Home KRYESORE Mbi autorësinë e krimit ndaj stadiumit Qemal Stafa, ne krye Edi Rama

Mbi autorësinë e krimit ndaj stadiumit Qemal Stafa, ne krye Edi Rama

Nga Fatos Lubonja

Që të kryesh një akt kriminal si shkatërrimi i stadiumin Qemal Stafa, pjesë integrale e Ansamblit të Bozios, i mbrojtur edhe me ligj si monument kulture, nuk është e lehtë. Që të kryhet kjo punë duhet që autori/ët të ketë minimalisht  katër karakteristika:

Së pari duhet të jetë thellësisht injorant.

Së dyti, thellësisht i korruptuar.

Së treti thellësisht mashtrues e i paturp.

Së katërti thellësisht sociopat, delirant megalloman.

Pa çdonjërën nga këto karakteristika ajo masakër nuk do të mund të kryhej. E megjithatë këto janë vetëm kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Sepse, që të kryhet ky akt, duhet edhe një karakteristikë tjetër e rëndësishme: autori duhet të ketë pushtet. Madje të jetë jo më pak se Kryeministër i Shqipërisë.

Dhe këtu vjen e ngatërrohet problemi i autorësisë së këtij krimi. Vërtet ky krim s’mund të ndodhte pa një sociopat si Edi Rama, që po i manifeston përditë e më rëndë karakteristikat që rendita, por problemi është se në këtë vendin tonë  kjo kategori njerëzish, shoqërish të rrezikshëm, që normalisht duhet të përfundojnë në spital, në burg apo në fundërrinat e shoqërisë, tek ne bëhen kryeministra, ministra e me radhë, pra arrijnë të  ngrenë një strukturë pushteti. Dhe të bësh këtë do të thotë të kesh mbështetje nga shumë njerëz. E prandaj a është e drejtë t’i vishet autorësia e këtij krimi, që as në ëndrrat më të këqija nuk e kemi imagjinuar, vetëm një individi, sado i sëmurë psiqikisht dhe moralisht qoftë ai? Kurrsesi jo! Të mendosh kështu është njëlloj sikur të mendosh se Enver Hoxha i bëri krimet i vetëm, dhe thjesht e vetëm ngaqë ishte megaloman, paranojak e delirant. Jo, këtu nuk duhet folur thjesht për një individ kriminal e të sëmurë, por për një shoqëri kriminale e të sëmurë. Prandaj gjykoj se autori është në shumës.

***

M’i ngacmuan këto mendime pamjet e tmerrshme të shembjes së fasadës dhe dy reagime të dy bashkëpunëtorë të Ramës; ai i Artan Lames dhe ai i ministres së kulturës Mirela Kumbaro. Këta thyen heshtjen që ka shoqëruar këtë akt të politikanëve,  oligarkëve, intelektualëve, gazetarëve, biznesmenëve, militantëve që janë baza e piramidës së pushtetit të Ramës, mbi të cilët ngrefoset ky gjel kur bën akte të tilla, duke hedhur madje edhe sharje e ofendime ndaj atyre që e kundërshtojnë. Pyetja e thjeshtë që shtrohet është: a do të mund ta bënte ky këtë krim pa këta? Sigurisht që jo. Mjaft të kesh parasysh se pa paratë e atij oligarkut nga Fieri, deri dje të panjohur, që thotë se do të investojë 50 milion euro, apo pa Dukët, që dikur Berisha i quante “të krimit” dhe që pastaj u kaloi në pronësi stadiumin, ky krim ndaj trashëgimisë nuk do të kryhej. Por këtu nuk dua të merrem me këta që, sëbashku me Ramën, përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje dhe janë një pakicë. Do të merrem me reagimin e Lames dhe të ministres së kulturës që punojnë si të thuash tek superstruktura e këtij krimi, që kanë edhe për detyrë, si eksponentë intelektualë dhe drejtues institucionalë të lançuar nga partia në pushtet,  t’i shpjegojnë publikut akte të tilla.

***

Reagimi i Lames me një fjalë të vetme, “ndjesë”, fliste shumë edhe për këtë kategori pasi ishte edhe heshtje edhe fjalë. Ai vetë njihet si njeriu më me ndjeshmëri dhe kompetencë ndaj trashëgimisë në PS. Qoftë si individ qoftë si kryetar i Forumin të Trashëgimisë ai ka marrë karrigen e përfaqësuesit të PS në debate pa fund në kohën kur kjo ishte në opozitë, duke i bërë njerëzit të shpresojmë se kur ajo të vinte në pushtet, gjëra të tilla nuk do të ndodhnin. Po kujtoj debatet mbi prishjen e piramidës, për planin urbanistik të Bashës, protestat kundër zgjerimit të rrugës së Elbasanit në kurriz të pronës publike dhe trashëgimisë me prishjen e gardhit të periudhës fashiste apo edhe denoncimin e heqjes së kangjellave të larta të oborrit përpara fasadës së presidencës.

E pra Lame është i vetmi ndër ata që “hanë” tek sistemi Rama, që është shprehur publikisht kundër prishjes së Stadiumit. Në mbledhjen që bëri Kryeministri te Hotel Tirana Internacional, ku disa pamje renderash i paraqiti edhe si prezantim  i projektit edhe si dëgjesë publike, edhe si miratim i tij  nga KKT-ja, Lame u ngrit dhe iku në shenjë proteste, se ajo ishte një maskaradë, se u la jashtë me përdhunë shoqëria civile, por edhe sepse gjeli u tha me të tallur të pranishmëve (për turpin e heshtjes së tyre) se ndonjëri aty (e kishte fjalën për Lamen) do të përfundonte prapë në spital nga ai projekt. Ju kujtoj se Lamja kishte qenë në spital, jo pse e kishte kapur diarreja pas dëgjimit të ndonjë logoreje nga ato të shefit të tij, por nga një sëmundje e rëndë që e kishte çuar në prag të vdekjes.

Thënë gjithë kjo nuk mund të mos e pyes Lamen: në emër të kujt kërkon ndjesë o njeri: të vetes, të Rilindësve apo të sociopatit që vazhdon ta mbash mbi supe? Mos do të na thuash: ndjesë se i shkreti nuk di se ç’bën? Dhe pastaj: Për çfarë kërkon ndjesë o Lame?  Që u prish Stadiumi, që ke punuar e punon për pushtetin këtyre që e prishën, se ndjehesh prandaj edhe përgjegjës apo për çfarë. Sepse nuk na mjafton vetëm një fjalë. Përndryshe, ndjesa jote mund të na tingëllojë edhe thjesht si larje goje apo duarsh. Shpresoj se e ke kërkuar sepse direkt apo indirekt, me mbështetjen që i ke dhënë e i jep, ndjehesh edhe ti përgjegjës për këtë masakër. Sepse, sikur ti dhe Shkreli e shumë të tjerë, anëtarë të Forumit tënd të Trashëgimisë, që Rama s’mund t’i akuzonte dot si njerëz të Berishës, siç bën zakonisht për të mbuluar krimet e veta, të kishit protestuar, siç protestuat tek rruga e Elbasanit, kur prishi fasadën e Kryeministrisë dhe interiorin e katit të saj të parë, apo duke dhënë dorëheqjen kur ky vendosi të prishë stadiumin, ky krim s’do të ishte kryer ndoshta. Kurse me heshtjen dhe nënshtrimin tuaj ia lehtësuat punën, i hapët rrugën kësaj masakre dhe shumë të tjerave.  Dhe kjo është çështja e çështjeve sipas meje, kur na duhet të flasim për autorësinë e këtij krimi.

***

Reagimi që flet më shumë se çdo tjetër se nuk duhet e nuk mund t’ua lemë përgjegjësinë ligjore dhe morale vetëm disa injorantëve të babëzitur e të çmendur ishte ai i ministres së kulturës, që drejton institucionin që e paguajmë për mbrojtjen e trashëgimisë. Pas shembjes së fasadës ministrja kërkoi të na shpëlajë trutë duke shkruar në facebook për historinë, sipas saj “fantastike”, të “tempullit Abu Simbel” që medemek paska “ndryshuar vizionin e ruajtjes së trashëgimisë në pajtim me zhvillimin e modernitetit”. (Nuk është kujdesur as të kuptojë se Abu Simbel nuk është emri i tempullit, por i vendit (fshatit)  ku është gjetur tempulli. Po pse të lodhet kaq shumë: në botën e injorantëve, për injorantët jeton e punon.) E pra, sipas saj, ashtu siç u bë projekti i shpëtimit të dy tempujve të Abu Simbelit në Egjypt, pasi mbaroi diga dhe do të lëshohej uji i Nilit, duke i ngritur më lart në kodër, kështu po punohet nga Ministrja jonë edhe me gurët e fasadës së stadiumit. Pra ata po u mbledhkan një nga një për ta shpëtuar fasadën nga përmbytja që do të sjellë stadiumi me kullë që do ngrihet aty. Se ku do futen as ministrja nuk e di, se s’e ka vendosur akoma gjeli në Kryeministri, por ajo di se do të aprovojë  çdo gjë, edhe sikur të hidhen në nevojtore. Ajo di se as duhet të mendojë nëse kishim ne nevojë të ngrinim një stadium me hotele, qendra biznesi, e kulla, e supermarkete, siç kishin egjyptianët për ujët e Nilit, ndërkohë që Tiranë është plot me të tilla, shumica bosh ose të pambaruara. As për faktin se mos kishim një vend tjetër ku të ngrinim një stadium të ri që të mos prekej monumenti që ajo ka detyrë ta mbrojë. E kam shkruar edhe herë tjetër: këta rilindësit janë raca më bastarde e politikanëve që kanë nxjerrë këta 25 vjet pasi këta, pasi të vjedhin e mashtrojnë sy ndër sy, duan edhe të të tallin e të thonë se je një leshko, që nuk e kupton se ata në fakt po punojnë për të mirën tënde, sipas vizionit më modern që ekziston në botë. Ministres do t’i mjaftonte një lexim i ligjit dhe rregullores së trajtimit të monumenteve të kulturës për të mos lëshuar mufka mashtruese të tilla që, përveç të tjerave, rrezatojnë edhe injorancë të madhe në punën që kryen. Sepse ligji parashikon që nuk mund të ndërtosh deri në një distancë të caktuar pranë një monumenti kulture, kurse ajo që po lejon ministrja, duke shkelur ligjin, është ndërtimi brenda një monumenti pasi edhe hapësira midis fasadës së Stadiumit dhe kolonave është pjesë e ansamblit monumental të Bozios. Po ashtu, jo vetëm fasada, me gjithë shkallët dhe me skarpatet e bukura me bar që kishte në dy anët e hyrjes, por edhe vetë ovalja e stadiumit, ka pasur simbolikën dhe harmonizimin e vet në këtë ansambël unikal, e nuk mund të zëvendësohet me një rrotë kaçkavalli të ngrënë nga të katër anët e me një kullë groteske në mes, siç është projekti Rama&Casamonti, që mund ta çosh në çdo qytet të globit dhe të qëndrojë si një “junkspace”, siç i quan konstruksione të tilla arkitekti dhe teoricieni i famshëm danez Rem Koolhaas. Sa për atë që t’i kërkosh ministres të kuptojë se ajo që është bërë me Nilin dhe me tempuj e Abu Simbelit në vitet 60, nuk do të bëhej kurrë sot, – pas mësimeve që ka nxjerrë njerëzimi nga shkatërrimet që i ka sjellë trashëgimisë dhe ambientit kulti i modernizimit, veçanërisht në vitet ’50 – ’60, – se sot bota e kulturuar po i shkatërron digat për t’i rikthyer edhe një herë lumenjtë në rrjedhën e tyre natyrale, është e tepërt për inteligjencën dhe diturinë e saj e të kryeministrit të saj, të atrofizuara me kohë nga sëmundja e pushtetit, parasë dhe vanitetit.

***

Në mes të reagimit njerëzor të Lames, prej të cilit presim, edhe për të mirën e vet, të ndahet nga kjo lukuni kriminale, dhe atij të ministres, që i bëri jehonë Kryeministrisë, duke i zhytur edhe më thellë duart në krim, qëndrojnë shumë njerëz “normalë” që kanë punuar për ta sjellë në pushtet këtë maxhorancë kriminale. Ata në këtë rast heshtën; me një heshtje që mban erë nënshtrim, komprometim, konformizëm, interesa, banalitet, injorancë e çdo gjë tjetër që mund të quhet dobësi njerëzore. Heshtja është forma më e ulët e bashkëpunimit, por është nganjëherë edhe më e neveritëshmja. Pa bashkëpunimin e kësaj kategorie “të heshturish” një individ i vetëm, sado i lik e i marrë qoftë,  sado të poshtër t’i ketë bashkëpunëtorët e ngushtë, nuk do të guxonte as ta gërvishtte atë monument kulture dhe jo më ta shembte.

Prandaj, duke e përgjithësuar problemin,  gjykoj se, që të çlirohemi nga ky regjim ku na sundojnë injorantët, të korruptuarit, mashtruesit dhe të çmendurit, duhet të reflektojmë të gjithë më thellë, mbi atë se ata nuk do të mund ta merrnin kurrsesi pushtetin e të kryenin krime të tilla, që në thelb janë krime kundër dinjitetit dhe lirisë sonë, pa bashkëpunime të tilla të njerëve që shohin vetëm se si t’i përshtaten maskarallëkut dhe jo se si ta sfidojnë dhe ndryshojnë atë. (Panorama, 17 gusht 2016)

Share: