Home KRYESORE Shqiperia si Siria Nr. 2

Shqiperia si Siria Nr. 2

Nga Dionis Xhafa

Një nga arsyet që më bën ta dashuroj Shqipërinë është fakti se ky atdhe është kaq shumë i ngatërruar në meridianët politikë, gjeostrategjikë dhe mbi të gjitha kulturorë.

Ky është shteti që po ta analizosh ftohtë shumë vonë e ka fituar mëvetësinë, vendi i shumicës myslimane në Europë dhe i ndodhur në kërthizë të kryqëzimit mes Lindjes dhe Perëndimit.

Fotografia e shkrepur për nga zhvillimi shumë pak ngjan me perëndimin. Kjo foto nuk ngjan të jetë shkrepur në Tiranë, por në Teheran, Bagdad, Homs ose Damask. E se shteti ynë nuk është se nuk ka kaluar në etapat historike që i kanë kaluar edhe këto shtete që i përmenda.

Këtu grupet apo forcat terroriste e kanë rivalizuar shtetin; individët kanë dalë mbi shtetin; toka ke pjellë diktatorë e se po këtu ka ndodhur apokalipsi i 1997-tës.

Apokalipsi që kemi kaluar ne është i ngjashëm me atë që ndodh sot në Siri. Në kushtet e një shteti autokrat, njerëz të armatosur u rebeluan kundër këtij shteti të padrejtë.

Po ndodhte edhe në Shqipëri vëllavrasja dhe përçarja mes Veriut dhe Jugut të vendit, teksa edhe individët kategorizoheshin në janë “veriorë”, “jugorë”, “të majtë” apo “të djathtë”.

Përçarje mënxyrë e një shteti maskaradë që nxiste fitilet e përçarjes vëllazërore mbi bazë krahinash. Viti i mbrapshtë 1997 që ka ndodhur në Shqipëri, po ndodh sot në Siri – vetëm se atje me pasoja më katastrofale dhe me grupe ekstremist të rrezikshme. Edhe Shqipëria e ka rrezikuar ndarjen më dysh të vetes gjatë luftës civile në vitin 1997 si pasojë e një politike inatçore, gjakësore dhe të paturit e një lideri despotik i cili veç synonte pushtet maksimal vetjak sipas formulës “përça e sundo”.

Kjo është e shkuara e republikës e se ndoshta bën mire të hidhet pas krahëve, por jo edhe pa mësuar mirë nga kjo e shkuar.

Po qëndroj fort në përshkrimin e fotografisë në fjalë. Kjo foto dëshmon shkatërrimin e jashtëm dhe të brendshëm të shtetit. Së jashtmi duket e tmerrshmja, që kur pak metra më tutje duket qartë teksa ndërtohet një pallat në një vend pranë autostradës, ku fare mirë mund të kishte një lulishte.

Shkatërrimi i jashtëm mundet të shihet me sy të lirë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. I brendshmi është edhe më i tmerrshëm e kjo ka të bëjë me fatin e njerëzve në Republikë.Ndër fatet e trishta ku përmblidhen papunësia dhe skamja, më e zeza është emigrimi. Shqiptarët po ikin nga atdheu i tyre masivisht në një “eksod të dytë” pas atij të viteve 90-të të mbushur me tragjedi e jetë njerëzore të humbura brigjeve të Adriatikut.

Po ikin disa krejt në tym e kuturu, e ndërsa disa tek vëllezërit, motrat e kushërinjtë që i kanë në perëndim. Disa po thonë se ky “eksod” është normal e se shqiptarët po joshen nga ana e perëndimit kurse të tjerë mendojnë se ikja është aprovim në heshtje se Shqipëria ka marrë fund ose sikur i thonë këtej “nuk bëhet më”.

Të parët përgjithësisht janë ata që bien m lehtë në kompromis e disi dredharak që duan veç ta mbajnë pushtetin e vet, kurse të dytët më e ndjejnë plagën sociale në vend që shoqërohet me largimin masiv të shqiptarëve.

Këtu në Shqipëri kulmi është se dredharakët, të përlyerit e të përngjyerit në punë të zeza e të liga gjejnë shumë arsye për ti kundërshtuar këta të dytët. Iu thonë se janë “komunistë”, “marksist të vjetëruar nga koha”, “të shkretë” apo “të mjerë” që nuk i mbështet askush.

Këto të gjitha si për të vulosur si të drejta dhe të qëndrueshme edhe më 2016 fjalët e Nolit se këtu edhe më i padituri e më i ligu të bën sikur është më i ndershmi.

Me pak fjalë në luftë siç është Siria nuk jemi, por “Siria II” jemi për nga numri i atyre që ikin. ISIS-in nuk e kemi, por të nxirë e të vrerosur më së keqi jemi.

Por kush është ISIS-i ynë? Kush po na pret, na vret, na djeg, na nxin, na shkreton, na përvëlon e na përflak?!

Ne ISIS nuk kemi, por pse ikim? Veç gënjehemi se nuk e kemi ISIS-in. IS te ne nuk është i zi e me ata flamujt e zi e me masakrat e përgjakshme e të tmerrshme.

Këtu ISIS-i ka raste është me krevatë, i larë dhe i parfumosur. ISIS është padrejtësia e pushtetit, pasuri e mbledhur në duart e pak njerëzve, hajnia dhe poshërimi që i bëhet qytetarit.

E kështu kjo u bë tokë e politikanëve, e fuqisë, e forcës, e zotërinjve që ngrenë pallate e shfarosjes të së drejtës dhe e republikës të masakruar nga zezonja e një klase politike të korruptuar.

Kjo që po e bëjnë shqiptarët – arratsija masive drejt Europës kryesisht ngjan si përgjigje e heshtur e si grusht i rëndë në fytyrën e politikanëve demagogë, mashtrues, propagandues e idhnak për karrige personale. Ikja është grushti i pamundur i bërë tok’ në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Ikja është mesazhi se këtë klasë politike nuk e duam, e neverisim e për të shpëtuar veç largohemi.

Kaligula “kokëderri” që qëndroi gjatë në pushtet nuk është legjendë. “Kaligulat” janë në mesin tonë e ato e vulosin tragjedinë e përbashkët për lartësimin e vetvetes.

Për në fund një krahasim, më i godituri besoj në mes Shqipërisë dhe Sirisë. Sirianët ikin nga ISIS më së pari, por edhe nga diktatura e Bashar Al Asad.

Njëjtë si sirianët, ne i kemi “Basharët” në pushtet e këta për karrige të vet të dërgojnë edhe në fund të botës, të mpihesh e të mos flasësh kurrë.

Këta janë tamam si Asadi që të fortë e të patrembur qëndrojnë në qendër të pushtetit.

Duke qenë në qendër të sistemit, këta me veprimet e tyre të padrejta në shumë raste përhapin valë si mallkuese e një pluhur të zi si të ISIS. Kështu përpos vetes, edhe tokën e kanë helmuar. E kanë vrerosur tokën, i kanë nxirë pemët, rrugët, malet, fushat e detet.

I kanë shitur tokë e detra dhe i kanë shkretuar pemë e kullota. Ia kanë çuar njeriut të shkretë ilaçin e së keqes aty ku nuk mban më. E këtu nuk bën ndryshe veç të largohesh ose të bëhesh mercenar i politikave masakruese kundër popullatës.

FB_IMG_1460397098513E në këtë ikje dyshon në ia vlen ta nderosh flamurin e kombit tënd e nëse ia vlen ti këndosh me idealizëm vargjet e “Hymnit të Flamurit”. Ndoshta të pastër kur janë flamur e komb mundet, por e kanë përdhosur,vrarë, rrënuar, shkretuar e sakatuar…!

Share: