Home KRYESORE Cim Peka: Ku je ambasadori Lu?

Cim Peka: Ku je ambasadori Lu?

Nga Cim Peka

Ku je fshehur ambasadroi Donald Lu?! Të paktën që nga fillimi i viteve 2000, qeveria dhe opozita kanë pritur me ankth Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi kultivimin dhe trafikun e drogës.

Raporti është konsideruar si dokumenti më serioz dhe i paanshëm, dhe rrjedhimisht është përdorur nga çdo qeveri si dëshmi e sukseseve në luften ndaj drogës, po ashtu edhe opozita ka e studiuar me pikë e presje për të gjetur vërejtjet.

Misioni policor amerikan ICITAP, ka qenë aq prezent në ndihmë, asistencë dhe kritikë ndaj Policisë së Shtetit, sa që edhe struktura e policisë rrugore nuk miratohej po të mos ishin ata dakort. Lëre më pastaj, gradimet, marrjen në punë, apo të tjera si këto.

Tashmë e gjithë kjo duket e kaluar. Vetëm në vitin e parë te mandatit socialist, u hoqën mbi 600 oficerë policie si dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit. Asnjë fjalë nga ICITAP. Asnjë fjalë nga ambasada.

Te thuash se amerikanët në Tirane nuk e dinë se çfarë po ndodh me policinë e shtetit, kultivimin e drogës apo rolin e policisë është e kotë. Ata dinë më shumë, e me mirë e saktë se ne. Pyetja më e natyrshme që duhet të drejtohet sot, i duhet drejtuar ambasadorit Lu: çfare po ndodh zoti ambasador?

A nuk ishe ti ‘”babai i Reformës në Drejtësi’?

A nuk ishe ti që kërcënove deputetët që nuk votonin reformën?

A nuk je ti, i kudogjenduri, i kudo shprehuri, edhe për gjëra qe nuk kanë lidhje as me diplomacinë, as me marrëdhëniet midis dy vendeve?

Të gjthë po presin që ti të flasësh. Edhe kryeministri, ta la ty topin në derë.

Heshtja u hap rrugën shumë pikëpyetjeve dhe pse jo, edhe teorive konspirative.

Nëse nuk flet për drogën, atëherë hesht për gjithçka tjetër, edhe për reformën, edhe dekriminalizimin, edhe Al Kaponet shqiptarë, edhe për demokracinë, edhe për vlerat që perçon Amerika, kudo në botë…

Share: