Home KRYESORE Ju flet Tirana

Ju flet Tirana

Nga Edison Ypi

Të dashur tiramsa, Ende nuk kemi vdekur. Ja ku jemi. Kemi me çfarë të krenohemi. Ja mozaiku i krimit, ja piramida e kurvit, ja ne, me punë të mira, me biznese, me pasurira. Po u bënë zgjedhje, përvojat i kemi nga Rusia, metodat nga KGB-ja, vrasjet nga Stalini, pabesitë nga Sigurimi, sheqerin nga Kuba, urinë nga Koreja.

Çfarë na mbetet të bëjmë, është të gënjejmë sa më tepër duke buzëqeshur. Se ju fukarenj se fukarenj do mbeteni, por ne do kemi llogari të fshehta në Zvicër dhe në Panama, do bëjmë pushime në Brazil dhe në Arabi. Kjo është jeta. T’i pasurojmë këto përvoja. Të marrim disa masa.

Shumica e votuesve nuk na duan, por ne tiramsat të hiqemi sikur në anën tonë është e gjithë e drejta, ndërsa në anën e tyre e gjithë e shtrembëra. Ne tiramsat nomenklaturista duhet të vazhdojmë të jemi bashkë si thoi me thoin që të mos e humbim gjënë më të vyer, atë që shkakton frikën, atë që mpin mendjen, të kaluarën kriminale të etërve.

Ne, dhe bashkë me ne e gjithë hordhia e sorollopëve të Sigurimit, ta ruajmë ta zhvillojmë dhe ta pasurojmë me ç’të na vijë doresh traditën kriminale që na e lanë trashëgim të parët halabakë që zbritën nga mali, t’i plotësojmë amanetet e tyre për një Shqipëri të fukarenjve, dhe jo të borgjezëve që s’ngopen kurrë së piri gjakun e popullit. Ne tiramsat e rradhës së parë nuk duhet të jemi nga ata që gjatë diktaturës kanë marrë pjesë direkte në krimet e diktaturës, kanë vrarë me dorën e vet.

Për t’ja arritur kësaj, sa më tepër çuna oficerash me mjekërr dhe laptopa nëpër duar, demek si modernë, si rrebelë, si progresistë, si çegevaristë, aq më mirë. Të bëjmë kujdes që kundërshtarët tanë, këta që na hiqen si të traditës, besimit, pronës, familjes, vlerave, t’i paraqesim si pengues të progresit, si armiq të Shqipërisë. Nuk është e vërtetë. Por sa kohë në propagandë jemi më të fortë, s’ka asnjë problem. Të vazhdojmë të nxjerrim nga dollapi i kufomave nga ata të komiteteve që flasin me gjuhë mbledhjesh.

Përderisa Amerika vazhdon të na sjelli ambasadorë të urtë e të butë, skile që nuk e nxjerrin qimen nga qulli që qimen tua falim bejlerëve dhe qullin ta hamë vetë, dhe s’bëjnë asgjë në ndihmë të tiramsave, të bëhet kujdes i veçantë për tu kujtuar shqiptarëve me mënyra të tërthorta se Amerika vazhdon të jetë dhe do të jetë ajo që gjithmonë ka qënë, xhandari i popujve.

Sa i përket të përndjekurve, pasi nja tre a katër prej tyre i dogjëm me benzinë, e mira është të mos zihen me gojë. Vëmëndje e posaçme t’i kushtohet terazirave nëpër botë, terrorizmit, kamikazave. Të urdhërohet Karamaxhan Stërpidhi që kur të tilla prapësi ndodhin në Turqi të bëjë shkrimin ” Sot jam turk”.

Po të ndodhin në Groenlandë, titulli i shkrimit të Karamaxhanit të jetë “Nesër do jem eskimez”. Nëse trazirat do ndodhin në xhungël, titulli i shkrimit të Stërpidhit të jetë “Gjithmonë kam qënë majmun”. Psherëtimat se Shqipëria nuk bëhet dhe lotët se shqiptarët nuk gdhenden, janë gënjeshtra që na duhen. Kaq për sot. Rroftë kurvi!

Share: