Home KRYESORE Mentor Kikia: Jemi per te ardhur keq!

Mentor Kikia: Jemi per te ardhur keq!

Nga Mentor Kikia

Politika e degjeneruar, populli fatal dhe gjenerata e re, e shitur për një byrek dhe një notë 5…

Një video e hedhur në mediat online tregon një grup të rinjsh, me gjasë në kampin e LSI (LRI-së) në Jalë, që shërbejnë si dekor për një këngë labe, e cila i thur lavde Ilir Metës për konsesusin e Reformës në Drejtësi.

Ka dy tregues të fatalitetit tonë si shoqëri në këtë video:

Fataliteti i parë: Kënga që i këndohet një politikani. Historia na tregon se ata njerëz që kanë merituar një këngë, më e pakta kanë dhënë jetën për këtë vend. Por, qëkurse Enver Hoxha e bëri këngën për të një detyrim popullor, tradita vazhdon. Ky popull i ka kënduar pas Enverit edhe Sali Berishës, me isopolifoni, me klarinetë, me çifteli, me daulle e gajde. I ka kënduar edhe Ilir Metës më herët. I ka kënduar edhe Edi Ramës. I ka kënduar edhe Rrapush Xhaferrit, që iu mori edhe brekët gjysmës së shqiptarëve. Edhe Sudes, madje edhe Komisar Katanit që vriste mafian italiane ne filmin Oktapodi. Një popull që për pesë lekë të këndon këngë, është për t’i kënduar në mort.

Fataliteti i dytë: Ata të rinj janë vënë aty si dekor. Ata nuk ia kanë haberin as këngës e as politikës. Ata janë aty për të kaluar ca ditë pa para në bregdet. Por më shumë se kaq, janë aty sepse kanë hyrë në Forumin Rinor të partisë sepse shpresojnë se kështu do të gjejnë punë. Dhe jo vetëm në LRI, por në çdo forum. Sepse PARTIA është Universiteti më i mirë, është Masteri më i mirë. Përmes saj kalon karriera dhe suksesi. Por ka edhe më keq. Ata të rinj janë studentë dhe shumë prej tyre futen në këto forume për të marrë provimet pa mësuar. Po po! Ka qindra studentë, në çdo fakultet e në çdo universitet, që futen në forumet rinore të partive, sepse partië u sigurojnë marrjen e provimeve.

Ky është fundi. Unë nuk di fund më të turpshëm për një gjeneratë, për një shoqëri të tërë.

Kësaj politike i duhet dhënë fund, por kush? Kjo gjeneratë e shitur për një byrek dhe një notë 5 të pamerituar në provim?

PS: kikia kete shkrim e ka bere pas lajmit qe ben me dije se te rinjte e LRI-se i kishin bere kenge Ilir Metes

Share: