Home KRYESORE Neranxi flet ne “Tema Tv” per pronat himariote, konfliktin dhe Fondin Shqiptar...

Neranxi flet ne “Tema Tv” per pronat himariote, konfliktin dhe Fondin Shqiptar te Zhvillimit

0

Biznesmeni Nikollaq Neranxi dhe njekohesisht drejtor ekzekutiv i Shoqates Komuniteti Himariot, i ftuar ne Tema TV flet për problemin e pronave në Himarë dhe për të sqaruar konfliktet e komunitetit atje me pushtetin.

Intervista e plote e Nikollaq Neranxit

Cili është thelbi i konfliktit të banorëve me Bashkinë e Himarës dhe pushtetin qendror?

Si Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Komuniteti Himariot dhe si qytetar i atij vendi, përcjell shqetësimin për ngjarjet që po ndodhin atje. Para një viti, në rrugë jo zyrtare dëgjuam se Bashkia kishte vendosur të bënte ndërhyrje, duke rrëzuar disa ndërtesa dhe do hidhte beton deri afër vijës së ujit. E telefonoj Kryetarin Goro dhe e pyes për këtë punë, ai më thotë që nuk ishte në dijeni. Flitet, më tha, që është bërë një projekt para 3-4 vitesh me Kryetarin e mëparshëm të Bashkisë Himarë. Ndërkohë të gjithë ne ishim në pritje të pubikohej diçka që të kuptonim çfarë do bëhej me qytetin tonë. Rreth muajit tetor 2015, shkojnë disa fadroma në Himarë dhe fillon shkulja e të gjithë shtëtitores, prerja e pemëve, filloi rrëzimi i një restoranti të madh i cili kishte mbi 50 vite aty dhe ishte i privatizuar si dhe disa ndërtesa të tjera. Prisnim që të bëhej takim me popullin, nuk na thërrisnin. Prisnim të vihej ndonjë tabelë për të parë projektin, asgjë. Përfundimisht, në kohë rekord, bënë ato që ju të gjithë i shihni.

Kërkesa që ne kishim për pushtetin lokal ishte e thjeshtë, duam të na vini në dijeni dhe të na merrni mendimin për investimet që do bëhen aty. Por këta nuk duan, pikërisht këtu filloi konflikti. Investimin e bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit me para që merren kryesisht nga Europa. Nëse futesh në atë faqe, gjithë informacioni është anglisht, pra një qytetar i thjeshtë që nuk di anglisht, as aty nuk mund të marrë informacion. Në atë faqe do shihni që Fondi i jep paratë edhe për restaurimin e shtëpive të vjetra, por në Himarë është bërë publike që do rrëzohen edhe shtëpi shekullore dhe ky është shqetësimi kryesor i joni.

Ju keni thënë se ka patur përpjekje, që ajo që ndodhi gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Himarë, të paraqitej si konflikt banal. Sipas jush cili është versioni real?

Para se të shkoj tek ky moment, më lejoni të spjegoj zanafillën. Meqë ne si komunitet këmbëngulëm për të mësuar projektin, bëhet një takim i Bashkisë me popullin para një muaji. Aty disa studio vijnë dhe na paraqesin disa foto se si do bëhet Himara. Dhe me paturpësinë më të madhe, na tregojnë se si do prishet rëra dhe do hidhet beton, se si do zhduken shtëpitë e vjetra dhe do bëhen ca kulla të bardha pa dritare, se si do bëhet një port jahtesh në një lagje shumë të madhe me shtëpi mbi 300-400 vjeçare ku rëra përpara, ishte oborri i shtëpisë. Na tregonin një qytet tjetër praktikisht. Dhe këta ishin ca specialistë që nuk ishin më shumë se 22-23 vjeç, përballë burrave dhe grave me moshë mesatare mbi 65 vjeç, sepse ju e dini që të rinjtë kanë emigruar. Dhe më pyesin të vjetrit, ore çfarë do bëjnë? Do na rrëzojnë shtëpitë e vjetra? Pra këtu filloi konflikti, ne kërkonim, ata nuk na spjegonin. Pyetjet që iu bëmë ishin: “Si ka mundësi që ju kërkoni të bëni të tillë ndërhyrje, ndërkohë që me 20 janar 2016, me VKM, Himara shpallet zonë e mbrojtur, historike? Për ndryshimet që doni të bëni, a keni marrë leje apo autorizim nga insitucione të trashëgimnisë kulturore? Nuk na jepnin përgjigje. Pyetëm nëse kanë një leje ndërtimi, qoftë edhe për shëtitoren, as këtë përgjigje nuk e morëm. Tani kalojmë tek incidenti i pak ditëve më parë kur po bëhej takimi i rradhës në Bashki. Komunikata e policisë së shtetit, thoshte; “Zënkë mes banorëve për motive të dobëta”. Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro është shprehur në një intervistë; “Zënkë mes dy banorëve për motive personale jashtë ambienteve të Bashkisë”. Nuk janë aspak të vërteta. Në faqen time në facebook, unë kam publikuar me video, momentin për të cilin flasim. Është një qytetar himariot që po flet në mbledhje i qetë, në këtë moment futen disa individë të dhunshëm jo himarjotë dhe fillojnë të ushtrojnë dhunë. Më pas keni parë vetë kur qytetari i dhunuar, kthehet i gjakosur. Pra të gjitha këto elementë, janë të mjaftueshme për të kuptuar se në Himarë ka shumë gjëra që nuk po shkojnë mirë. Ne presim që policia e shtetit të zbardhë këtë ngjarje të shëmtuar e cila nuk është aspak për motive te dobëta, si dhe presim që Bashkia të zgjidhë problemet tona, sepse për këtë punë i kemi zgjedhur.

A ju pëlqen shëtitorja e Himarës e sapo ndërtuar?

Personalisht nuk më pëlqen. Unë kam lindur dhe jam rritur në atë vend, nuk ka se si të më pëlqejë betoni, në vend të rërës. Pastaj edhe nga pikpamja estetike, asnjë pllakë, asnjë dizajn, asgjë që ti përshtatet bukurisë së natyrës aty, vetëm beton. Madje mendoj se një investim i tillë nuk hynte fare në emergjenca, në atë vend. Në Himarë duhej bërë si fillim pastrimi biologjik i ujrave te zeza. Më vjen keq ta them, por në atë vend, të gjitha ujrat e zeza derdhen në det. Në Himarë duhej investuar për ujësjellësin, ujë të pijshëm pra në standartet e një vendi që bën turizëm, duhej dërguar telefoni dhe interneti, duheshin bërë rrugët për në kala dhe për tek kishat të cilat kanë një vlerë historike të jashtëzakonshme dhe janë një atraksion për turistët. Dhe në një moment tjetër mund të bëhej edhe shëtitorja.

Ku ndryshon problemi i pronave në Himarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë?

Kjo është një çështje shumë e thellë që i takon të gjitha pushteteve lokale dhe qendrore të 25 viteve të fundit. Të gjithë janë fajtorë, madje dhe mëkatarë për këtë gjë. Kjo sepse aty do të ndodhin drama, himariotët do të derdhin gjak për të marrë titujt e pronësisë, sepse ato prona në Himarë janë fituar nga paraardhësit tanë, me mund, me djersë dhe me gjak. Dhe nuk jam absolutisht dakord as me Kryeministrin e vendit i cili thotë se ka toka të paregjistruara, prandaj sipas tij, janë toka shtetërore. Si mund të ketë toka shtetërore në Himarë, ku të parët tanë i kishin ato toka dhe prona, pa u formuar akoma shteti shqiptar? Mos është kjo një grackë për t’iu thënë qytetëve se meqë ju nuk i hipotekuat, tani do iu a sekuestrojmë? Kjo është absolutisht e gabuar dhe ne nuk do ta pranojmë. Përsa i përket dallimit të pronave në Himarë me vendet e tjera, ju e dini mirë se pas vitit 1991, Parlamenti shqiptar nxorri ligjin 7501 për të marrë titujt e pronësisë, me anë të formularit 6. Të gjithë qytetarët shqiptarë e morën, ndërsa himarjotët nuk e morën. Kjo ndodhi sepse iu thonin që me këtë dokument nuk iu a hipotekojmë pronën, sepse nuk është bërë akoma menaxhimi i zonës. Të gjitha qeveritë e kaluara këtë kanë thënë. Pastaj në Himarë u bë edhe një gabim tjetër, me anë të ligjit 7501 u dhanë pronat e trashëguara të cilat nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Këtë vakum kanë kapur drejtuesit tanë dhe tani nxjerrin ligje në Parlament se nëse nuk keni hipotekë për pronën, nuk ju japim as leje ndërtimi dhe do iu a marrim, sepse është pronë shtetërore. Paralel me këtë, ka punuar mafia e pronës e cila me gjyqe, dëshmitarë të rremë, dokumenta të ndryshme, ka marrë prona dhe ka bërë madje edhe hotele luksoze apo qendra turistike. Ndërsa himarjotët, qendra e saj, sot janë pa prona, ky është një shqetësim shumë i madh. Nuk kanë dokumenta sipas legjislacionit shqiptar, janë prona të trashëguara ku trualli i shtëpive është mbi 300-400 vjeçar.

Vetëm duke marrë titujt e pronësisë ne do të jemi të gatshëm për të investuar. Në Samitin e Francës që po bëhet këto ditë, media raportonte se Kryeministri Rama i kishte propozuar kryeministrit serb Vuçiç që të sjellë investues për bregdetin shqiptar. Nuk e kuptoj, si mund të vijnë serbët të investojnë në Himarë psh, ndërkohë që ne pronat nuk i kemi marrë akoma? Pastaj, si ka mundësi që i thotë atij, para se të më thotë mua dhe investitorëve të tjerë që jemi nga ai vend? Ky është diskriminim.

A keni ju një interes personal në gjithë këtë çështje?

Absolutisht asnjë interes personal. Unë pronat e mia një pjesë i kam marrë, kam bindjen se edhe pjesën tjetër do e marr. Nuk lejoj askënd të prekë pronat e mia, sepse ato kanë edhe vlerë shpirtërore. Por unë kam disa detyra, jam Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë dhe nëse unë nuk luftoj për shtëpitë e të parëve tanë, ata do thonë, ky qenka i paaftë, si mund të na drejtojë ne? Dhe e dyta, jam Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Komuniteti Himariot dhe në daljet e mia publike për Himarën, flas në emër të atij komuniteti. Ne nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po kërkojmë pronat dhe shtëpitë e të parëve tanë. Por në këtë vend, punët prandaj nuk venë mirë sepse të drejtën nuk ta njeh kush, duhet ta kërkosh me forcë dhe ne këtë po bëjmë.

Share: