Home KRYESORE Desada Metaj ne mbrotje te prokurores Rovena Gashi

Desada Metaj ne mbrotje te prokurores Rovena Gashi

Nga Desada Metaj 

Hera e dytë që prokuroria e përgjithshme prezantohet në debat më një grua pas ish kryeprokurores Ina Rama. Kjo ndodhi mbrëm në emisionin “Opinion”, kur prokurorja Rovena Gashi, shefe e sektorit të jashtëm në këtë institucion u ballafaqua me të ftuarit e tjerë për çështjen e kërcënimit të prokurorit të përgjithshëm, por dhe për punën e bërë nga prokuroria për zbardhjen e çështjeve delikate kryesisht ato të krimit të organizuar.

Është mëse normale që dikush që vjen për herë të parë në një format të tillë televiziv të ketë emocione, ose qoftë edhe për shkak të detyrës të rezervohet në ndërhyrjet në debat. Kjo ndodhi mbrëmë edhe me zonjën Gashi, që foli në minutën e 30-të të emisionit, ndoshta jo vetëm për mungesën e argumentave por edhe pse çështja trajtohet si konfidenciale.

A ka probleme komunikimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve përgjegjëse për sigurinë e jetës së Adriatik Llallës? A ka gjysmë të vërteta në këtë ngjarje? Sa e aftë dhe efiçente ka qenë dhe është prokuroria për zbardhjen e ngjarjeve kriminale? Këto dhe shumë të tjera janë përgjigje që zonja në studio nuk mundi t’i përgjigjej jo vetëm për shkak të konfidencialitetit, por dhe për arsye të tjera të ngjyrosura edhe me politikë. A ishte mënyra e zgjedhur prej saj më e mira? Edhe kjo është çështje që e gjykon publiku që e ndjek debatin. Personalisht do të preferoja që në vend të saj të ishte dikush që mban më shumë përgjegjësi dhe di të komunikojë më qetë me gazetarët përballë. Por gjithsesi, nuk mund të pajtohem me histerinë shpërthyese ndaj një zonje qe në një panel dinjitoz nuk përfaqësonte asgjë më shumë se institucionin ku punon.

A është prokuroria një institucion i dobët?

Ndoshta po, ndoshta shumë gjëra janë lënë në mes ose nuk janë nisur fare, por kjo nuk do të thotë që duhet të fërkojmë barkun pse është kërcënuar familja e prokurorit të përgjithshëm.

Nuk na pëlqejnë lëvizjet dhe ngjyrimet që ka marrë institucioni i akuzës? Ndoshta po, por askush nuk mund të marrë përsipër të njollosë dhe të zhgërryejë lapsin me jetën personale të një zonje që për më tepër është nënë e dy fëmijëve. Çdo gjykim profesional apo etik për prezantimin e saj në publik është mëse normal dhe profesional.

Madje edhe gjykimi për flokët apo këpucët. Ky është haraçi që paguajnë ata që dalin në gjykimin e publikut.

Por më shumë se e tepruar është vala dhe llumi që kaplon ata që duan me patjetër të të tregojnë moralin në një vend ku frustrimet seksuale të meshkuve por dhe femrave shpërthejnë kur kanë përpara një grua pa mekanizma mbrojtëse nga kjo histeri gati kolektive.

Se çfarë bëjnë zonjat e administratës ne jetën private deri kur kjo nuk cënon punën e institucionit janë gjëra krejt të pavlera për publikun, veç atyre që vuajerizmin tek parku i liqenit e kanë zhvendosur nëpër portale.

Ka rënëdësi vërtet jeta personale e kryeministrit,ministrave, zyrtarëve të lartë të shtetit, përfshirë dhe kryeprokurorin, por me ta nuk merret seriozisht njeri, veç thashethemeve dhe gjysmë të vërtetave që vërviten nëpër tavolina. Kjo sepse ata kanë para dhe pushtet mbi median dhe gazetarët për t’i bërë të padukshme zullumet e tyre dhe për të hedhur si pre emra thuajse të panjohur dhe që ngjallin kuriozitet për pak orë.

Sepse të vërtetat e mëdha personale të pushtetit mbeten gjithmonë pa u thënë e shkruajtur veç rasteve kur ai që vendoset në shenjëstër është ose i pambrojtur ose i kaq i padobishëm sa askush nuk e do më nëpër këmbë.

Share: