Home KRYESORE Mëshira hyjnore e ka emrin grua dhe nuk eshte nje “devocion”!

Mëshira hyjnore e ka emrin grua dhe nuk eshte nje “devocion”!

Nga Gjergj Meta

Emri i Hyjit është mëshirë, ka thënë Papa Françesku e mua më pëlqen të them që emri i mëshirës është grua. Në imagjinatën tonë figura e Hyjit është e lidhur me atë të Atit, pra me burrin ose mashkullin në veçanti. Është ky një vizion që i përket një kohe e një kulture, por që nuk mund të shterrojë qasjen tonë ndaj Hyjit. Dua të risjell në kujtesën e lexuesit një pjesë nga një fjalim i Papës Gjon Pali I më 10 shtator 1978:

  • “ … ne jemi të dashur nga ana e Hyjit me një dashuri që nuk perëndon kurrë. E dimë: i ka gjithmonë sytë të çelur mbi ne, edhe kur duket se është natë. Është babë; më shumë akoma është nënë. Nuk don të na bëjë keq; don të na bëjë vetëm mirë, të gjithë neve. Fëmijët, nëse sëmuren, kanë një arësye më shumë që të duhen prej nënës. Edhe ne në rast se jemi të sëmurë nga e keqja, jemi jashtë rrugës, kemi një arësye më shumë që të duhemi prej Zotit”.

Këto ditë, ndërsa reflektoja rreth mëshirës hyjnore, më erdhi ndërmend fjala rahamim që ne shpesh e përkthejmë me mëshirë. Një miku im mysliman më tha që edhe në islam koncepti i mëshirës, rahamim, nuk do të thotë vetëm kaq, por është përkujdesje pa kufi, është dhembshuri e vazhdueshme. E njëjta gjë që ndodh edhe në bibël. Madje – shtoi ai – nga e njëjta rrënjë vjen edhe fjalamitër. Më pëlqeu shumë ky refletkim, sepse pasyqron krejt atë çka do të thotë mëshirë hyjnore, që është më shumë se sa një akt faljeje i mëkateve. Është akoma më shumë; është përkujdesje e vazhdueshme edhe pasi dikush mëkaton apo sillet keq. Ashtu sikurse një grua kujdeset për frytin e barkut të saj (mitra është vendi ku jeta ka burimin e saj) ashtu Hyji kujdeset për ne. Një grua nuk mjaftohet vetëm me lindjen biologjike të fëmijës, por kudjeset për të gjithmonë. Isaia thotë: “A e harron vallë një grua fëmijën e saj aq sa të mos përdëllehet për fëmijën e mitrës së saj? Edhe nëse një grua do të harronte, unë përkundrazi nuk do të t’harroja kurrë” (Is 49, 15). Mëshira hyjnore nuk është vetëm një akt faljeje i mëkateve të mia, por një përkujdesje e vazhdueshme e Hyjit për ne, i cili me butësinë e tij atërore dhe amësore më mbron e më shoqëron në çdo hap të jetës time.

Prandaj unë i druhem nganjëhërë disa forma devocionale, qoftë këta edhe zyrtare, sikurse janë meditimet e Fausta Kowalskës apo praktikat e ndryshme si rruzarja e lirimit etj., që janë shpesherë të shpjeguara gabim e më shumë akoma të kuptuara gabim. Biem në një lloj tundimi apo reduktimi të Mëshirës hyjnore si një meritë që na jepet pasi të kemi kryer disa praktika apo pasi të kemi thënë disa lutje. Jo! Kjo logjikë me Hyjin nuk shkon. Hyji nuk bëhet i mirë pse unë bëj disa lutje, Hyjin nuk e zbusin lutjet e mia, por lutjet zbusin zemrën time për t’iu afruar një Hyji që është gjithmonë i mire, i butë e i dashur. Lutjet e mia nuk më meritojnë faljen, por më ndihmojnë që unë të hyj në atë falje që i paraprin lutjeve të mia. Hyji e ka faljen gjithmonë për mua të gatshme.

Një frikë tjetër që më shoqëron është edhe fakti se këtë Vit jubilar të Mëshirës apo të Zemërdhembshurisë hyjnore, sikurse më pëlqen mua ta quaj, do ta reduktojmë në devocione personale, pa marrë parasysh aspektin social që ka ky vit. Në fakt aspekti social është përpara atij personal, nëse i shkojmë në rrënjë pikërisht fjalës Jubile, sikurse është në Bibël. Këtë keqkuptim e shkakton pikërisht aspketi devocional që ne u ofrojmë beismtarëve tanë shpeshherë e të cilit i mëshojmë shumë.

Më pëlqeu këto ditë nisma e dioqezës së Sapës që në të dielën e Mëshirës hyjnore ka dashur të bëjë edhe aktin solemn të pajtimit të një gjaku. Është një gjest që shkon në thelb të kuptimit të mëshirës hyjnore dhe gjeste të tilla i rikthejnë Jubileut natyrën e tij të vërtetë. Ndoshta do të kishte qenë bukur që famullitë apo karitaset dioqezane apo ai kombëtar të gjenin mundësinë se si të lironin familjet me probleme nga faturat e dritave apo nga qera të papaguara familjet e reja a me shumë fëmijë; se si të lironin nga borxhi nëpër dyqane famlijet e varfëra. Ky është Jubile e në këtë mënyrë Kisha e bashkësia e krishterë i jep Jubileut trajtat e tij të vërteta. Mëshira hyjnore nuk është vetëm një gjë që ka të bëjë me marrëdhënien time me Zotitn, por edhe timen me të ngjashmit e mi. Në epokën që po jetojmë të krishterët kanë shumë ccfarë të japin në jetën shoqërore nëpërmjet faljes së tyre e pajtimit midis tyre.

Po ashtu famullitë e bashkësitë tona nuk mund të jenë vende anonime të kremtimit të meshës së të dielës, por edhe vende takimi me ata që kanë nevojë për ne. Prej kohësh Dekanati i Durrësit me këmbënguljen e palodhshme të Atë Giovanni Salustri-t, jozefin i Murialdos, është i pranishëm në burgun e Durrësit, me motrat dhe operatorët e tjerë baritorë. Këto janë dyer të Mëshirës hyjnore që duhet të hapen konkretisht në jetën e shoqërisë. Vetëm kështu Kisha vazhdon misionin mesianik të Krishit i cili ka ardhur të japë një lajm të gëzueshëm e të zgjidhë vargonjtë e skllavërisë. Kjo është mëshirë hyjnore, ky është Jubile i mëshirës!

Marre nga Peregrinus

Share: