Home KRYESORE Letra që gruaja e të ndjerit i dërgon ministrit të Shëndetësisë

Letra që gruaja e të ndjerit i dërgon ministrit të Shëndetësisë

Denisa Canameti, shendeti.com.al

Ministri i Shëndetësisë nuk i lexon e-mailet dhe ankesat që i vijnë nga pacientët. Nuk i kthen përgjigje atyre as për kërkesat publike apo personale për ndihmë. Por, tregohet korrekt me fushatën për t’i pyetur për cilësinë e shërbimit në QSUT.

E meqë ministri i Shëndetësisë është kaq i zellshëm për të pyetur, pas skandalit me rastin e nënës së fotografit të mirënjohur Felix Bilani, tashmë i vjen radha gruas së të ndjerit Gëzim H. që në telefon, një muaj pas vdekjes së të shoqit nga kanceri i gjakut, t’i vijë pyetja se si ishte cilësia e shërbimit në QSUT. Teksa i ktheu përgjigje, Valentina 34-vjeçare mori përgjigjen automatike të ministrit “Faleminderit për përgjigjen”.

Ndërsa flet për gazetën “Shëndet+” dhe portalin shendeti.com.al, media që publikoi rastin e të shoqit që në muajin janar të këtij viti, Vali thotë se e ka merak që ministri ta ketë marrë përgjigjen e saj. Ndaj ajo dëshiron ta bëjë publike mesazhin e vet për ministrin Beqaj, që të sigurohet se ministri i Shëndetësisë, përgjegjës për mungesat në spitale që çuan në vdekjen e të shoqit, ta lexojë siç duhet përgjigjen e saj.

Teksti i mesazhit që gruaja e të ndjerit i çoi ministrit Beqaj: 

“Përshëndetje Z.Ministër. Jam nusja e Gëzimit (që po të përgjigjet), sepse Gëzimi na la. Nëse do të bëhej çdo gjë që i nevojitej burrit tim, domethënë transplanti që ai kishte nevojë, sepse ju kam kërkuar ndihmë në rrugë të ndryshme dhe ju nuk keni denjuar të na ndihmoni, atëherë, çfarë mendimi doni nga unë?!

Mos i raftë as hasmit kjo që më ra mua, se ju kam çuar edhe e-maile dhe s’më keni kthyer qoftë një fjalë, se më keni lënë me dy fëmijë të vegjël.

Përveç këtyre, kam edhe vëllanë që është me epilepsi (beqar) me nënën e sëmurë. Çfarë do të bëj unë në këtë gjendje? Çfarë bën shteti për mua dhe familjen time?

Po të ishte gjallë ai, mua s’do më kishte rënë një hall kaq i madh që do ta përballoj vetëm. Por do ta kisha në krah për të qarë një hall dhe për një përkrahje morale. Unë jam 34 vjeç. Ai ishte 45 vjeç e nuk i gëzoi fëmijët e vet”.

Vali e bëri publike rastin e të shoqit në gazetën “Shëndet+” në janar të këtij viti. Ajo denoncoi mungesat në shërbime, paratë e shumta që kishte paguar për të realizuar kurimin, si dhe mungesën e transplantit, të nevojshëm për të shpëtuar jetën e të shoqit.

Share: