Home KRYESORE Që në takimin e parë…

Që në takimin e parë…

Nga Anta Mucaku

Si hipnozë. Që në takimin e parë. E shikoja dhe e dija që gjërat do shkonin thellë. Ai mundohej të më bënte sa më shumë përshtypje përmes fjalësh të artikuluara aq bukur ndërsa sytë e mi herë shkonin te buzët, herë te shpatullat e tij që ishin aq natyralisht të formëzuara.

Nuk më duhej ta shikoja lakuriq për të kuptuar se gjerësia e tyre ishte ndjellëse, mbërthyese, tunduese…

Pata një çast përhumbjeje dhe zgjata dorën për t’i prekur por e mblodha veten shpejt dhe kalova gishtat mes flokëve të mi, gjoja për t’i sistemuar.

Ai e vuri re këtë dhe paturpësisht….pa e vrarë mendjen fare që mund të më vinte në siklet më pyeti:

“Mos doje gjë?”
“Pse pyet?” ia ktheva pyetjen me pyetje ndërsa ndjeva faqet të më digjeshin flakë nga turpi.

Pastaj më kapi dhe njëfarë inati për faktin që Ai ishte aq i lirshëm e unë kaq e ngurtësuar sa m’u bë t’i thoja: “Po. Doja të të fusja duart!”

“Ke sy magjikë, e di?” vazhdoi me lirshmërinë e tij Ai, ndërsa aty për aty kuptova që ky ishte komplimenti i parë që më bënte teksa tentonte të shmangte sytë nga dekolteja ime.

Kafshova buzën si në pavetëdije e sipër, mora frymë thellë gati-gati duke psherëtirë dhe pastaj e pashë edhe njëherë në sy, pa m’u dredhur qerpiku fare.

“Seç ka një energji magnetike aty brenda!
Është kaq thithëse sa ndjej të shtyhem drejt teje gjersa….gjersa ti të më japësh duart e t’më quash idiot” përmbylli me nota parashikuese humori sikur të kishte një jetë që më njihte.

Në fakt, nuk e di nëse do e refuzoja dhe u tremba kur e mendova seriozisht.

“Çohemi?” I propozova papritur sikur të më kishte pickuar ndonjë grerëz.
Ai më tha ta merrnim me qetësi por kur e vuri re që tanimë e kisha humbur, hoqi dorë dhe u çua menjëherë.

Ecnim krah njëri-tjetrit mbi trotuarin e mbuluar nga errësira. Çuditërisht në atë rrugë të zhurmshme, atë natë nuk dëgjohej e shihej asnjë këmbë tjetër njeriu veç çapitjeve tona dembele. Ndjehesha aq e sigurt në ato çapitje krah tij sa m’u bë t’i mbështesja kokën te supi dhe të ndaloja në vend.

Ia vura fajin natës dhe efektit të jashtëzakonshëm që ajo ka mbi mua, derisa ndjeva buzët e tij mishtore dhe të lëngëzuara të thithnin fort të miat.

As që mora mundimin ta shtyja. As që e çova nëpër mend. Në fakt, as nuk po mendoja në ato çaste. Jo, deri në momentin që ndjeva trupin t’më dridhej i gjithi dhe veten të humbiste kontrollin.

“Ahhh”, lëshova zë në pavetëdije të plotë.

Por pasthirrma m’u kthye kumbueshëm në vesh. Hapa sytë, pashë neonet e trotuarit që reflektonin fytyrën e tij dhe ndjeva të dridhesha sërish. Këtë herë nga turpi.

Ky ishte momenti që t’i jepja duart por ishte paksa vonë për këtë ndaj u mjaftova vetëm me një të tërhequr mbrapsht të kokës sime.

“Më fal”, tha ai sikur të ishte zgjuar nga ndonjë ëndërr e paqtë.
E kuptova që në të vërtetë as po i bëhej vonë fare ndaj nuk ngurova ta ngacmoj.

“Të të fal për çfarë?!”

“Për mjekrën. Ndoshta të gërvishta pak”, tha i vetëkënaqur dhe më tërhoqi edhe njëherë pranë vetes.

As për gërvishtjet s’po i bëhej më vonë…

Share: