Home KRYESORE Italia goditet nga tërmeti, 24 të vdekur, dhjetëra nën rrënoja…

Italia goditet nga tërmeti, 24 të vdekur, dhjetëra nën rrënoja…

Tre tërmete të forta kanë goditur gjatë natës Italinë qëndrore.  I pari dhe më i forti me magnitudë 6 ballë i shkallës Rihter është regjistruar rreth orës 03:36 rreth 2 km nga qyteti i Accumolit dhe 10 km nga Arquata del Tronto dhe Amatrice.

Tërmeti i fuqishëm ka goditur Italinë qendrore, në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar 24 të vdekur e qindra të plagosur, ndërsa shumë banesa janë rrafshuar.

Qyteti Amatrice ka pësuar dëmet më të mëdha, ku kryebashkiaku i saj është shprehur se qyteti pothuajse nuk ekziston më. “Rrugët janë të bllokuara. Gjysma e qytetit është zhdukur”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Sergio Pirozzi.

“Ka njerëz që janë të bllokuar nën gërmadha… Ka pasur rrëshqitje të dheut dhe ura mund të rrëzohet”,shprehet ai

Pas lëkundjes së parë, janë ndjerë edhe dy të tjera, me mangitudë 5,1 dhe 5.4, me epiqendër 5 km larg Norcia-s.

Raportohet për 2 të vdekur në nell’Ascolano, 5 në Amatrice, 6 në Accumoli dhe 3 në Arquata del Tronto Agjencia për Mbrojtje Civile në Itali ka thënë se tërmeti ishte “i rëndë” dhe ka pasur raportime për dëme edhe në zonat malore.

Ky tërmet është ndjerë edhe në qytetin e Romës dhe epiqendra e tij ishte afër l’Aquila, ku një tërmet prej 5.9 shkallë të Rihterit vite më parë kishte lënë të vdekur 309 persona.

Qytetet më të prekura nga ky tërmet janë Accumoli, Amatrice, Posta dheArquata del Tronto.

Ora 10:18 Glevin Dervishi këshilltar për mediat i MPJ shprehet se nuk ka të dhëna pë shqiptarë të lënduar

Në një lidhje telefonike për Report Tv Glevin Dervishi është shprehur:”Ambasada është në kontakt me shqiptarët që jetojnë atje por deri tani nuk ka informacione për shqiptarë të prekur. Jemi në ndjekje të situatës e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Jemi në monitorim për të parë se si do të vijojë situata. Kemi pasur telefonata që kërkojnë informacion”.

Ora 10:15  Tërmeti në Itali, MPJ: Nuk ka asnjë shqiptar të lënduar, po ndjekim situatën

Ministria e Punëve të Jashtme ka shprehur ngushëllimet ndaj tërmeteve që kanë goditur sot Italinë, ndërkohë që ka siguruar të gjithë opinionin se ndër viktimat dhe të lënduarit, deri tani nuk është regjistruar asnjë shqiptar.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, kjo ministri thotë se, është duke ndjekur situatën hap pas hapi pasi në këtë rajon ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që punojnë e jetojnë, ndërkohë që ka vënë edhe numër kontakti në dispozicion të të gjithë atyre personave që kërkojnë ndihmë, në radhët e komunitetit shqiptar.

Ja komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme solidarizohet me Italinë mike në këto momente të vështira të shkaktuara prej tërmetit që goditi dje në mbrëmje rajonet e Lazios dhe Marches, me pasojë humbjen e jetëve njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Duke Ju gjendur pranë qeverisë dhe popullit Italian në këto çaste të vështira shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave.

Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të situatës dhe nga njoftimet e deritanishme nga Ambasada jonë në Romë informohemi se deri në këto momente nuk rezulton që të ketë qytetarë shqiptarë të lënduar.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rome për t’ju ardhur në ndihmë, vendos në dispozicion të qytetarëve shqiptarë numrin e emergjencës +393420498192.

Ministria e Punëve te Jashtme, është në ndjekje të situatës dhe do të informojë në vijimësi opinionin publik.
 
Ora 9:20  Dyshohet për 10 viktima të nxjerra nga gërmadhat në Peskara të Trontos

Dyshohet për 10 viktima të nxjerra nga gërmadhat në Peskara të Trontos, fraksion i Arquata, (Askoli). Mes viktimave mund të jenë edhe fëmijë. Lajmi nuk është konfirmuar ende shkruan tg.com. Dy të plagosur rëndë janë dërguar në spital dhe dy persona të tjerë janë nxjerrë gjallë.

Ora 8:30 Autoritetet bëjnë apel: Dhuroni gjak, na nevojitet çdo lloj grupi

Autoritetet spitalore në provincën Rieti bëjnë apel për dhurim gjaku. “Për shkak të tërmetit të ndodhur në orët e para të mëngjesit, kemi nevojë për gjak. nevojitet çdo lloj grupi. Dhuroni gjak nga ora 8 deri në 11 në spitalin ‘De Lellis në Rieti”- thuhet në apelin drejtuar qytetareve./Shqiptarja.com

 

Share: