Home KRYESORE Profesor Kristiani

Profesor Kristiani

 Nga Marjana Bulku

Në atë pasdite të veçantë marsi tek sa shqiptarët e Ontarios nën organizimin e Bashkësisë shqiptaro-kanadeze natyrshëm festonin tashmë edhe ligjërisht traditen tonë kulturore në Ontario, ku dëbora e pazakontë ngrinte përmbi barin e gjelbërt që paralajmëronte nga larg pranverën e afërt, takoj jo pa kureshtje profesor Kristian Bukuroshin. Kisha dëgjuar shumë për të, se si ai ka qenë një gur i fortë themeli në formimin profesional të brezave të parë të informaticienëve shqiptarë.Matematicienin dhe akademikun Kristian Bukuroshi e njohin në Shqipëri, por në mjediset e maturuara të shqiptarëve tashmë kanadezë ai zë vend nderi.

Dhe kjo është mëse e natyrshme në një mjedis ku të gjithë kanë lënë pas vite plot histori, investimi shkollimi dhe pune e këtu ia njohin dhe respektojnë vlerat njëri-tjetrit. Është një realitet i natyrshëm ku mbivendosja e vlerave intelektuale pranohet pa kushte duke i pasuruar të gjithë, madje sejcili të prezanton tjetrin përmes produkteve që flasin përmes artit, valles, pikturës, tingujve, skulpturës, krijimtarisë letrare edhe këtu në emigrim.

Si nëpër një mozaik të larmishëm ku cdo copëz mbart nëntekste të forta unë kërkoj atë që më nxit vazhdimisht. Është kureshtja ime konstante mbi rolin dhe aktivitetin e intelektualëve në mërgim. Dhe për këtë më shumë sesa një informaticien matematikan askush nuk mund të flasë.

Profesor Kristiani flet pak, por saktësisht shpjegon se si mund të ndjehet dikush në moshën e tij larg atdheut. Atje ku ka lënë vitet më të bukura të jetës dhe të punës, ndoshta jo për nga cilësia, por për nga energjia dhe ritmika e moshës dhe fuqisë së ëndërrimit. ”I ndjek të gjitha veprimtaritë që zhvillon Bashkësia Shqiptaro-kanadeze”thotë ai, ”është një model se si mund të punohet. Këtu gjen jo vetëm produktivitet dhe kreativitet por edhe gjithpërfshirje moshash, gjeografish, kulturash, profesionesh dhe biznesesh. Është një mjedis që më jep besimin që ndjenjat kombëtare nuk do të shuhen”.

Profesor Kristiani ka punuar si tutor matematike këtu në Ontario dhe unë nuk e di nëse ai miksazh studentësh e kanë ndjerë apo jo cilësinë e leksioneve të tij por e sigurt mendoj se disa ikje e kanë varfëruar shumë Shqipërinë sepse emigrimi i mendjeve tkurr memorjen edhe historike edhe kulturore e më gjërë.

Largohem prej tij duke marrë me vete përveç respektit dhe mirënjohjes përgjigjen më të bukur, kryefjalë të atyre çasteve të paharrueshme: Shqipëria na dha me vete atë çfarë kishte; kënaqësinë, miqësinë që ne dashtë zoti i pasurojmë e trashëgojmë përjetë”.
New York

Share: