Home KRYESORE Furtuna nuk mund të zgjasë pëgjithmone në ekonominë shqiptare

Furtuna nuk mund të zgjasë pëgjithmone në ekonominë shqiptare

Kjo eshte nje interviste e publikuar tek gazeta “Albania Daily News” realizuar nga kryeredaktori Genc Mlloja me Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqates seTregetareve te Shqiperise.

-Zoti Neranxi, pak kohe me pare, ju u zgjodhet si Kryetari i Shoqates per Mbrojtjen e Tregtareve dhe Tregut të Shqipërisë dhe pergjate ketyre muajve ju kemi pare shume aktiv neper protesta te ndryshme apo dalje publike ku keni ngritur zerin per problemet dhe shqetesimet e biznesit. C’mund te na thoni me teper per kete nisme te re qe keni nderrmarre?

– Në fakt kishte kohë që kryesia e kësaj shoqate e cila është krijuar që në vitin 1998, më kërkonte të isha unë Kryetari i tyre, por angazhimet e shumta më bënin që ta refuzoja. Mirëpo të qënit në krye të një grupi njerëzish me të cilët na bashkojnë shumë interesa, erdhi si një kërkesë e kohës. Përditë e më shumë shikonim që sipërmarrësit, të vegjël apo të mëdhenj ishin lënë në mëshirë të fatit. Ne nuk përfaqësoheshim nga askush pranë organeve të pushtetit. Ata që sot negociojnë për ligje dhe vendime në emrin tonë, janë individë të shitur, sahanlëpirës që presin kur të marrin ndonjë para publike apo ndonjë favor në këmbim të firmës që hedhin, pa e vrarë mendjen se kështu na shkatërrojnë të gjithëve. Ju kujtoj se një ligj i miratuar nga ky kuvend pak muaj më parë i cili kishte parashikuar supergjoba edhe për gabime shumë të vogle të bizneseve, u kthye nga Gjykata Kushtetuese, pasi shoqata që unë drejtoj e çoi atje për ankimim. Dhe firmën për këtë ligj që çonte në falimentim të sigurtë biznesin, e kishin hedhur këta tradhtarë të interesave tona që e quajnë veten biznesmenë. Kjo është e rëndë dhe shumë e padrejtë.

-Ju jeni personalisht nje biznes i madh dhe normalisht i prekni nga afer dhe ndikoheni drejtperdrejt nga ndryshimet qe behen ne sistemin tatimor. Cilat jane disa nga veshtiresite qe ju hasni momentalisht? A mendoni se eshte permiresuar klima e biznesit ne vend?

– Kompania e familjes time hyn tek Bizneset Vip. Ne kemi 25 vjet që operojmë në treg në importin, përpunimin dhe shitjen e lëndëve të para për industrinë ushqimore. Shqipëria ka qenë një vend shumë i vështirë për të bërë punë të mëdha, si ato që aspiroja unë, megjithatë mua vështirësitë e tranzicionit nuk më kanë mërzitur dhe nuk ma kanë hequr asnjëherë pasionin dhe dashurinë për punën. Mua më mërzisin padrejtësitë, por nuk më mundin kurrsesi. Kur je në treg, biznesi yt funksionon si një barometër. Unë nuk kam nevojë të dëgjoj përralla pushtetarësh në televizor të cilët na flasin për mrekulli e mirëqënie. Unë e ndjej kur njerëzit nuk kanë para sepse bie fuqia blerëse, e kuptoj kur dikush ka futur një mall kontrabandë, sepse i njëjti mall që unë kam në dyqanet e mia, stopon shitjen, sepse ai i kontrabandës e nxjerr në shitje më lirë sesa unë, pasi nuk paguan asgjë në shtet. Përveç kësaj unë kam dhe shumë informacion, sepse jam operator i rëndësishëm në treg dhe më duhet të investoj edhe në informacion për të kuptuar se çfarë ndodh dhe për të marrë masat e duhura. Unë nuk e kam luksin të improvizoj, sepse puna ime ecën me program, ashtu sikundër nuk mund t’ia lejoj vetes të gaboj, prandaj përpiqem të kem çdo gjë nën kontroll. Por nuk mund të thuhet e njejta gjë për ata që na drejtojnë. Me këto që po ndodhin për ditë, e them me bindje se atyre iu ka dalë situata jashtë kontrollit se nuk ka mundësi të gabojnë kaq shumë dhe kaq rëndë.

Përsa i përket ndryshimeve të shpeshta të tatimeve dhe taksave, ato janë vrastare për sipërmarrjen e lirë. Si mund të bëj unë një plan biznesi, kur një ditë të bukur pushteti qendror ngre tatimet dhe vendori ngre akoma më shumë taksat? Do ju tregoj historinë e një tregtari të vogël i cili ka një bar kafe në Tiranë. Kur ngritën taksën e hapësirave publike në Tiranë, ai kaloi në depresion. Më rrëfeu që kishte marrë një dyqan me qera për 10 vite, me kontratë, por sipas llogarive të tij, aktiviteti mund të dilte me fitim vetëm duke shfrytëzuar 6 tavolina që kishte jashtë, sepse brenda kishte shumë pak vend. Me shtrenjtimin e hapësirës publike, ai jo vetëm që duhej ta mbyllte dyqanin sepse dilte me humbje, por edhe kursimet e tija i humbi të gjitha në investimin paraprak që kishte bërë për barin. Dhe raste si ky ka plot. Po pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse pushtetarët e sotëm, qendrorë dhe lokalë, i kanë humbur të gjitha kontaktet me realitetin, ato dinë vetëm të ngrejnë tatime dhe taksa për të mbushur arkën, por nuk e kanë idenë që njerëzit kur ata erdhën në pushtet në vitin 2013, ishin në fije të perit dhe atyre iu duhej dhënë dora, jo shkelmi siç po bëjnë këta sot. Pra klima e biznesit jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar.

-Si kryetar i Shoqates se Mbrojtjes se Tregtareve dhe Tregut, ju keni derguar disa ndryshime ligjore dhe nisma te marra nga qeveria apo bashkia e Tiranes ne Gjykate. Gjykata pezulloi ndryshimet ne ligjin per procedurat tatimore nderkohe qe ju keni derguar ne gjykate edhe taksat e miratuara nga bashkia. A jeni te kenaqur me vendimet e deritanishme dhe cfare prisni nga gjykata ne shqyrtimin e kerkesave tuaja?

– Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin e supergjobave në shumicën e neneve të saj. Aty ishinn parashikuar gjoba nga 100 milionë lekë për gabime shumë të vogla. Ishte një ligj i bërë me urrejtje të madhe për biznesin. Madje edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në atë gjyq, fliste me mllef të madh për biznesmenët. Mu duk sikur u kthye koha e kulakëve që luftoheshin nga komunistët pas luftës së Dytë Botërore, ishte shumë absurde e gjitha ajo që ndodhi në atë sallë gjyqi. Gjithsesi beteja jonë ishte e drejtë dhe e fituam. Kemi në Kushtetuese edhe një ligj tjetër. Parlamenti ka ndërhyrë në Kodin Penal ku parashikon burg për biznesmenët. Ai është akoma në proçes nga Gjykata. Ndërkohë kemi çuar në Apelin Administrativ paketën e taksave vendore që është e gjitha skandaloze, duke filluar nga individi i thjeshtë i cili duhet të paguajë nja 4 taksa e deri të bizneset. Nuk dua as ta imagjioj se çfarë mund të ndodhë me biznesin nëse do i paguajnë ato taksa. Është një dënim me vdekje të sigurtë e sipërmarrjes së lirë në kryeqytet. Sido që t’i bësh llogaritë, sado fort të punosh, nuk ia del me ato taksa. Ne si shoqatë jemi të vendosur, nëse nuk arrijmë ta rrëzojmë këtu, do ta çojmë në Strasburg, sepse jemi të bindur që ajo është një paketë e padrejtë, antikushtetuese dhe shumë fyese në shumicën e taksave të vendosura.

-Para nje muaji pati disa negociata ndermjet tregtareve dhe bashkise se Tiranes per taksat. Si rezultuan keto negociata? Cilat jane pikat ku ju do vazhdoni te insistoni?

– Po, pas protestave të përditshme me tregtarët para godinës së Bashkisë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kërkoi të na takonte dhe të dëgjonte pretendimet tona. I çuam edhe një shkresë me pikat për të cilat ne nuk binim dakord. Unë e dija se si do të shkonte, nuk besova që në nisje që Veliaj kishte vullnetin të na ndihmonte. Bëri teatrin e rradhës, lëshoi diçka fare të vogël, tha dhe ca gjëra non sens si psh, e jap shtrenjtë hapësirën publike, ose përndryshe le të kalojë aty një grua me karrocë…!!! Në fakt përplasje të tilla janë shpesh shumë të dobishme, sepse na japin mundësinë të kuptojmë dhe njohim më mirë se kë kemi zgjedhur për të na drejtuar. Dhe ato ditë duhet thënë që Kryebashkiaku la shumë për të dëshiruar në ato që thoshte mbi sipërmarrjen e lirë. Një njeri totalisht jashtë realitetit, i cili suksesin e tij ia lë në dorë vetëm talentit për të bërë populizëm, propagandë dhe marketing të vetes. Nuk janë instrumente të këqija, edhe ne i përdorim në biznes, por duhet thelbi si fillim, duhen veprat, pastaj mund të merremi edhe me formën. Ishte pra një zhgënjim i jashtëzakonshëm, kështu që ne si shoqatë iu drejtuam rrugëve ligjore. Pikat që ne kërkojmë të shfuqizohen janë pothuajse të gjitha taksat, për të cilat ata nuk janë konsultuar paraprakisht me biznesin dhe janë tërësisht të pastudiuara në kushtet ekonomike ku ndodhemi momentalisht. Janë disa taksa totalisht të papërballueshme, si psh taksa e truallit, e ndërtesës, e hapësirave publike, e pastrimit, e arsimit, e tabelës etj.

– Cila eshte kerkesa juaj drejtuar qeverise apo pushtetit vendor per te terhequr sa me shume investitore apo per t’ju dhene mundesine bizneseve si ju te zgjerohen me tej apo ndermarrin iniciativa te reja qe do te conin ne rritjen e punesimit dhe zhvillimin e ekonomise?

– Nëse do të merrnin mendimin tim, ky është momenti më i papërshtatshëm për tu futur në treg investitorët e rinj, natyrisht nëse ato para i kanë bërë me djersë, e kam fjalën këtu për investitorë shqiptarë, por edhe të huaj. Ju a them me sinqeritet, edhe në vitin 1997 që ishim në luftë civile, nuk kemi qenë kaq keq sa sot.
Ulja e taksave dhe e tatimeve, komunikimi i vazhdueshëm me biznesin për të kuptuar nevojat tona, investimi në infrastrukurë, ulja e çmimit të energjisë elektrike, ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij, mund të krijonin pak frymëmarrje për këtë ekonomi të asfiksuar.

– Vetem pak dite me pare, ju patet nje reagim pas takimit me Zotin Kryeminister i cili prezantoi fazen e dyte te luftes kunder informalitetit. Ju u rebeluat kunder krahasimit qe Zoti Edi Rama i beri biznesit duke e krahasuar ate me miun qe do kapet nga macja. Si erdhi ai reagim dhe c’mund te na thoni per luften kunder informalitetit dhe rezultateve te deritanishme?

– Ishte një takim ku qeveria ishte përballë biznesit, dhe flite për ca suksese imagjinare në luftën kundër informalitetit, mirëpo ne që ishim të zotët e punës nuk kishim të drejtë të flisnim! Ju a them me bindje, askush nuk është më i interesuar për të luftuar informalitetin sesa ne që jemi në treg. Ju a thashë më lart historinë e barometrit. Ne e dimë dhe e ndjejmë në lëkurën tonë kur ka kondrabandë dhe kur nuk ka, kështu që ai ishte një teatër qesharak, por që nuk bënte askënd për të qeshur. Përsa i përket batutës së kryeministrit ku ideja ishte se shteti është macja që kërkon të na kapë ne minjve që jemi sipërmarrës, mu duk e pagjetur dhe aspak elegante. Unë jam dakord që të ketë edhe ndonjë batutë mes një diskutimi formal apo zyrtar. Personalisht më shijojnë batutat, edhe ato të kryeministrit Rama madje, por kjo me mace e minj, ishte e pagjetur, prandaj reagova, sepse po reflektoja dhe thashë me vete, nuk e tha rastësisht ai atë. Rama e beson me të vërtetë atë që thotë dhe në fakt mirë e ka, për sa kohë që biznesi struket vrimave si minj dhe nuk bëhen të gjithë bashkë për të kërkuar të drejtat e tyre, pse mos ta thotë?! Edhe unë po të isha kryeministër, nëse nuk do ankohej njeri, nuk do ta kuptoja që jam në rrugën e gabuar dhe në fund të vitit nëse do më vinin biznesmenë të më ankoheshin se falimentuan falë politikave të mia të gabuara, unë do iu thosha: “Po ju pse nuk folët më parë?”

Më vjen vërtet keq kur konstatoj që mpirja 50 vjeçare e kohës së diktaturës, na e ka ndryshuar edhe ADN-në, jemi një popull frikacak që nuk dimë të kërkojmë të drejtat tona. Duket sikur jemi të programuar për të jetuar në sisteme autokratike. Është e dhimbshme ta konstatosh, por është e vërtetë për fat të keq dhe jam i prirur ta besoj deri sa faktet apo ngjarjet e ardhshme do më vertetojnë të kundërtën.

-Si e shihni situaten ekonomike ne vend? Dy dite me pare, Banka e Shqiperise vendosi te ule interesin e Lekut ne nje vlere historike minimale me qellim per te stimuluar ekonomine, si ju duket kjo levizje?

– Në të gjithë intervistën që dhashë, e di mirë që kam përcjellë një frymë zymtësie dhe pesimizmi, por në fakt unë nuk jam fare pesimist si natyrë dhe nuk e shoh aspak gri të ardhmen. Unë kam besim që gjendja do të ndryshojë. Si një njeri i lindur dhe i rritur në det, kur kishte furtunë, babai më thoshte, ska gjë se deti do bëhet i qetë si vaj pas furtunës. Këtë fakt që e mësova nga deti, unë e kam bërë filozofi të jetës time. Tani e di që nuk mund të ketë gjithnjë furtunë, prandaj dhe po pres të dalë sa më shpejt dielli. Kam besim që do të ketë një lëvizje në drejtimin e duhur të ekonomisë shqiptare dhe shpresoj që kjo të mos vonojë shumë.

Share: