Home KRYESORE Kush do të flasë në emër të popullit kosovar në Nish? Rama...

Kush do të flasë në emër të popullit kosovar në Nish? Rama apo Vucic?

0

Nga Gavrosh Levonja

Në summit-in serbo-shqiptar që pritet të zhvillohet në Nish, vendin kryesor është parashikuar ta zenë bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme, në radhë të parë bëhet fjalë për atë në ekonomi e tregti. Kuptohet që kur flitet për bashkëpunim në ekonomi e tregti, nuk ka si të lihet jashtë komunikacioni e transporti.

Pikërisht lidhur me transportin është paralajmëruar dhe nënshkrimi I disa marrëveshjeve midis Beogradit dhe Tiranës, konkretisht transportin rrugor dhe atë hekurudhor.

Madje prej kohësh është mësuar se Serbia I ka gati fondet për të ndërtuar autostradën e cila duke e lidhur nëpërmjet territorit të shtetit të Kosovës me “Rrugën e Kombit” do të krijojë mundësinë që prodhimet “Made Serbia” të ngarkohen në anijet e ankoruara në Durrës për tu shpërndarë ne vende të ndryshme të botës dhe ansjelltas.

Natyrisht, kjo është përbën një zhvillim pozitiv pasi së pari ndikon në rritjen e të ardhurave në buxhet si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë, së dyti kontribuon në zhvillimin e bizneseve që ushtrojnë aktivitet përreth territorit nga kalon ajo rrugë, pa përmendur rritjen e shkëmbimeve të mallrave në boshtin Beograd-Prishtinë-Tiranë.

Mirëpo lidhur me takimin e Nish-it ka dicka që nuk shkon; më saktë që nuk përputhet me realitetin e krijuar pas vitit 2008 kur Kosova u shpall shtet I pavarur dhe njihet pothuajse nga gjithë shtetet e botës.

Me kohë është bërë e ditur që në këtë takim nuk do të marrin pjesë zyrtarë nga qeveria e Kosovës, por ndërkohë, ndërsa flitet për bashkëpunimin Tiranë-Beograd thuhet se në kuadër të këtij bashkëpunimi do të nënshkruhen disa “marrëveshje të cilat prekin dhe Kosovën”.

Me qenë se Republika e Kosovës nuk do të jetë e pranishme në takimin e Nishit lind pyetja kush do të flasë në emër të interesave të saj e të popullit kosovar në Nish? Rama apo Vucic?

Nëse kjo e drejtë do t’I njihet Ramës, athere arrihet në përfundimin që Vucic dhe Serbia në kohën që nuk njohin shtetin e Kosovës pranokërkan tutelën e Tiranës mbi Kosovën që nënkupton dhe qenien e saj si një provincë e Shqipërisë ndonëse jashtë kufirit të saj.

Nuk po e marr fare në konsideratë versionin sipas të cilit është e drejta e Vucic, të flasë në emër të Kosovës, pavarësisht se Kosova si pjesë e Serbisë është e sanksionuar në kushtetutën e këtij vendi, madje është dhe pjesë e tekstit të betimit të kryeministrit dhe antarëve të tjerë të qeverisë.

Ekziston dhe mundësia që kryeministri I Serbisë të flasë në emër të pjesës veriore të Kosovës mbi lumin Ibër dhe Rama për pjesën tjetër të territorit kosovar që është nën juridiksionin e qeverisë së Prishtinës, gjë që sanksionon ndarjen përfundimtare të Kosovës dukë pasur parasysh pushtetin paralel që funksionon në atë zonë veriore.

Ajo që më habit në gjithë këtë mesele absurde është heshtja e qeverisë dhe autoiteteve të Prishtinës në përgjithësi, por dhe e faktorit ndërkombëtar, I cili është angazhuar që prej fillimit në një fushatë shumëplanëshe për njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete dhe promovimin e saj në forume e institucione ndërkombëtare, përfshi këtu dhe presionet mbi Beogradin për të njohur Kosovën si shtët të pavarur.

Personalisht kam qene gjithmonë një nga përkrahësit e idesë sipas së cilës sa më të mira të jenë marrëdhëniet Beograd-Tiranë, aq më e lehtë bëhej zgjidhja e problemeve që kishte popullsia shqiptare në Kosovë.

Por që nga momenti kur Kosova u shpall shtet më vete I njohur ndërkombëtarisht, askush nuk ka të drejtë të flasë emër të saj pervec se përfaqsuesve të saj legjitimë.

Pra dhe në takimin e Nishit për deri sa do të mungojnë përfaqsuesit e shtetit të Kosovës është e papranueshme cdo përfshirje e Kosovës në cfardo lloj marrëveshjeje që mund të nënshkruajnë Rama e Vucic.

Share: