Home KRYESORE Klemend Balili shëtit i lirë, feston me kryetarin e PS-së në dasmën...

Klemend Balili shëtit i lirë, feston me kryetarin e PS-së në dasmën e drejtorit të Transporteve

0

Klemend Balili i pagëzuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” shëtit i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjensitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ekziston një urdhër-arresti nga policia greke.

Burime të sigurta të Lapsi.al tregojnë se mbrëmë Balili ka festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasëm.

Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që e mbante Kel Balili përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke si kreu i një bande që trafikonte drogë në Evropë. Por lidhjet nepotike shkojnë edhe më tej, drejtori i Transporteve është gjithashtu edhe nipi i bashkëshortes së Klemend Balilit.

Por më e rëndë në këtë situatë është fakti që policia shqiptare, e cila ka për detyrë të arrestoje Klemend Balilin për llogari të palës greke që e ka shpallur në kërkim, nuk po e bën këtë gjë. “Eskobari i Ballkanit” shëtit i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush.

Burime të sigurta të Lapsi.al japin edhe një detaj tjetër nga dasma e mbrëmshme në resortin luksoz të Balilit. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi.

Me këtë të fundit është çuar edhe disa herë në valle dhe ka festuar deri në mëngjes. Dino Selimi mban postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.

Lapsi.al u interesua nëse Klemend Balili është ende në kërkim nga policia shqiptare. Burimet thanë se urdhëri i arrestit ka afat 30 ditor dhe se qëllimisht policia shqiptare nuk e ka përtërirë, edhe pse e ka për detyrë të bëjë dicka të tillë. Policia shqiptare ka detyrimin ta arrestoje Klemend Balilin për llogari të palës greke, e cila e ka ende në kërkim. Emri i Balilit doli në skenë nga autoritetet greke, pas një operacioni të gjerë antidrogë.

Ai përmendet si financuesi i një rrjeti kriminal që trafikonte drogë në vende të ndryshme të Evropës. Në raportimet e para CNN grek e pagëzoi atë si “Eskobarin e Ballkanit”, ndërsa theksonte lidhjet e tij të fuqishme politike në Shqipëri që e mbronin në aktivitetin e tij kriminal në trafikun e drogës./LAPSI.AL/

Share:
Reklama juaj