Home KRYESORE Andi…

Andi…

Nga Anta Mucaku

Nuk pranoi për asnjë moment të shkonim në spital. U mjaftua me një dush të shpejtë dhe me të dalë, vendeve ku ishte gërvishtur e çarë u hodhi alkool sa për t’i dizinfektuar.

Ndonëse bënte sikur s’ndjente asgjë, nga mënyra sesi rrudhte ballin e shtrëngonte muskujt e fytyrës, e kuptoja që duhej të ishte e dhimbshme.

Rrija e shikoja si e shastisur teksa vishej me shpejtësi. Nuk më bënte fare përshtypje lakuriqësia e tij. Dua të them, s’më shkonte asgjë nëpër mend, ndonëse e dija që fiziku i tij ishte gjithmonë tundues. Nejse, ndoshta s’më shkonte ndërmend se s’ishte momenti.

Ç’budallaqe jam!
Pas gjithë asaj që ndodhi, unë vras mendjen pse s’më bëri përshtypje lakuriqësia e Andit!
M’u kujtua AI… kur ma pret ndonjëherë si me shaka “Ty veç aty të rri”.
S’di pse më erdhi të qesh por e mblodha menjëherë veten sapo vura re që Andi po më afrohej serioz e i qetë.

“Eja, dalim! Këtu është shumë rrëmujë”, tha teksa rrotulloi sytë i vetëdijësuar për ç’kishte katandisur.
S’po kuptoja më asgjë. Qetësia e tij nisi t’më frikësonte.

“Të dalim?! Ku?!”, e pyeta gjoja me të njëjtën qetësi.
Nuk mora përgjigje. Thjesht u përkul mbi dysheme, mori çelësat e makinës dhe u drejtua nga dera e daljes.

S’më mbetej gjë tjetër veçse ta ndiqja…
Ato pak sekonda në ashensor po na dukeshin përjetësi. Kuptohej nga sikleti i të dyve. Andi godiste lehtë me çelësat e makinës në pasqyrë ndërsa unë nisa të shikoja e rrëmoja thonjtë. Në asnjë moment nuk guxuam ta shikonim njëri-tjetrin në sy.

Dera e ashensorit më në fund u hap dhe ai shkoi te garazhi për të nxjerrë makinën ndërkohë që unë dola te rruga kryesore si për të kursyer kohë.

Ç’ankth! Ç’po bluante ndërmend Andi? Ku do shkonim? Pse ishte aq i qetë në ftesën e tij për të dalë?! Ai s’mund të më bënte keq, apo jo?!!

Ndjeva atë zhurmën tipike sinjalizuese të hapjes së derës kur ai shtypi butonin nga brenda makinës dhe s’di si e me ç’guxim por thjesht tërhoqa dorezën dhe u futa brenda.

Andi shtypi pedalen e gazit dhe…pas disa sekondash shpejtësia shkoi 80 km/h.

Sytë e mi ngelën fiksuar te ajo shigjetë që sa vinte e afrohej pranë shifrave më të çmendura.

100 km/h, pastaj 120 dhe….ja ku ishim me 180 km/h ndërkohë që tabelat vertikale sinjalizonin qartë se shpejtësia e lejuar ishte 60 km/h.

Nisa të shqetësohesha por nuk guxoja të nxirrja zë. Po shkonim gjithnjë e më shumë drejt periferisë duke hyrë nëpër rrugë që as i kisha përshkuar ndonjëherë por prapë nuk pipëtiva ndonëse shtrëngoja fort sediljen me duar nga frika e pasiguria.

Andi papritur ndezi sinjalin dhe mori majtas, drejt një ngushtice që të çonte diku në pyll.

Shpejtësia e makinës tanimë ishte veç 20 km/h, aq sa mund të lëvizte nëpër atë rrugë që përveçse e ngushtë ishte edhe gunga-gunga. Andit i dridhej timoni, ndërsa unë kërceja mbi sedilje pas çdo gunge e grope.

Ndaloi.
Fiku makinën. Shtyu sediljen e tij, mbështeti kokën dhe më foli më në fund i rehatuar.

“E do?”.
U mundova edhe unë të bëja të njëjtën gjë me sediljen time por ishte e pamundur me ato duar që më dridheshin si të më kishte zënë korenti.

“Çfarë, Andi?”, gjeta guxim të nxirrja zë.
“Atë tjetrin. Dhe të lutem mos ma bëj më të vështirë duke u shtirur sikur s’kupton gjëra që ti i di mirë. Gjëra që vetëm ti i di në fakt”, më foli me ton serioz e pa dihatje nga fillimi në fund.

“Nuk e di Andi. Nuk e di. Nuk e di a e dua”.

U binda se duhej të flisja njëherë e mirë. Se nuk mund t’i fshihja më asgjë. S’mundesha sepse me një si Andi ishte e pamundur dhe sepse s’kishte kurrfarë kuptimi të vazhdoja me këtë farsë.

“Sa kohë ke? Sa kohë ke me këtë tipin?”
Kur tha me “këtë tipin” më erdhi t’i hidhesha sipër e ta puthja si e çmendur.

M’u duk si në fillimet tona, kur Andi ishte profesori im e unë humbja kohë me bukuroshë trubosh. Andi asokohe donte të më bënte për vete dhe nuk linte njeri nga ata me të cilët dilja, pa ironizuar e tallur.

“Ç’bën në jetë ky? Haheshe gjë ai? Brekët i mbante sipër apo poshtë rripit të pantallonave? Dorë homosh apo heterosh?” Veç nga këto dinte të më thoshte kur i tregoja për ndokënd me të cilin kisha dalë.

Unë shkrihesha së qeshuri dhe i shijoja aq shumë ato batutat e tij larg formatit të një profesori por gjithnjë e më afër natyrës së një burri që më eksitonte keq mendjen.

“Kam… Tetë muaj. Dhjetë… Ndoshta një vit… Nuk e di Andi, nuk e di”. Këtë herë situata nuk ishte fare argëtuese dhe as mua e as atij s’na vinte për të qeshur.

“Vetëm seks? Si ka funksionuar? Dua të di!”, vazhdonte pyeste ai pa kthyer shikimin nga unë.

“Po ç’rëndësi kanë të gjitha këto?”, tentova t’i shmangesha këtyre pyetjeve kaq sikletosëse.

“Kanë, kanë… Të bën të ndjehesh femër?”, u mundua ta “moderonte” pyetjen ai.

“Shiko Andi! Unë të dua fort”. U hodha sipër sediljes së tij gjysmë të shtrirë, hapa këmbët në gjerësinë e sediljes dhe përkula kokën time drejt së tijës për ta parë drejt e në sy këtë herë.

“Ti e di që të dua fort,- vazhdova. Por kjo që ndjej nuk mjafton për të qenë gruaja jote.

Ajo që kam me “atë tipin” nuk është thjesht seks. Nuk është më, të paktën.

Detajet e tjera nuk vlejnë për t’u diskutuar dhe ti e di këtë….
E di prej Anës, apo jo?!”

Përfundimisht unë s’isha mirë nga trutë e kokës. Dhe këtë e kuptova pasi kisha shqiptuar emrin e asaj. Po i flisja Andit për atë tjetrin ndërkohë që doja të dija edhe për atë tjetrën.

Punë “të tjerësh”. Punë dreqi..

Share: