Home KRYESORE Petrit Bara: Universiteti i Mjekësisë, sfida për arritjen e standardeve europiane

Petrit Bara: Universiteti i Mjekësisë, sfida për arritjen e standardeve europiane

Prof. dr. Petrit Bara, ju aktualisht mbani postin e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike dhe keni shpallur kandidaturën për detyrën e rektorit të Universitetit të Mjekësisë. Pse një vendim i tillë?

Në fakt, edhe unë përpara së të vendosja të kandidoja i kam bërë vetes një pyetje të tillë. Besoj që çdokush që vendos të kandidojë duhet të bëjë një pyetje të tillë. Kujt do t’i shërbëjë ky vendim? Duke kthyer kokën pas, në retrospektivë, dhe duke kujtuar përvojën time 39-vjeçare si mjek kardiolog, eksperiencën time si drejtues i çdo niveli akademik, besoj se i zotëroj të gjitha aftësitë dhe kriteret për të kandiduar në postin e respektuar të Rektorit të Universitetit Mjekësor. Në gjithë karrierën time, unë kam përmbushur me përkushtim dhe profesionalizëm çdo detyrë që më është ngarkuar, si p.sh.: Shef i Urgjencës në QSUT, apo dhe çdo detyrë që unë e kam fituar nga zgjedhjet e kolegëve të mi, si: Dekan apo Shef Shërbimi, por duhet thënë pa u shkëputur aspak, për asnjë ditë dhe moment nga puna ime si kardiolog, pranë pacientit, biles edhe në këto ditë të ngarkuara të fushatës jam pranë pacientëve të Shërbimit të Kardiologjisë që drejtoj, pranë specializantëve, dhe kolegëve më të rinj. Duke qenë se puna ime është e matshme dhe e vlerësueshme, sepse kushdo mund të vijë në FSHMT. Nëse më lejoni po ju përmend vetëm disa arritje të kryera që nga viti 2004 kur unë mora për herë të parë detyrën si Dekan. Pikënisja ishte ‘Shkollë e Lartë’ dhe u shndërrua në Fakultet i Shkencave Mjekësore Teknike. Nga një staf me vetëm 1 pedagog të brendshëm mjek, sot ky fakultet përbëhet nga një staf akademik prej 68 pedagogëve me tituj akademikë. Aktualisht, FSHMT ofron tri nivelet e studimit. Sot, numërohen rreth 10.000 profesionistë në sektorin ndihmës mjekësor, të cilët përfaqësojnë denjësisht emrin dhe punën e kryer në këtë Fakultet. Sukses është po ashtu angazhimi i profesorëve të huaj belgë, italianë, zviceranë, gjermanë. Këto arritje më shtynë që të ndërmarr një vendim të tillë sfidues për të kandiduar.

Cila është platforma juaj për këtë universitet nëse do të bëheni rektori i ri në zgjedhjet e ardhshme?

Pavarësisht arritjeve të deritanishme profesionale dhe drejtuese, unë kam ambicien për të bërë edhe më shumë, për të bërë Universitetin e Mjekësisë. Unë gjej një paralele me kohën e fillimit të drejtimit të Fakultetit të SHMT, ku e gjeta vetëm me emër, me situatën aktuale të UMT. Shkurtimisht po u parashtroj pikat kryesore të platformës sime konkurruese:

  • Akreditim = Cilësi. Akreditimi i Universitetit tonë, dhe cilësia e tij, do të jetë në fokus të punës sonë, duke arritur të akreditojmë të gjitha diplomat, ashtu si në rastin e diplomave të FSHMT. Në duhet të bazohemi në modelin anglo-sakson. Arsimi britanik është i bekuar!
  • Do të synojmë standardizimin e Diplomës së Mjekësisë dhe Stomatologjisë, konform standardeve të KE, në mënyrë që të njehsohet me diplomat komunitare sipas modelit të ndjekur edhe më parë.
  • Do të inicioj një reformë kurrikulare të integruar sipas Kartës së Bolonjës. Mbështes integrimin e Universitetit në Projektet kryesore kërkimore shkencore në nivel botëror, si p.sh: HORIZON 2020, ERASMUS, CORDIS etj.
  • Do të përfshij çdo të ri, të shkolluar në perëndim, si dhe studentët tanë ekselentë sipas standardeve ndërkombëtare, në stafet akademike edhe të klinikave të shërbimit terciar spitalor. I njohur ndryshe brain-gain, dhe maksimalisht do të luftoj situatën brain-drain, pra do të pengoj largimin e profesionistëve eminentë.
  • Në themel do të jetë promovimi i brezave të rinj të mjekëve dhe shkencëtarëve në drejtimin shkencor dhe administrativ të universitetit.
  • Në të gjitha Fakultetet e Universitetit tonë do të synohet të unifikohet raporti staf akademik/student, duke respektuar standardet europiane të ngarkesës mësimore në auditore. Rritja e numrit të pedagogëve në raport me numrin e studentëve, veçanërisht për lëndët klinike, do të jetë në fokus të punës sime.
  • Do të aplikoj kritere profesionale dhe meritokracisë në çdo pozicion hierarkik, administrativ dhe shkencor të institucionit.
  • Do të krijoj fondin special të kërkimit shkencor, për të mbështetur stafet akademike në botimet shkencore, duke synuar revistat shkencore me IF Thomson Reuters, apo konferencat shkencore të vendenve të BE dhe OECD. Kjo si një ndihmesë e domosdoshme për rritjen e cilësisë dhe përfomancës.
  • Në kuadër të Universitetit Mjekësor në formën e polit universitar multidisiplinar i shtrirë në spitale publike dhe jopublike, do të mbështetet dypunësimi i ligjshëm i mjekëve pedagogë, duke e çuar çështjen për gjykim në institucionet ligjvënëse.
  • Do të synoj hapjen e Universitetit ndaj çdo strukture publike dhe jopublike, e cila ofron shërbim shëndetësor ku studentët dhe specializantët të kryejnë praktikat e tyre.
  • Për të qenë transparent, duhet pranuar se herë pas here ka pasur mungesa të zhvillimit të mësimdhënies nëpër auditore. Ne do t‘iu kthejmë Auditoreve tona mësimore, si baza e formimit profesional të studentëve, rëndësinë e munguar, duke motivuar dhe ndihmuar stafet pedagogjike në përmbushjen e misionit të tyre fisnik, duke vlerësuar çdo orë mësimore mbi normën.
  • Bazuar në përvojën pozitive të shtimit të godinave, auditoreve për studentët, ambienteve të punës për stafin pedagogjik në FSHMT, do të insistoj fort për të shtuar godinat dhe hapësirat edhe për Universitetin tonë Mjekësor.
  • Do të synoj implementimin e teknologjisë digjitale e-learning, duke aktivizuar në kohë reale on-line profesorë eminentë të huaj, në auditoret tona, në tri nivelet akademike, si dhe në studimet e specializimeve afatgjata, me qëllim të rritim nivelin e formimit bashkëkohor mjekësor.
  • Përvojën e suksesshme të njohjes së diplomave për studentët e FSHMT, në shtete të BE, si Gjermania, Angli, Itali etj, do ta zgjerojmë edhe për Diplomat e Fakulteteve të tjera të Universitetit tonë, duke formuar intelektualë europianë.
  • Do të themeloj sipas eksperiencave botërore, edhe në Universitetin tonë, studime të post-doktoraturës, për formimin e thelluar profesional të stafeve të reja akademike kërkimore-shkencore.
  • Do të ristrukturojmë Departamentet aktuale, për t’iu përshtatur kritereve ligjore të reja, duke synuar rritjen në efektivitet, nëpërmjet rekrutimeve të reja me kandidatë me tituj akademikë.

Ju përmendët më lart mbështetjen për disa Fakultete të Universtetit Mjekësor, si: Farmaci, Stomatologji apo Shëndeti Publik. Ku do të konsistojë plotforma juaj në këtë pikë? 

Unë, së bashku me Senatin e ri, do të kthejmë ashtu si u themelua në fillim Universiteti Mjekësor: Fakultetin e Farmacisë, Fakultetin e Stomatologjisë dhe Fakultetin e Shëndetit Publik. Riorganizimin e Departamenteve brenda secilit fakultet, konform standardeve të Ligjit të Arsimit të Lartë për akreditimin e Insititucioneve të Arsimit të Lartë. Plotësimi me staf akademik me tituj dhe grada si me studentë ekselentë tanët dhe ata që vijnë nga Universitetet Perëndimore. Në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me Universitetet e rrjetit europian për të aplikuar variantin më të mirë në kushtet e vendit tonë. Kjo do të shërbejë si pikënisje për Universitetin tonë. Puna për organizimin e tij nuk konsiderohet e përfunduar. Nevojat dhe kërkesat e kohës do të jenë lajtmotiv i punës sonë.

Studentët kanë të drejtën e votës në zgjedhjet për drejtuesit e Universiteteve. Cila është platforma juaj më konkretisht për ta?

Në botëkuptimin tim, studenti është shtylla kryesore e një universiteti. Ata janë njësia matëse e punës sonë. Ndaj për këtë arsye, platforma ime ka bosht themelor -studentin- dhe më konkretisht: Suksesi ynë është i lidhur me përparimin e tyre akademik dhe profesional. Puna jonë në auditor, do të rifitojë dimension të ri, duke realizuar të plotë dhe në kohë procesin pedagogjik. Formimi profesional i studentëve, kalon nga auditori në klinikat e shërbimeve,

prandaj do të insistoj në ridimensionimin dhe zhvillimin real të praktikave mësimore në shërbimet mjekësore universitare, si një faktor thelbësor i formimit të tyre profesional. Është koha që ata të integrohen në tregun europian të punës, aktualisht shumë të kërkuar për profesionet tona. Kjo do të arrihet duke njehsuar kurrikulat mësimore nëpërmjet përfshirjes së Universitetit tonë në rrjetin europian të Universiteteve Mjekësore. Ne diplomojmë studentë, që duhet t’i përgjigjen tregut europian, ndaj gjuhët kryesore europiane, si: anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, do të jenë pjesë e kurrikulave universitare. Për këtë do të insistoj në përfshirjen e dy gjuhëve të huaja. Suksesi në misionin tonë fisnik si dhënës të dijes, nuk mund të bazohet kurrsesi në rritjen e kostove të studimeve. Për këtë, do të synoj që nëpërmjet burimeve alternative si pjesëmarrja në projekte ndëkombëtare të realizojmë financimin pjesërisht të tarifave studentore. Do të synoj implementimin sa më të shpejtë të Kartës së Studentit, e miratuar por ende e pazbatuar, duke i dhënë dinjitet çdo studenti të Universitetit Mjekësor.

Sipas jush, cilat janë sfidat dhe problematikat me të cilat ky universitet përballet?

Gjatë hartimit të platformës për konkurrimin në pozicionin e rektorit të Universitetit, unë pikërisht jam bazuar në problematikat e shumta që Universiteti ynë, jetëshkurtër, përballet çdo ditë. Këto problematika ngelen sfida për të ardhmen, dhe unë kam besim në profesionalizmin tim se do t’i përballoj me sukses, duke u dhënë përgjigjen dhe zgjidhjen e duhur. Pa dashur të vendos paralele midis renditjes së problematikave dhe rëndësisë së tyre, fare shkurt po përmend disa prej tyre, si:

  • Cilësia në mësimdhënie ku përfshihet moszhvillimi i rregullt në disa raste i orëve mësimore;
  • Fondet minimale për kërkim shkencor; mungesa e dakordësisë ndërmjet drejtuesve dhe shefave të departamenteve;
  • Mungesa e një lidhjeje organike ndërmjet kërkimit shkencor dhe mësimdhënies;
  • Mosnjohja ndërkombëtare e diplomave për drejtime të caktuara të universitetit tonë.
  • Mungesa e përfshirjes së Universitetit Mjekësor në rrjetin Europian të Universiteteve Mjekësore.

Sa të vështirë e konsideroni këtë garë përballë dy kandidatëve të tjerë? Pse mendoni se duhet t’ju votojnë ju, ku ndryshon platforma juaj me të tjerat? 

Unë në këtë garë, siç ju e përmendni, megjithëse nuk më pëlqen si fjalë, jam së bashku me dy kolegë të tjerë të mi të nderuar. Ne vijmë nga i njëjti mjedis, duke punuar së bashku për shumë vite. Jemi të tre Profesorë të Fakultetit të Mjekësisë, ku konkretisht unë jam Profesor i Kardiologjisë, jemi të tre mjekë të QSUT, ku konkretisht unë jam Shef i Shërbimit të Kardiologji 2. Pra kemi të përbashkëta, por unë mendoj se: Kam energjinë, vizionin dhe dëshirën e nevojshme për të ndryshuar realitetin në Universitetin tonë. Platforma ime u përgjigjet sfidave të kohës dhe të këtij realiteti që të gjithë mjekët dhe profesorët në QSUT duan ta ndryshojnë. Platforma ime mbart në vetvete eksperiencën 12-vjeçare në drejtim, si dekan, eksperiencë e cila nuk më lejon që të gaboj dhe të mos kuptoj kush janë prioritetet për të çuar Universitetin tonë në nivelin e simotrave Europiane. Unë besoj që çelësi i suksesit do të jetë edhe gërshetimi i eksperiencave profesionale ndërmjet brezit të Profesorëve tanë elitarë me brezin e ri të specializuar brenda dhe jashtë shtetit. Po ashtu dua të nënvizoj se bashkëpunimi ndërmjet meje dhe Dekanëve, apo Shefave të rinj të Departamenteve që do të zgjidhen ka për të qenë bazamenti ku do të mbështet realizimi i platformës sime. Unë jam i bindur se kolegët tanë do të dinë të zgjedhin platformën më konkurruese, më ambicioze dhe që është më pranë zgjidhjes së problematikave të tyre./Mapo.Al

Share: