Home KRYESORE Ambasadorja turke nuk pendohet për Buzhalën!

Ambasadorja turke nuk pendohet për Buzhalën!

Pas lajmit të publikuar nga agjencia britanike Reuters se, ambasada turke në Prishtinë i dërgoi një letër ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmarrë veprime për komentet e gazetarëve, duke kërkuar edhe hapje të proçesit gjyqësor për analistin e njohur Berat Buzhalan për shkak të një komenti që postoi ky i fundit në Facebook, shkaktoi reagim të menjëhershëm kundër kesaj deklarate nga shume politikanë, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Pas kësaj ngjarje Ambasadorja Kivilcim Kiliç në pjesën e dytë të intervistës për Kohën Ditore, përgjigjet për herë të parë pyetjeve në lidhje me letrën që ja ka dërguar Ministrisë së Jashtme lidhur me komentet që Berat Buzhala i ka shkruar në Facebook, shkruan Gazeta Express.

Në intervistë, Ambasadorja Kiliç nuk pendohet për letrën dërguar MPJ’së rreth gazetarit Buzhala por pyetjes së drejtpërdrejtë – Pse e dërguat letrën në Ministrinë e Jashtme, a nuk është kjo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë? Ambasadorja duke u shmangur nga përgjigjia specifike deklaron “Po flas në përgjithësi. Nuk po flas për ndonje komunikim, këto vërtet nuk janë punë për mu. Nuk dua të flas për këto gjëra të vogla, po flas në përgjithësi. Kjo është një gjë vërtet serioze dhe askush në botë nuk e ka të drejtën të talle, nëse mund të thuhet se është tallje. Por ka rregulla, ka ligje të cilat duhet bindur.”

Edhe në vazhdim ambasadorja vazhdon shpesh herë shmangien nga përgjigjia specifike duke folur në mënyrë përgjithësues. Por edhe gazetari i Koha Ditore insiston në lidhje me Berat Buzhalan duke pyetur përsëri ” Po e kuptoj se nuk dëshironi të flisni për këtë, por më duhet tju pyes përsëri nëse keni marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë rast?. Por ambasadorja vazhdon me përgjigje përgjithësuese duke thënë “Nuk dua të diskutoj lidhur me këtë, nuk dua të ndërhyj në këtë rast. Po flas për çështjet në përgjithësi, për ligjet e përgjithshme, për parimet e përgjithshme…”

Vlen të theksojmë që pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi duke deklaruar për mediat ” Me sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, dhe kjo nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një gazetari dhe ambasadës turke në Kosovë”

Edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj në lidhje me ngjarjen deklaroi se nota verbale e Ambasadës Turke në Prishtinë është e pazakontë dhe e papranueshme dhe njëkohësisht një mbireagim i saj./GazetaExpress/

Share: