Home KRYESORE Neranxi: “Goro preu në besë himarjotët, pakt me mafiozët që të na...

Neranxi: “Goro preu në besë himarjotët, pakt me mafiozët që të na dëbojnë”

0

Himara kohët e fundit është kthyer në qendër të vemendjes për problemin e pronave ku ju shohim si protagonist. Mund të na thoni diçka më shumë?

Nikollaq Neranxi: Fakti që unë jam një sipërmarrës i njohur në vend, ka bërë që unë të faktorizohem. Sepse në fakt, në problemin e Himarës, unë jam thjesht një nga banorët e dëmtuar, asgjë më shumë. Plani i ri urbanistik i Himarës ka sjellë konfliktin, sepse ai nuk është konsultuar më parë me banorët. Pra banorët janë thirrur në dëgjesa publike, por nuk kanë mësuar realisht se çfarë është ai plan, çfarë do rregullohet, çfarë do prishet. Në shumë prej këtyre mbledhjeve, kam qenë edhe unë prezent. Aty përdoren fjalë të përgjithshme si rivitalizim, rikualifikim, por nuk na është dhënë asnjëherë një projekt konkret në dorë që të shohim deri ku shkon rruga, deri ku shkon trotuari, ku është lulishtja, çdo bëhet me bahçen time, me shtëpinë e komshiut. Kjo bëhet sepse nuk kanë kurajo të na tregojnë të vërtetën.

Dhe cila është kjo e vërtetë sipas jush?

Neranxi: E vërteta është se e gjithë zona buzë detit, nga Spileja deri në Potam, do të rrafshohet dhe rreth 500 familje që banojnë aty, do të ngelen pa shtëpi, pa dyqan, pa prona, pa asgjë. Ato familje nuk do kenë asnjë mundësi se ku të ankohen, sepse nuk kanë asnjë çertifikatë pronësie, asnjë qeveri nuk ia ka dhënë, kështu që automatikisht do i hedhin në rrugë.

Ku e dini ju këtë?

Neranxi: Unë kam kërkuar me insistim ta shoh atë projekt dhe nuk ma kanë dhënë. Kanë shkuar banorët që jetojnë aty për ta kërkuar në Bashki dhe nuk ju a kanë dhënë, ndërkohë punonjës të Bashkisë, në rrugë jo zyrtare, na kanë informuar se do ju shembin çdo gjë, kështu që mos e pranoni, ngrihuni, reagoni! Më pas unë kërkova me insistim ta shoh projektin tek studio Papajani që është zgjedhur për këtë punë dhe aty u vertetua gjithçka. Të gjitha shtëpitë tona shkatërrohen sipas atij projekti. Ata do të fillojnë në ditët e para të shtatorit, të shembin pak nga pak, kur aty të ketë vetëm pleq, sepse dihet që himariotët janë të gjithë në emigracion dhe do t’i dëbojnë pjesë pjesë duke i mashtruar.

Kështu do të zhduket një komunitet që ka shekuj që rri aty, në ato shtëpi shekullore, do të zhduket identiteti i atij vendi, historia e saj. Jam i bindur se krahas përfitimeve ekonomike të cilat do të jenë shumë të mëdha duke grabitur Himarën, dikujt i intereson të realizojë edhe planin e dëbimit tonë.

Pse e keni këtë bindje?

Neranxi: Nga mënyra se si sillen me ne, ku askush nuk na sqaron asgjë, nga fakti që është vënë në punë gjithë makineria e dizinformimit, dhe mbi të gjitha askush nuk na pyeti se si e doni këtë vend, çfarë mund të rregullojmë, tregon se ne jemi të përjashtuar nga çdo gjë, që më pas të dëbohemi. Do kemi mundësi të flasim gjëra konkrete mbi skenarin e dëbimit, pasi nuk është tani momenti.

Po kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, nuk jep asnjë sqarim, as me ju? Dimë që ju jeni investuar që ai të zgjidhet Kryetar Bashkie, madje tek Panorama keni bërë shkrime për të?

Neranxi: Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë dhe nuk do të bëj sulme personale publike ndaj askujt, por vetëm për shkak të detyrës. Unë kam shkruar kundër Bollanos kur ishte Kryetar Bashkie, pikërisht për faktin se nuk po e ndihmonte komunitetin të merrnin pronat. Në Himarë ky është problemi kryesor, nuk mund të flitet për asnjë lloj investimi nëse nuk zgjidhet ky problem. Kur u zgjodh Goro Kryetar Bashkie, unë bëra një shkrim për të dhe e kam mbyllur me këtë fjali: “Nëse ti nuk do t’i mbash premtimet,unë do jem i pari që do të të dal kundër”.

Dhe ja ku jemi pas 5 vitesh ku edhe ai nuk bëri asgjë për pronat tona. Goro ka prerë në besë banorët e Himarës, ai ka rënë dakord me mafiozët që të na përzënë që aty dhe tani pas kaq shumë akuzash publike që i kemi bërë, nuk ka fytyrë të dalë të thotë dy fjalë që të mbrohet. Goro tregoi që mbetet një ushtarak i bindur i shkollës ushtarake të Enverit, që rri gatitu para eprorëve të tij, që nuk ka një personalitet të tij, që mendon se fiton më shumë duke i shkuar në zyrë një deputet dhe një biznesmen që i kërkojnë favore në kurrizin tonë, sesa t’i shërbejë njerëzve që e zgjodhën.

Me 14 gusht ju keni vendosur të mbani një miting në Himarë, çfarë synoni të arrini?

Neranxi: Goro tani që ka rënë në hall, gënjen lart e poshtë duke thënë që projektin e Himarës, vetëm 5 veta e kundërshtojnë se të tjerët e duan dhe po çon njerëz shtëpi më shtëpi që të kërcënojnë himariotët të mos vijnë në miting. Ka falsifikuar firmat e banorëve të cilat i kishte mbi tavolinë studio e projektimit Papajani. Ato janë firma që na janë marrë për prezencën në mbledhje, jo se ne jemi dakord me projektin. Si mund të jesh dakord të të grabisin dhe të të përzënë nga toka jote?! Prandaj ne do i tregojmë në atë miting, pushtetit vendor dhe atij qendror se jemi të bashkuar, të vendosur dhe mbi të gjitha jemi shumë. Ay do iu bëjmë një thirrje të fundit që ta anulojnë atë plan. Nëse nuk do ta bëjnë, pastaj do i drejtohemi rrugëve ligjore.

Ju thatë se jeni thjesht një banor i Himarës që do të dëmtoheni nga ky plan, duke qenë një biznesmen i suksesshëm, si ka mundësi që po investoheni kaq shumë për një shtëpi të vjetër të babait?

Neranxi: Kjo është një pyetje që ma bëjnë shumë vetë. Ajo është shtëpia ku Neranxajt kanë jetuar me shekuj, aty nuk është thjesht vlera materiale, por vlera afektive, aty janë rrënjët e mia, historia ime ndër breza, si një ndër copëzat e historisë së Himarës. Nga ana tjetër, duke e ditur se ata njerëz që jetojnë aty, nuk kanë mundësitë që kam unë për të sensibilizuar mbi problemin, po luftoj kaq shumë. Ndërkohë jam zgjedhur drejtor ekzekutiv në shoqatën Komuniteti Himariot dhe në këtë cilësi, por edhe si biznesmen, kam bërë takime me njerëz të rëndësishëm të diplomacive të huaja për problemin e Himarës që t’i vë në dijeni dhe të këshillohem edhe me ta. Po ju them se të huajt skandalizohen kur e dëgjojnë këtë histori. Ata më thonë që vetëm të çmendurve mund t’ju shkojë në mend të përzënë një komunitet të tërë nga toka e tyre, po na rikthehen skenaret e Hitlerit, ky është skandal!

Po rrugë ligjore do ndiqni?

Neranxi: Pas mitingut, nëse nuk do ketë reflektim, do i futemi rrugëve ligjore dhe jemi të vendosur si komunitet, të çojmë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e skenarit të shbërjes së Himarës. Mbrapa hekurave do të shkojnë të gjithë ata kriminelë të cilët kanë firmosur për të na grabitur dhe përzënë.

Zoti Neranxi, a keni interesa për tu rifutur në politikë dhe kjo mund të jetë një nga rrugët, duke u marrë me kauzën e Himarës pra?

Neranxi: Kam dëgjuar lloj lloj teorish konspirative këto ditë, natyrisht për të bërë pis kauzën tonë. Po ju them se nuk kam asnjë interes të tillë, sepse kam një biznes të suksesshëm, ku kam të punësuar shumë njerëz dhe kam përgjegjësi të mëdha për ta. Punoj nga mëngjesi deri në darkë dhe përsëri nuk mjafton, sepse Shqipëria është vend i vështirë. Nëse do merresha me detyra publike, biznesi im do merrte fund, kështu që unë zgjedh biznesin. Por ama do merrem me shoqërinë civile, me Shoqatën e tregtarëve dhe me problemin e pronave në Himarë. Këto janë detyra të rëndësishme me të cilat unë do të jem gjithnjë përballë pushtetit kur ai na cënon interesat dhe asnjëherë palë me ta.

Share:
Reklama juaj