Home KRYESORE Samiti i NATO-s, çfarë mesazhesh presim nga Varshava

Samiti i NATO-s, çfarë mesazhesh presim nga Varshava

Nga Azem Parllaku

Samiti i NATO-s, që pritet të mbahet në Varshavë gjatë këtyre dy ditëve (8-9 Korrik 2016) zhvillohet në një moment, kur sfidat e sigurisë janë serioze. Ky Samit është një ngjarje e rëndësishme, që vjen në një moment delikat të situatës gjeopolitike. Një moment delikat kur kryefjalë është siguria dhe padyshim zhvillimet rajonale me një ndikim të gjerë.

Samiti i Varshavës, do të bëjë bashkë 60 kryetarë shtetesh dhe kryetarë qeverish të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s, të cilët do të diskutojnë si duhet të jenë të përgatitur për të përballuar rreziqet e së ardhmes.

Sigurisht që do të ketë një diskutim rreth strategjive të cilat do të mundësojnë një rritje të sigurisë, rritje të mbrojtjes kolektive, menaxhimin e situatave të krizave, të cilat për çdo ditë e më tepër, po bëhen prezente në çdo cep të globit.

Një nga pikat e diskutimit është “Resolute Support Mission”, vazhdimi i këtij misioni dhe çfarë do të bëhet me Afganistanin nesër. Si do të vazhdohet të reagohet në lidhje me krizën e refugjatëve në Detin Mesdhe, teksa një kryetemë, do të jetë qasja e vendeve NATO-s në raport me Rusinë. Cila do të jetë mënyra e mbrojtjes së kufijve NATO-s, më shumë se kaq, cila do të jetë mënyra se si vendet NATO-s do të rrisin kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës, etj.Në këtë Samit priten të diskutohen probleme të ndryshme, të cilat kanë një qasje të mirëfilltë politike, ashtu sikurse kanë edhe një qasje ushtarake, të cilat duhet patjetër të kombinohen me njëra – tjetrën. Në rrafshin politik, ky Samit do të jetë historik, pasi do të adresojë një nga udhëkryqet më kritike në historinë e Aleancës: statusin, sfidat dhe perspektivat e marrëdhënieve NATO-Rusi.

Dhe sigurisht do të diskutohet për probleme të brendshme të vendeve NATO-s të cilat kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të çdo vendi, rritjen e bashkëpunimit, zbatimin e të ashtuquajturës “Rapid Action Plan”, që është plani i veprimit të menjëhershëm, të shpejtë të forcave NATO-s. Mënyra se si ky plan po zbatohet, duke pasur parasysh këtu Task-Forcën e përgjigjes shumë të shpejtë. Në këtë Task-Forcë edhe vendi ynë do të marrë pjesë me një kompani, e deklaruar kjo për vitin 2016, 2017 dhe 2018.

Bashkëpunimi NATO-BE, në rrafshin e sigurisë do të jetë një tjetër temë në Samitin e Varshavës. Pavarësisht se ka çfarë diskutohet në lidhje me këtë bashkëpunim, mendohet se shumë nga problemet janë sheshuar në Ministerialin e ministrave të Jashtëm në maj dhe në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes në qershor.

Jashtë vëmendjes nuk mbeten opinionet e partnerëve të NATO-s, ndërsa një temë diskutimi mund të jetë edhe mardhënia NATO-Serbi, ku kjo e fundit kërkon të anëtarësohet.

Në Varshavë, temë diskutimi është edhe lufta asimetrike, lufta hibride, mbrojtja kundërajrore, ndërsa lufta kundër terrorizmit është pjesë e çdo tryeze.

Në një takim me gazetarët në prag të Samitit Ministrja e Mbrojtjes së vendit tonë Kodheli ndër të tjera përmendi se; “Shqipëria dyfishon prezencën e saj në Afganistan, kur të gjitha vendet, janë duke e rrudhur numrin. Ne do të jemi prezent në Herat, nën komandën e Karabinierisë italiane me 40 ushtarakë të tjerë dhe kjo është vlerësuar maksimalisht. Ne do të jemi prezent për herë të parë në një mision maritime, apo në një mision në det. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë po besoj se tashmë jemi gati, të përgatitur dhe me mundësi financiare për ta bërë këtë gjë. Në ndihmë të këtij misioni NATO të cilin e udhëheq Gjermania, me prezencën më së shumti të Turqisë dhe Greqisë, që kanë problemet kryesore në detin Egje dhe në detin Mesdhe përgjithësisht, për shkak të refugjatëve që vijnë nga ai drejtim. Mendoj se do të jetë një eksperiencë e mirë edhe për djemtë tanë, por njëkohësisht është vlerësuar maksimalisht për mundësitë që Shqipëria ka, kjo është vërtet një nga gjërat më të mira për të cilat ne kemi marrë falënderime dhe lavdërime qoftë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO, Stoltenberg, qoftë edhe nga aleatët tanë. Një mision interesant në fakt është misioni në Mali, një vend me rrezikshmëri të lartë, me probleme të mëdha të sigurisë, ku ekspertët tanë të çminimit janë trajnues të atyre që nesër do ta bëjnë këtë në vendin e tyre. Janë trajnerët që ne do të çojmë në Bagdat, për të trajnuar forcat e sigurisë, të cilët do të mundësojnë marrjen në dorë të fateve të vendit. Këtë gjë bëjmë edhe sot në fakt me oficerët tanë prezent në MM afgane dhe jo vetëm dhe sigurisht, një mision shumë i rëndësishëm për sigurinë e rajonit është prezenca jonë në KFOR”.

Që prej vitit 2009, ky është Samiti i pstë në të cilin Shqipëria ulet si e barabartë në tryezën e Aleancës, si një vend anëtar që njeh përgjegjësitë dhe demonstron qasje, qëndrime dhe projekte që japin garanci për të tejkaluar statusin e vendit me “demokraci të brishtë”; që e largojnë Shqipërinë nga premisat për t’u rikthyer në listën e vendeve që “konsumojnë siguri” dhe që forcon rolin si vend kontribuues për paqen, stabilitetin demokratik dhe sigurinë. Këshilltari Ushtarak i Presidentit të Republikës gjeneral Piro Ahmetaj njohës i spikatur i çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes nëpërmjet një qasje publike midis të tjerave theksonte se; “Shpresoj që mbas Samitit reformat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe interesat strategjike mbarëkombëtare të konsiderohen dhe adresohen sa më gjithëpërfshirëse, konsensuale, afatgjata dhe të qëndrueshme. Konkretisht, do të rekomandoja (që para ose mbas Samitit) një rezolutë parlamentare gjithëpërfshirëse (140 vota) për ta rikthyer si përcaktim kushtetuese: “miratimin me shumicë të cilësuar, 2/3-at e Kuvendit (nga 71 %) të dokumenteve themelore strategjikë të vendit (Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake, Planet Afatgjata të Zhvillimit/Modernizimit të FA-ve, buxheti i mbrojtjes, ligjet bazë që lidhen me reformat në FA; MB; SHISH etj. Ky projekt duhet të synojë ndaljen e deformimit të sistemit të sigurisë dhe të rrokullisjes së “Shqipërisë në fundin e listës së përmbushjes së angazhimeve në NATO” për shkak të: uljes drastike të buxhetit të mbrojtjes (më pak se 1% të GDP-së, në secilin nga tri vitet e fundit); dezintegrimit të strukturave dhe zinxhirtit të komandimit strategjik; prishjes së balancave kushtetuese; mungesës së konsultimit dhe konsensusit për vendimmarrje strategjike; arrogancës biografike në FA, si dhe shpërdorimit propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Share: