Home KRYESORE I pasur nga e shoqja!

I pasur nga e shoqja!

Nga Flutura Acka

Kështu dolën nga deklaratat e pasurisë ca nga politikanët tanë. Me ç’rast, m’u kujtua doktor Adhamudhi i Çajupit, ose Adha-m-uti, siç thotë ai, i cili qe i pasur nga e shoqja, sigurisht e shkruar në gjallo-nekrologjinë e tij. Ndryshimi mes Adha-m-ut-ëve tanë dhe atij të Çajupin, është se:

1. Biri i të ndyerës Karolinë e dinte se do të vdiste, këta tanët kujtojnë se nuk janë vdekatarë, e sillen si të përjetshëm.

2. Gruaja e Adhamudhit ishte e pasur vërtet, por prej familjeje, me trashëgimi me tapira shekujsh, jo nga fakti se kishte fjetur me Adhamudhnë.

3. Gruaja e Adhamudhit vërtet kishte pasuri, por nuk vinte e hiqte drejtorë, nëpunësa, pastrues nëpër punëra të shtetit.

4. Adhamudhi vetë kishte një barrë shkollë dhe po t’i shihte pasardhësit e tij të rinj, do të tallej me shkollimin e tyre nëpër kurse partie e biznese të pista.

5. Adhamudhi, atë pasuri që trashëgoi nga gruaja, nuk i cënoi, lëndina e kodra i mbajti po ashtu siç ishin, sepse mendoi se gjelbërimi duhet të jetë për të gjithë gjeneratat (të paktën sa për sy e jo ta shlelin), por këta nuk lanë gjë pa prekur e kthyer në beton.

6. Adhamudhi – edhe pse e dogji nga inati – e shkroi një abetare për shqiptarët, por këta çfarë po lënë? Veç në lençin ndonjë ditar barcolatash… dhe sigurisht deklaratën e pasurisë, dhe të ‘ndershmërise’ së tyre.

Fragment nga “Pas vdekjes” se Çajupit, 1910

“Sot mësuam se Adhamudhi, i vetëthënë shëronjës, mbylli sytë!… I ndyeri, sido q’ishte mendjeshkurtër, ISH I PASUR NGA E SHOQJA. I ati nuk dihet kush ka qënë… Mësuam vetëm se ky ‘sharlatan’ ish bir’ i të ndyerës Karolinë, që vdiq vjet nga uria!… Ky faqezi kishte veten për njeri të math dhe meërziste tërë botën me marrëzitë që thosh posht’ e lart. Ish hapur fjalë sikur kërkonte të helmonte të shoqen, që t’i trashëgonte gjënë! Me të tilla ndenja në zëmër, bëri fortmirë që këputi qafën dhe vdiq nga ‘dambllaja’ natën kur këndoi kokosh’ i parë. Mbuloi BALTA BALTËN”

Share: