nuk është vetëm përgjegjësi e MZHUT, por e të gjitha institucioneve që nën koordinimin e MZHUT dhe agjencive të saj të bashkërendojnë për të ndarë përgjegjësitë dhe punojnë së bashku me ministritë që kanë përgjegjësitë, me pushtetin vendor dhe me biznesin që është i gatshëm të japë informacion, të investojë në ata sektorë ku kapitalet private duhen për ta kthyer Durrësin në një destinacion të qëndrueshëm, së pari për shqiptarët e më pas për të huajt.

Share: