Home KRYESORE Më iku trishtimi. Se fola me nënën…

Më iku trishtimi. Se fola me nënën…

Nga Agim Xhafka

Kur je jashtë Shqipërisë çdo ditë të troket malli si breshër kokërrmadh. Për njerëzit më të dashur së pari. Për motrën,më të dashurën,më të përkushtuarën. Ndaj rrëmben kompjuterin dhe në skype bla,bla,bla. E qesh ,e qesh,e qesh.

Po njësoj me vëllain, hallën, xhaxhain, shokët, miqtë,…

Pastaj të vjen si vegim nëna, si valë e butë deti, si vello që bije mbi supe të lakuara nusesh e…ngec. Në grykë të bëhet komb. Nuk të shpëton as skype,as celulari. Nis e si fillim të dridhet buza,sytë njomen e malli vërshon në tru si magmë vullkani.

Fryma ndalet,nis vetiu monologun. I vetmi që të shpëton. Ilaç i shpirtit:

-Nëna ime e bukur,nuk të kam dashur sa më ke dashur. Nuk dhashë dashuri sa më dhe. Nuk të dëgjova sa më dëgjove. Nuk këndova sa më këndove. Nuk të ledhatova sa më ledhatove.

Po,e vërtetë,kështu ndodhi. Bërtisja kur më këshilloje. Plot nerva kur më kërkoje të shkoja një herë për qumësht a vajguri. Të nënvlerësoja kur më shaje për cigaren. Britma në qiell kur nuk kishe ca të holla për mua si pare xhepi.

Nënë unë e di që më ke falur,por veten e dënoj çdo ditë. Se do derdhja dy pika lot më pak po të të dëgjoja më shumë. Por mos u merakos. Se u bëra i mirë. I drejtë e punëtor. I respektuar e i nderuar. E lashë cigaren. Edhe alkoolin. I lashë të gjitha veset. Dhe doja të ishe gjallë që të mburresha.

Por ti më dëgjon. Se ky rrëfim është shmallja me ty. Ja,tani ndjehem mirë. Më iku trishtimi. Se fola me nënën. Do lidhemi prapë nesër. Mos e mbaj mbyllur “telefoni”!

Natën,mëma ime bukur. Good night,i themi në Amerikë. Mos u mërzit se do të t’i mësoj ca fjalë anglisht. Pa merak.

Share: