Home KRYESORE Ligji “Rama” e ul kontrollin mbi importin e plehrave më shumë se...

Ligji “Rama” e ul kontrollin mbi importin e plehrave më shumë se ligji “Berisha”

Ligji i importit të plehrave i amenduar nga qeveria Rama javën e shkuar është në disa aspekte më liberal edhe se ai i qeverisë Berisha duke lehtësuar importin e plehrave.

Ndërsa lejimi i importit të plehrave ka ngallur reagime dhe revoltën e shumë qytetarëve, Kryeministri Rama është duke u përpjekur t’i qetësojë ata duke argumentuar se ligji dhe zbatimi i tij nuk do të kenë asnjë pasojë apo ndikim negativ.

Një nga linjat e propagandës së Kryeministrit është se ligji i sapomiratuar ndryshon rrënjësisht nga ai i qeverisë Berisha. Po sa e vërtetë është kjo? Exit shpjegon më poshtë.

Që në fillim duhet venë në dukje se nuk bëhet fjalë për një ligj të ri, por për amendimin e Ligjit 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Në variantin origjinar të qeverisë Berisha, në një kapitull të veçantë ky ligj trajton importin dhe eksportin e mbetjeve.

Pikërisht, nenet që parashikonin dhe rregullonin importin e mbetjeve—rreth 4 nene nga 69 nene të ligjit—u shfuqizuan nga qeveria Rama në shtator 2013, duke ndaluar praktikisht importin e çdo lloj mbetjeje në vend.

Por nenet që i hoqi në vitin 2013, qeveria Rama i riktheu në ligj para një jave, të formuluara, më së shumti, në mënyrë identike me variantin origjinar të qeverisë Berisha.

Amendimi i fundit ka, sidoqoftë, disa ndryshime të cilat shpjegohen më poshtë në detaje.

Dy ndryshime kanë qartësisht ndikim negativ, pasi e lehtësojnë procesin e importimit dhe ulin kontrollin qeveritar mbi të, krahasuar me variantin origjinar:

  • Me ligjin e qeverisë Berisha autorizimi i kompanive për të importuar jepej me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa me ligjin e qeverisë Rama autorizimin e jep Ministri i Mjedisit.
  • Me ligjin e qeverisë Berisha autorizimi i importit ishte i vlefshëm vetëm për 1 vit dhe duhej të rinovohej në fund të tij, ndërsa me ligjin e qeverisë Rama autorizimi është i vlefshëm për 2 vjet.

Një ndryshim tjetër, në dukje i madh nga ai i variantit origjinar por në analizë vetëm kamuflim propagandistik, është ai nenit që sanksionon llojet e mbetjeve të lejuara për importim, pra Neni 62. Në Pikën 1, ky nen shprehet:

Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji.

Në variantin e qevrisë Rama, kjo pikë është ndryshuar si më poshtë:

Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.

Edhe pse duket sikur variantet e këtij neni ndryshojnë shumë, në praktikë nuk ato kanë asnjë efekt të ndryshme, sikurse shpjegohet më poshtë:

  1. Qeveria Rama ka shtuar se mbetjet do të bëhen vetëm nga “lista e gjelbër”. Por teknikisht dhe ligjërisht ky term është i njejtë me termin “jo të rrezikshme” që i paraprin në tekst, prandaj shtimi i tij nuk shton asnjë kufizim në ligj. Termi qartasi është përdorur për qëllim keqinformimi propagandistik. Madje nga pikëpamja e teknikës ligjore ai nuk mund të përdorej pasi domethënia e tij nuk është përcaktuar nga vetë ligji, në Nenin 3 të tij, “Përcaktime”.
  1. Amendimi i qeverisë Rama ka shtuar gjithashtu arsyen e importit, i cili mund të bëhet “për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria.” Çfarë do të thotë kjo?

Për qëllime ricklimi është e qartë—importimi i mbetjeve të letrës, aluminit, qelqit, drurit, plastikës etj për të riprodhuar të njejtat materiale. Kjo pjesë nuk ka asnjë ndryshim nga ligji i mëparshëm i qeverisë Berisha.

Për qëllime të përdorimit si lëndë e parë dytësore apo përdorimit si zëvendësues do të thotë se mbetjet e importuara mund të përdoren në një gamë të gjërë procesesh; ndër to mund të përmendet përdorimi për energji, pra djegien e plehrave për të prodhuar energji, e cila është lëndë e parë dytësore për çdo industri—sikurse ka qenë qëllimi i projektit të qeverisë Nano i vitit 2004; si dhe përdorimi i tyre si lëndë djegëse në industri të ndryshme, si për shembull për furrat industriale—në fakt përdorimi kryesor i rrotave të makinave dhe materialeve të ngjashme është në furrat e industrisë së prodhimit të çimentos.

Edhe këto përcaktime, në dukje të reja dhe kufizuese të qeverisë Rama, nuk sjellin ndonjë kufizim të ri shtesë nga ligji i mëparshëm.

  1. Çështja e mos ndryshimit të kufizimeve është e qartë nëse krahasohen të dy variantet që përcaktojnë kufizimin, pra Nenin 48. Pika 1 e Nenit 48 është identike në të dy variantet:

Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa pika 3 e këtij neni shprehet se:

Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë.

Varianti i qeverisë Rama ka shtuar termin “incenerim”—në shqip djegje— i cili nuk shton asnjë kufizim shtesë duke qenë se incenerimi është thjesht një formë asgjesimi apo shaktërrimi—madje inceneratorët fillimisht u quajtën shkatërrues dhe më pas u përdor termi incinerator.

E vetmja “risi” në amendamentet Rama është futja e një klauzole qesharake dhe praktikisht të pazbatueshme që u jep të drejtë organizatave të shoqërisë civile “të monitorojnë” futjen e mbetjeve në dogana; sikurse edhe disa përcaktime të përgjithshme se ku duhet të zhdoganohen mbetjet dhe se futja e tyre duhet të monitorohet.

Ndryshimi i fundit që sjellin amendamentet është rritja me 2 milionë lekë e dënimit për ata që shkelin ligjin dhe importojnë mbetje të rrezikshme në vend, një dënim që ishte qesharak dhe mbetet njësoj qesharak.

Në thelb, për nga efektet praktike, varianti i qeverisë Berisha dhe ai i qeverisë Rama janë identikë, madje varianti Rama, praktikisht, u jep disa lehtësi më të mëdha importuesve, duke zgjatur afatin e lejes dhe duke e çliruar marrjen e lejes nga kërkesat dhe proçedurat më strikte dhe transparenca e domosdoshme që kërkon një vendim qeverie në krahasim me një vendim ministri.

Tabela e mëposhtme jep një përmbledhje të plotë krahasuese të përcaktimeve ligjore që kanë të bëjnë me importin e plehrave në të tre variantet e ligjit—ndryshimet janë theksuar me ngjyrë blu dhe nënvizim._exit.al

screenshot-2016-09-26-13-48-10

Share: