Home KRYESORE Ilir Meta 123 mijë dollarë për lobingun e vizitës në SHBA

Ilir Meta 123 mijë dollarë për lobingun e vizitës në SHBA

Nga Besar Likmeta/BIRN

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, tregojnë që vetëm gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2016, partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpenzuar 123, 761 USD në favor të kompanisë amerikane të lobimit Global Security and Innovative Strategies, GSIS. [Kliko këtu për dokumentin]

Pagesat e majme për lobuesin amerikan kanë bërë që zëri i llogaritur për konsulenca dhe sondazhe në projektbuxhetin e vitit 2016-të të Lëvizjes Socialiste për Integrim të trefishohet, nga 5 milion lekë në 15 milion lekë, duke zënë 26.1 % të shpenzimeve të deklaruara të partisë.

GSIS është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë, si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe David Aguilar – ish kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit në SHBA.

Në formularin e saj si agjent i huaj të depozituar me Departamentin të Drejtësisë në SHBA, GSIS ka nënvizuar se e ka “këshilluar LSI-në në lidhje me marrëdhënien e saj me qeverinë e SHBA-së dhe liderët politik të saj, ndërkohë që Republika e Shqipërisë bënte progres me reformën kushtetuese si dhe modernizimin e ekonomisë.”

Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti në SHBA.

Të dhënat e Departamenti të Drejtësisë, tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij në Uashington nga 11 deri në 16 maj, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor. Ndërkohë kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik.

GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.

Me asistencën e GSIS, Meta është takuar me 11 maj me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, z. Pete Sessions dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Michael McCaul.

Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Kuvendit, gjatë takimit është diskutuar mbi “çështjet dhe prioritetet e sigurisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përforcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të luftës kundër terrorizmit, me vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe lindjen e mesme.”

Gjatë të njëjtës ditë në Uashington, kompania e tij lobuese i ka siguruar kryetarit te LSI-së një takim me kreun e Nënkomisionit për Bujqësinë në Kongresin Amerikan, Robert Aderholt, si dhe me Administratorin e Shërbimit të Jashtëm në Departamentin e Bujqësisë, Phil Karstings.

Me 12 maj me ndihmën e GSIS, Meta ka drekuar dhe ka mbajtur një fjalim përpara anëtarëve të Qendrës Truman për Politika Kombëtare si dhe është takuar me Asistent Prokurorin e Përgjithshëm, Bruce Swartz.

Vizita e Metës në SHBA ka vazhduar në 13 maj me një ndalesë ne fondacionin “Heritage,” dhe më vonë takime me kongresmenin John Katko. Në të njëjtën ditë ai është takuar me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Hyot Lee, si dhe Zv/Sekretarin Alan Bersin nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Meta e ka finalizuar vizitën e tij në SHBA me 16 maj, me një takim me senatorin John Cornyn dhe një fjalim në Institutin për Politka Progresive – edhe ky i fundit i siguruar nga kompania e tij e lobimit.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta është rikthyer në Uashington për një vizitë të dytë në datat 6-8 qershor, ku takimet e tij me zyrtarët amerikanë janë ndëmjetësuar përsëri nga GSIS. Gjatë kësaj vizite Meta është takuar me zv/Sekretarin William Brownfiled në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësuesit tregtarë të SHBA, Timothy Wedding dhe Bill Moller.

Në fund të vizitës së tij të dytë në Uashington brenda një periudhe 1 mujore, Meta ka marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët në universitetin “George Washington”

Ndërkohë, vizita e Panaritit në SHBA është realizuar një muaj më vonë, kur me ndihmën e GSIS në 12-13 korrik ai është takuar me Phil Karstings nga Departamenti i Bujqësisë dhe kongresmenin Robert Aderholt.

PD: kosto zero, zero rezultate

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ishte e vetmja parti politike shqiptare që ka zgjedhur të angazhojë një kompani lobimi në SHBA gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që edhe kompania Podesta Group është regjistrua si lobist i Partisë Demokratike për periudhën 1 mujore nga 15 marsi në 15 prill, e cila ka përkuar me vizitën e liderit të PD Lulzim Basha në SHBA.

Por ndryshe nga lobisti i LSI-së, Podesta Group nuk ka raportuar pagesa nga Partia Demokratike, dhe aktiviteti i saj në shërbim të klientit ka qenë shumë më i kufizuar. [Kliko këtu për dokumentin]

Sipas formularit si agjenti i huaj të depozituar nga Podesta Group me Departamentin e Drejtësisë, kjo e fundit e ka këshilluar Partinë Demokratike “mbi politikën e jashtme të SHBA-së, si dhe ka informuar zyrtarë të Ekzekutivit mbi zhvillimet në Shqipëri.”

Në këtë drejtim, përfaqësues të Podesta Group kanë dërguar 2 emaile dhe kanë mbajtur dy takime me Ana Makanju dhe Victoria Taylor, nga zyra e Presidentit Barack Obama.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës me 18 mars, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se Partia Demokratike nuk po paguante për kontratën me Podesta Group.

“Kompania është kompani që e ka mbështetur më parë Shqipërinë dhe do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në atë që bën. Për këtë kontratë nuk do shpenzojë asnjë shumë,” tha Basha.

“Është një kontratë që nuk ka faturë financiare, por është një angazhim për një çështje parimore si zgjedhjet e lira që nuk i vlejnë vetëm PD, por edhe PS-së,” përfundoi kreu i PD-së./ Besar Likmeta

Share: