Home KRYESORE Ëndrra ime e lumturisë së ikur…

Ëndrra ime e lumturisë së ikur…

0

Nga Entela Kasi

Kur ti fle, nën brymë trishtimi dhembjen përkund
Kukull porcelani me sytë prej deti si guaskë
Kur ti qan, lotët ngrijnë si deti i veriut
Shndërrohen në pistë vallëzimi për elfët
mbështjellë me të kuqen e Onufrit a verës
Më vjen mbi qelqe me erën…
Kur jashtë gjëmon tokë e qiell, e bota
Thellë tërhiqet
E ne ndërrojmë vendet,
ti në tokën time
Me shtëpi letrash, qelqesh e kandelierësh
E unë thellë në shtrat koralesh

Jemi njerëz,
asnjë metro, avion, anije qiejsh
Nuk mbërrin kufij rezonimesh tej dijes
sepse jemi kështu vazhdimisht dy pole
Që i ndan dhe bashkon qendra e tokës

Kështjella tani në gjumë të qetësimit ka rënë
Dhe në ajër flatrojnë planete të shndritshëm
Diku errësira përpin kambanoren,
thërret meshën e së Dielës

Diku pelegrinët udhëtojnë drejt shpresës
E ne nga dy botë të ndara përjetësisht
Kërkojmë kukullën që fle nën brymë
Kur flinim nën magjepseje përrallash
pëshpërisim lutje që era i shpërndan
Në kupë të qiellit e në zemër të tokës
Në këtë asht të vetëm të dashurisë dhe shpresës
Ëndrra ime e lumturisë së ikur….

Share:
Reklama juaj