Home KRYESORE Kush janë antiperëndimorët në Shqipëri?

Kush janë antiperëndimorët në Shqipëri?

Nga Arian Galdini

Prej disa javësh në Shqipëri, ka nisur një debat i nxitur për qëllime mirëfilli të politikës së ditës e asaj elektorale nëpërmjet të cilit synohet të prodhohen dy palë në kundërshti të plotë me njëra tjetrën, properëndimorët dhe antiperëndimorët.

Pala që e ka ushqyer këtë debat dhe e ka ngritur në casus belli, pra në shkak lufte, vetëquhet si properëndimore.

Këtë palë duket se e drejton Kryeministri Edi Rama dhe vazhdojnë pas tij i gjithë taborri politik, mediatik dhe financiar i përfaqësuar nga e tek i pari i Qeverisë.

Me pak fjalë, këta ia kanë nisur duke u vetëkonsideruar si properëndimorët e zellshëm e të flaktë të Shqipërisë, e paskëtaj ia kanë vijuar punës për të na mbushur mendjen neve se përderisa këta janë properëndimorë, e meqë këta janë “çuna Tirone”, “çuna bordurash” në kohën e Bllokut, e kështu me rradhë, atëherë njëllok si asokohe edhe sotdita properëndimorizmi i tyre është ekskluziv.

Siç ka qenë atëherë në kohën e Bllokut kur këta mernin pasaporta, viza udhëtonin në Lindje e Perëndim, vishnin xhinse dhe atlete e hanin çamçakëza Spearment, ja kështu ekskluzive i shohin gjërat e tyre edhe në ditët e Rilindjes.

Ne ate kohë gjithë të tjerët që nuk ishin as çuna Tirone, as çuna Blloku, e as çuna Bordurash, ishin katunarë, të pacivlizum, shpellarë, qënie të dorës së dytë.

Ndaj edhe sot, meqë këta janë vetëshpallur me pasion si properëndimorë, kjo patjetër që është një gjendje ekskluzive vetëm e këtyre.

Të tjerët nuk quhen, nuk konsiderohen, nuk mund të jenë.

Prandaj, kush nuk është me këta, ose është antiperëndimor, ose është i marrë. Nuk duhet të jesh kundër këtyre që të jesh antiperëndimor ose i marë.

Mjafton të mos jesh me këta. I ka ekskluziviteti këto kategorizime. E këtu nis edhe bëhet më e rëndë loja. Sepse ky ekskluzivitet i vetëzaptuar, kthehet në propaganda, ligjërim politik, artikuj gazetash, debate analistësh mercenarë, e kështu me rradhë.

Kur këta ishin kundër Perëndimit, këta i qethnin qose ose i përgjonin e rrihnin Ambasadorët e Perëndimit apo Perëndimorët që mernin guximin të vinin në Tiranë.

Tani, çunat e Tirones, i bëjnë shokë dhe i bëjnë shokë ekskluzivë. U duhen Ambasadorët e Perëndimit sepse këta Ambasadorë janë edhe si ALUIZNI i Partnerëve Strategjikë për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm që kanë bërë në mes të Tiranës, Klubin ekskluziv properëndimor të ish çunave të Bllokut dhe Bordurave.

Të shkolluarit në Perëndim, të rriturit me sytë nga Perëndimi ndërsa vuanin persekutimin mizor të rregjimit komunist, pronarët e shpronësuar padrejtësisht nga Diktatura e të keqtrajtuar nga 2 dekada e gjysëm protodemokraci langaraqe e sidomos nga ky ligji i fundit antipronë e antikushtetutë që ka miratuar Shumica e Rilindjes, zërat e lirë dhe të frymëzuar nga parimet e vlerat e Perëndimit, pra 93% e qytetarëve shqiptarë që janë natyralisht properëndimorë, jo të vetëshpallur, por natyralisht properëndimorë, nëse nuk janë me Klubin Ekskluziv të vetëshpallur Properëndimor të ish çunave të Bllokut dhe Bordurave, sipas këtij agjipropi që synon krijimin e dy palëve, konsiderohen si antiperëndimorë.

Fantastike. Artisti bohem anarkiko – komunist Edi Rama, sot është Shefi i madh i Klubit Ekskluziv të vetëshpallur properëndimor.

Ndërsa bijtë dhe nipërit e Familjeve të mëdha të Fisnikërisë shqiptare që në vitet 20 – 30 u shkolluan në Vienë, Paris, Romë, Londër, etj, e që në 50 vitet e Diktaturës komuniste u dergjën burgjeve dhe nëpër internime, meqë nuk janë me Klubin Ekskluziv të ish çunave të Bllokut dhe Bordurave, sot mund të konsiderohen nga propaganda e çunave të Tironës, si antiperëndimorë.

Të mos flasim pastaj për çudinë e çorapeve mediatike e llullave analistike, që meqë u shërbejnë sot çunave të Tironës, u thonë gjithë të tjerëve me laps e mikrofon, nga frëngjitë e tyre mediatike të llogjeqitjes, se kush nuk është me çunat e Tironës, është antiperëndimor.
Paradoks stratosferik.

Është njëlloj si të vijë sot këtu prej andejbotës, i Rilindur, Zhoao Amazona e të na thotë se në kohën e tij, në Brazil ai ishte i vetmi shok i ngushtë i Karterit dhe Reaganit, që ujdiste punët për të mirën e marrëdhënieve Brazil – SHBA.

Ky paradoks, ama nuk mund të na lërë pa e bërë një pyetje të rëndësishme.

Nëse në Shqipëri kemi 93% të shqiptarëve si natyralisht properëndimorë, e kemi edhe këtë Klubin Ekskluziv, tani, të çunave të Tironës që janë legalizuar edhe nga Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vlahutin, përse flitet për 2 palë?
Përse krijohen njëra palë si properëndimore e tjetra si antiperëndimore?

Mos më thoni, se këto dy palë janë krijuar vetvetiu se rezultat i qendrimit mbi Reformen ne Drejtesi, teksa shkaku i disave në pengesën ndaj kësaj Reforme ishte prej krimeve brutale e korupsionit të pamatshëm që kanë bërë në këto 25 – 26 vite.

Mos më thoni se u bënë antireformë dhe antiperëndimorë të gjithë ata që prej korupsionit të lartë që kanë kryer, i kapi frika nga ndëshkimi sepse kanë Qeverisur e Qeverisin në këto 25 – 26 vite, por edhe sepse nuk janë pjesë e Klubit të çunave të Bllokut dhe Bordurave.

Këtë ndarje nuk e ha dot, sepse po qe për korupsion e gjëma, e krime, e ligësi, këta asnjëri prej tyre nuk bën dallimin, të gjithë ata e këta që na kanë qeverisur në këto 25 – 26 vite, janë skandalozisht të zhytur në llum.

Nuk mundet Edi Rama e as legalizuesit e tij, të na thonë se ky është i ndershmi, e të tjerët janë të koruptuarit dhe kriminelët e frikësuar.

Thjesht nuk mundet askush ta thotë këtë.

Sepse Shqipërinë e kemi me horra, trafikantë e vrasës në Kuvend e në Krye të Bashkive, vetëm në sajë të ndershmërisë së Edi Ramës.

Sepse Shqipëria po lulëzon cep më cep, e pllajë më pllajë, e fushë më fushë, e në çuka e gërxhe, ngado e kudo me kanabis.

Ka 1 milion sepse. Aq sa vota ka marë Edi Rama në vitin 2013. Ndaj, ju lutem, mos na nxirrni zorët e barkut duke na thënë se Edi Rama është i ndershmi, e të tjerët janë të koruptuarit dhe kriminelët e trembur.

Ju lutem, na e kurseni këtë maskaradë. Ndaj ti kthehemi thelbit të çështjes e pyetjes sonë. Kujt i inteeson kjo ndarje në këto dy palë? 93% e shqiptarëve janë një shumicë absolute, dërrmuese tërësisht e natyralisht properëndimore. Edhe Klubi Ekskluziv i çunave të Tironës, janë vetëshpallur si properëndimorë e janë legalizuar sit ë tillë nga Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vlahutin.

Atëherë, realiteti antiperëndimor nuk ekziston. Me këto shifra, me këtë natyralitet properëndimor e me këto vetëdeklarime si properëndimorë, nuk mund të flasësh kurrësesi për mundësinë e ekzistencës së ndonjë realiteti antiperëndimor.

Pse kërkohet me kaq ngulm e pse ushtrohet kaq fort kjo propagandë që synon të krijojë me domosdo dy palë? Pse kjo propagandë kaq agresive për të krijuar një realitet që nuk ekziston?

Perse?

Mos vallë, Klubi Ekskluziv i çunave të Tironës, e ka objektiv e qëllimshmëri parësore krijimin e këtij realiteti me dy palë, anipse ky realitet nuk ekziston?

Nëse krijimi i këtij realiteti me dy palë është qëllimshmëri e këtij Klubi Ekskluziv të çunave të Tironës, atëherë pyetja jonë që buçet është kjo:
Atëherë kush janë antiperëndimorët e vërtetë?
Përveçse atyre që duan të krijojnë një realitet me antiperëndimorë, nuk mund të ketë antiperëndimorë të tjerë.

Share: