Home KRYESORE Qiej të largët…

Qiej të largët…

Nga Flutura Acka

Në qiej të largët ti je,
ekzistencë e brishtë, njollë kujtimi.
Mes reve, në gjah jam, të një ylli,
që mund të jetë yti.
Të të prek,
largësinë ta zhbëj, mik.
Nën këmbët e mia,
Detit Jon shtron napën e natës,
eteri u err.
Asgjë më shumë,
veç puhi e frymës tënde,
veç ethe e erosit tënd,
veç ti, ndjesi e përbërë,
nga pejza dhe dëshirim,
prej burri,
prej njeriu,
që jep vlim.
Okër jashtësia,
në okërmuzg dhe thonjtë,
eteri prehet mbretërisë së vet aty, përtej.
Nata ditën çliron nga vargonjtë,
nëpër bruz,
një shqimëz hëne mbet’.
Këmbana të çuditshme,
më ftojnë për flirtin e jermët,
ku arsyeja flak arsyen
humbellës së ndëryejtë.
Ngopur natyre notoj nokturnit,
yshtur largesën ta bëj ca çaste,
dhe ty të mishtë
prani fryme
këtu, rrëzë pafundësisë
mbase.

Nga “Ftesë për flirt”, Skanderbeg Books, 2016

Share: