Home KRYESORE Tangoja e Ramës me Beogradin, në garë për pëlqimin e ndërkombëtarëve!

Tangoja e Ramës me Beogradin, në garë për pëlqimin e ndërkombëtarëve!

Nga Artur Zheji

Kryeministri shqiptar është në një krizë të brendshme politike. Rilindja e tij, programi që e shoqëronte, objektivat dhe arritjet që synonte të mbërrinte janë tashmë një ngrehinë prej kartoni të lagur.

Kompromiset e tij në terren me pjesën laramane dhe gri e të nxirosur të shoqërisë shqiptare, janë të dukshme dhe të prekshme.

Konçesionet në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë së sëmurë shqiptare, e kanë diskretituar atë qartazi edhe ndër radhët e partisë së tij.

Ai tanimë është i pafuqishëm për t’u ringritur në një betejë morale, në emër të një të ashtuquajturi Morali Superior, të tijin personal dhe të stafit që drejton me dorë të hekurt.

Ai nuk ka se çfarë t’u thotë më shqiptarëve në Vitin e tretë të qeverisjes së tij të pasuksesshme.

Rama shpreson vetëm në 2 momente. Në “shpartallimin” e armiqve të tij politikë përmes Vettingut, çmontimit të sistemit të tanishëm të Drejtësisë dhe impiantimin aty, të shpurës së vet të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me sfond politik dhe të komandueshëm.

Momenti i dytë, lidhet me të qënit i pëlqyer nga Ndërkombëtarët, si një komisar i paqes dhe dialogut në Ballkan.

Tanimë ai, është i vendosur të luajë Tangon dyshe me Vuçiç, i cili ka halle të ngjashme me Ramën, në Serbi.

Tangon e Armiqësisë Historike të shndërruar në një Miqësi të re, plot bujë dhe pompë, për t’u pëlqyer në Bruksel, si ‘dancing gentelmen’, i piruetave gjeopolitike. Brukseli dhe Washingtoni e duan paqen në Ballkan dhe kjo është normale.

Rama dhe këshilltarët e tij, kanë vendosur të luajnë me këtë dobësi të ndërkombëtarëve, që të fitojnë në Beograd, kreditet e humbura më së shumti në Shqipëri.

Padyshim që kjo është pjesë e “lojës” politike, madje një lojë e pëlqyeshme, përderisa nuk shkelen disa kufinj.

Njohja e Kosovës nga Vuçiç! Njohja e Krimeve të Luftës në Kosovë! Njohja e detyrimeve ekonomike dhe të dëmshpërblimeve në Kosovë! Zbulimi, denoncimi dhe bërja publike e të zhdukurve shqiptarë në varret masive që gjenden akoma në territorin e Serbisë.

Një e kaluar që lidhet me Krime kundër Njerëzimit, të cilat Ebrenjtë nuk i harrojnë prej 70 vitesh dhe që shqiptarët nuk mund t’i harrojnë dhe aq më tepër t’i falin, për 15 vjet.

Por kjo lidhet edhe me faktin se askush nuk e di, se ku ishte kryeministri i sotshëm shqiptar gjatë luftës së Kosovës. Ku ishte politikisht si zë dhe si mbështetës i asaj Luftë Historike Çlirimtare.

Tani me pikturat dhe Kurbanin, ai kërkon të rrokë faqet e para të gazetave serbe, që përkthehen në anglisht dhe rusisht menjëherë. Por, këto kredite që kërkon ai të fitojë në Beograd, nuk imponohen dot në Shqipëri!

Sepse shqiptarët nuk ushqehen, nuk shkollohen dhe nuk mjekohen dot me pikturat e kryeministrit të tyre dhe me faqet e mbushura me mllef, të librit të vet të vyer./360grade.al

Share: