Home KRYESORE Me 14 gusht miting i madh në Himarë e cila ka Zot...

Me 14 gusht miting i madh në Himarë e cila ka Zot himariotët

Nga Nikollaq Neranxi*

Shërbëtorët e mafias së grabitjes në Himarë intensifikojnë dizinformimin, ne më të bashkuar se kurrë për t’i ndaluar që të gjithë!

Të dashur bashkëqytetarët e mij himariotë! Tashmë jemi në prag të zhvillimeve të rëndësishme në Himarë, ku protagonistë do të jemi ne, qytetarët e saj. Grabitja e pronave e shtëpive qindra vjecare, sipas planit mafioz për të na shkatërruar dhe c’bërë si vend, ka bërë jetike, nevojën që të bëhemi të gjithë bashkë dhe ta ndalim këtë krim shumë dimensional, për të cilin jam i bindur që shumë shpejt do të japin llogari përgjegjësit.

Me 14 gusht ne kemi vendosur që të bëjmë një miting të madh, ku do i tregojmë të gjithëve se kjo tokë që quhet Himarë, ka Zot himariotët dhe nuk guxon askush ta grabisë.

Deri tani, është konfirmuar një pjesmarrje shumë e lartë. Himariotët i kanë tashmë idetë e qarta se cfarë duhet të bëjnë. Ndërkohë, të gjithë ata që janë brenda planit mafioz të grabitjes, kanë vënë në punë kalemxhinjtë dhe baltosësit e tyre, të cilëve me siguri iu është premtuar si shpërblim edhe ndonjë copë tokë në bregdet, pasi të kenë mbaruar punë me dëbimin tonë.

Ata gjakprishur dhe njerëz të ulët, po kërkojnë t’i japin ngjyrime politike takimeve që ne bëjmë, për të bërë bashkë himariotët në këtë luftë për zbrapsien e mafies. Jam i sigurtë se mashtrimet e tyre, as budallenjtë nuk i besojnë. Por sidoqoftë, e ndjej të nevojshme që t’ju bëj thirrje të mos bini në kurthin e tyre.

Lufta jonë, është lufta për pronën, për dinjitetin, për identitetin, për historinë e amanetin e të parëve dhe nuk i shërben asnjë qëllimi apo force politike, pra nuk ka sfond politik dhe organizohet vetëm nga shoqëria civile. Më vonë, kur të fitojmë këtë luftë, do mblidhemi përsëri për të propozuar individët më të mirë që do na përfaqësojnë në politikë. Por tani kemi para problemin e madh, sepse na kanë vënë në diskutim ekzistencën tonë si komunitet. Prandaj ju ftoj të jemi të bashkuar dhe të tejkalojmë pakënaqësitë, preferencat individuale si dhe divergjencat që mund të kemi me njëri tjetrin.

Sot ne duhet të jemi thjesht himariotë, asgjë më shumë!

P. S. Kush ka ndonjë ide apo dëshiron të japë kontributin e tij në organizimin e protestës së 14 gushtit, ju lutem më shkruani. Kemi nevojë për ju! Faleminderit!

*Autori eshte Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Komuniteti Himariot

Share: