Home KRYESORE Ka konsensus PS-PD për Strukturën Kombëtare të Hetimit të Korrupsionit

Ka konsensus PS-PD për Strukturën Kombëtare të Hetimit të Korrupsionit

Duket se në datën 6 tetor, mes 6 ligjeve për Reformën në Drejtësi, njëri do të jetë i votuar me konsensus. Ai është ligji për SPAK-un, që rregullon funksionimin e Prokurorisë së posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale, përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Arritja e akordit u la të kuptohet gjatë një replike në Parlament mes Edi Ramës dhe Oerd Bylykbashit.

“Tani, ajo që unë e garantoj Edi Ramën është se ai duhet të shqetësohet shumë për këtë ligj, që po përfundon ashtu siç ai nuk e deshi. Shumë shpejt, ligji do të vijë këtu i plotësuar, ashtu siç nuk e deshi, sepse për fat, OPDAT-i ia hoqi kthetrat nga ligji i ‘vetting’-ut”, u shpreh Bylykbashi.

Top Channel e konfirmoi arritjen e marrëveshjes mes opozitës dhe ekspertëve amerikanë, të cilët janë bashkautorë të ligjit për SPAK-un. Nga 3 çështjet e kundërshtuara prej demokratëve dy javë më parë, ishte lënë pa zgjidhur vetëm njëra prej tyre, ajo që lidhej me shqetësimin e opozitës për ndikimin e qeverisë në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të SPAK-ut.

Sipas opozitës, qeveria mund ta bënte këtë nëpërmjet rolit vendimmarrës të dy institucioneve në varësi të saj, që do të kontrollonin pasurinë dhe figurën e kandidatëve për anëtarë të strukturave të SPAK-ut.

Top Channel mësoi se marrëveshja bazohet tek amendamenti i paraqitur nga opozita në mes të shtatorit, duke ia lënë këtë detyrë fillimisht organit që do të bëjë “vetting”-un dhe më pas një komisioni “ad hoc” të përbërë nga anëtarë të 3 strukturave të SPAK-ut./Lapsi.al

Share: