Home KRYESORE Gjarpri pushtet-dhunë-pushtet

Gjarpri pushtet-dhunë-pushtet

Nga PhD, Ledian Droboniku

Nëse do paraqitnim kastën e instaluar në Shqipëri, imazhi i gjarprit Uroboros do të ishte ai duhuri. Uroboros ushqehet me trupin e tij, duke formuar një rreth pa fillim e mbarim. Në dukje i statik, por në lëvizje të përhershme, përfaqëson pushtetin që rinovohet pa pushim në mënyrë ciklike duke përpirë burimet përqark. Qarku pervers mes pushtetit dhe dhunës që vitalizojnë dhe rigjenirojnë njëri tjetrin pa fund.

Shumica e njerëzve janë të prirur të mendojnë në mënyrë dikotomike duke bërë tifo për kokën apo për bishtin pa kuptuar se bëhet fjalë për të njëjtin gjarpër që rritet përditë.

Tendenca për tu zmadhuar do të thotë që ai mbyt përditë e më shumë shoqërinë, duke i marrë burimet që atij i duhen për tu rritur. Me formën e tij, gjarpri modelon edhe shoqërinë në tre rrathë sipas nevojave të tija riprodhuese.

Ata që janë brenda gjarprit janë të priveligjuarit e pushtetit me funksione të ndryshme (politike, gjyqësore, akademike, mediatike). Përqark tyre janë ata që punojnë për të krijuar humusin, materialin e duhur, në atë që mbetet prej “ekonomisë reale”. Në një lloj skllavërie vullnetare, këta bashkëpunojnë për të mbajtur në këmbë një sistem pushteti, duke duruar përkeqësimin e kushteve të jetës, kushteve të punës, reduktimin e shërbimeve, rritjen e taksave. Edhe pse të shfrytëzuar pafundësisht, këta nuk bëjnë zë sepse ndihen të “njollosur” me modelin korruptiv që sistemi ka ngritur për të mbijetuar dhe sistemi i mbron nga rreziku që mos të bien në rrethin e tretë. Këtu gjenden “të padobishmit”, të papunët, kokëpalarët, jomilitantët që të braktisur trajtohen si jashtëqitje e padëshirueshme dhe prandaj duhen larguar jashtë vendit.

Qarku pushtet-dhunë-pushtet është totalisht autoreferencial. Kjo do të thotë që ai gjen plotësisht në vetvete arsyen e veprimtarisë së tij. Është mjet dhe qëllim njëkohësisht.

Këta rrathë mbahen mbi bazën e dhunës progresive ngritur në sistem. Romakët thoshin se shteti ose ngrihet mbi bazën e së drejtës ose mbi dhunën. Shqipëria nuk u bë kurrë shtet i së drejtës. Varrosja e së drejtës në letër dhe ngritja e të gjitha raporteve mbi forcën është emblema e këtij gjarpri 70 vjeçar. Krijimi i pasurisë, gjetja e vendit të punës, investimi, arsimimi, karriera profesionale, suksesi në përgjithësi nuk është produkt i raporteve virtuoze ngritur mbi të drejtën por vetëm në bazë të forcës veshur me autoritet shtetëror. Nuk ka rëndësi nëse ti ke të drejtë apo jo, rëndësi ka si ke raportet me mbajtësit e pushtetit.

Dhuna sigurisht ka nuancat e saj duke filluar nga ato që duron përditë për të jetuar deri sakrifikimi i njerëzve nëpër sheshe dhe mitingje.

Ftesa e Berishës për dhunë nuk është gjë tjetër veçse momenti i radhës ku gjarpri kafshon bishtin e tij dhe nuk dallon nga momenti i ftesës të Psikoramës për sakrificë njerëzore para Kryeministrisë, apo kafshimet Nano-Berisha që i vunë flakën Shqipërisë.

Sistemi ka nevojë për projeksionin e dhunës për të ruajtuar privilegjet e tij. Fatkeqësisht njerërzit nuk kuptojnë që këtu nuk bëhet fjalë për tenderat që “dalin” në teleshvizion por miliarda euro siguruar nga plaçkitja totale e vendit falë edhe peshkaqenëve ndërkombëtarë.

Kasta është e vendosur mos të humbasë këto privilegje dhe synon ti paraprijë pakënaqësisë sociale duke e devijuar energjinë drejt skutave të frikshme, ku populli nuk do të hyjë. Askush brenda kastës, as brenda në parlament as jashtë saj nuk i tremb gjuha e Berishës. Kërcënimi i kastës bëhet për skllevërit e rrethit të dytë dhe të tretë që mos të kërkojnë ndryshime në sistem se mund t’iu rishfaqen fantazmat e 91,97,98,2011 etj.

Militantët e verbër të psikoramës apo optimistët e sëmurë aludojnë se kërcënimi i Berishës vjen si reagim ndaj drejtësisë që po vë qeveria e rilindjes. Populli televiziv ka dëshirë ti besojë ëndrrave sesa realitetit të dhimbshëm ku ai jeton përditë. Nëse si për magji do të fiknin teleshvizionin dhe do të reflektonin me mendjen e tyre do kuptonin që Rama nuk ka asnje dallim në përmbajtje si Berisha, por janë thjesht kuklla të një kaste gjarpërore që rritet përdite.

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, po qeveris me virusin Meta?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, po plaçkit dhe privatizon gjithë pasuritë e vendit derit tek funksionet e shtetit?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, po fundos të ardhmen e Shqipërisë me borxhe marramendëse?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, nuk ka goditur por bashkëjeton me monopolet vampirë të ekonomisë shqiptare?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, nuk godet kurrë pushtetarët apo të konfiskojë pasuritë e vjedhura të popullit, por godet vetëm qytetarët pa mbrojtje?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, që nuk bën gjë tjetër veçse rrisin taksat dhe koston e jetesës në vend? A nuk është Rama që njësoj si Berisha, mbushi administraten më injorantë e militantë? A nuk është Rama që njësoj si Berisha, mban në kontroll mediat?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, mbahet mbi propagandën sistematike dhe vrasjen e trasparencës? A nuk është Rama që njësoj si Berisha, zvarrit reformën në drejtësi? A nuk është Rama që njësoj si Berisha, urren demokracinë, konkurrencën duke larguar kundërshtarët e tij?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, rrethohet jo nga intelektualë por njerëz mediokër dhe kriminelë? A nuk është Rama që njësoj si Berisha, mashtron e instrumentalizon emigrantët dhe diasporën shqiptare?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, mban në këmbë piramidën akademike me pseudo docentë, ku univerisiteti shqiptar edhe pse askush nuk e thotë renditet pranë Etiopisë larg çdo vendi evropian?

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, hesht për trafikanët e barnave të skaduara, terroristët ushqimorë, spekulatorët e karburantit, hajdutët e ajrit, tokës dhe ujit publik.

A nuk është Rama që njësoj si Berisha, është vasal i ndërkombëtarëve veçse të fitojë mbështetjen e tyre pavarsisht kostove të frikshme për vendin?

Po sigurisht që janë njësoj, sepse janë pjesë e këtij sistemi oligarkik që e blinduan në 2008, ku sabotuan Kushtetutën e shqiptarëve dhe morrën pushtetin absolut për të zaptuar shtetin me rotacion. Gjarpri i rotacionit, ka përkeqësuar dhe shtrënguar gjithmonë e më shumë vendin, por njerëzve iu thuhet se janë në “drejtimin e duhur” se duhet veçse të durojnë, se mjaftojnë të votojnë dhe të zgjedhin sundimtarin e radhës.

Shqiptarët kërkojnë punë, shërbime publike, shëndetësi, arsimim dhe siguri, por këto janë të lidhura fatalisht me humbje e privilegjeve të kastës dhe rrëzimit të sistemit uroboros instaluar mbi këtë truall.

Çlirimi i mendjes është vetëm hapi i parë për çlirimin e trupave dhe flakjes së prangave. Çlirimi i mendjes do të thotë, te largosh iluzonin se shpëtimi do vijë nga fytyrat e sistemit që mbushin ekranet dhe institucionet, ata janë akomoduar brenda sistemit. Shpëtimi do vijë nëse skllevërit dinë si të dalin jashtë shpellës ku mbahen të ngujuar. Shpëtimi vjen nëse sistemi sfidohet në themelet e tij të qelbëzuara.
Ajo që duhet thyer është pikërisht ky rotacion, jo zëvendësimi me një tjetër rotacion por zhdukja e çdo lloj gjarpri sot dhe nesër. Kalimi i pushtetit nga partitë drejt qytetarëve është beteja që duhet të realizojnë sot shqiptarët patriotë ende jashtë rrethit të pushtetit.

Beteja e demokracisë pjesëmarrëse, zhdukja e partive uroboros do të thotë emancipim i gjithë shqiptarëve që zbulojnë se janë edhe sovranë dhe zotër të këtij vendi përrallor.

Rikthehemi të jemi shqipe, dhe zhdukim çdo zvarranik si kemi bërë ndër shekuj!!!
#RrugëtimiKaNisur – shqipON

Share: