Home KRYESORE “Pazaret e Ramës dhe Besos së Taiwanit si edhe 600 milionë euro!”-...

“Pazaret e Ramës dhe Besos së Taiwanit si edhe 600 milionë euro!”- syri.net

Nuk dihet se si i kanë bërë hesapet dhe pazaret mes njëri tjetrit, kryeministri Rama dhe biznesmeni i tij i preferuar Besnik Sula me kompaninë e përpunimit të naftës ARMO, por problemet e kësaj skeme të dyshimtë kanë nisur që në fillim. Borxhlinjtë më të vegjël privatë ndaj të cilëve ka detyrime të vjetra ARMO, kanë nisur të kërkojnë shlyerjen e tyre, pikërisht nga pronari i ri Besnik Sula.

Rafineria ARMO aktualisht është borxhliu më i madh në vend, ndaj shtetit, bankave dhe të tretëve me një detyrim gjigant prej 595 milion dollarësh, shumica kundrejt shtetit.

Duket se meqenëse shteti këtu në Shqipëri nënkupton vetëm Edi Ramën, Besnik Sula ka qenë i qetë në marrjen në shfrytëzim të këtij aseti publik të keqmenaxhuar ndër vite, por i çuar në fund fare që nga viti 2014.

Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do ti shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama.

Në këmbim të kësaj, siç deklaron edhe vetë Bankers, qeveria i ka dhënë të drejtën e shpimit kompanisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, si dhe tërheqjen e një pjese të madhe të prodhimit të naftës të Patos-Marinzës, e cila i përket Albpetrol-it.

Pra Rama i ka siguruar lëndën e parë me naftë vendase Besnik Sulës, duke bërë një pazar me Bankers. Nafta e përpunuar nga ARMO me pronar të ri njëkohësisht do ta ketë të garantuar tregun e shitjes në vend. Edhe për këtë është kujdesur personalisht kryeministri Rama. E gjithë flota automobilistike e shtetit do të furnizohet me këtë naftë, por leje pa kufi tregëtimi kjo naftë do të ketë edhe për shitjen nga disa operatorët privatë të përzgjedhur.

Për të garantuar fitimin gjigant që pritet nga kjo aferë e fundit, Rama i ka dhënë një kompanie tjetër offshore, Ionian Gas, të krijuar së fundmi po nga Besnik Sula, fushën më të madhe gazmbajtëse në vend, atë të Delvinës, për vetëm 12 milion dollarë. Në qoftë se pazari i parë i qeverisë me Bankers është zbardhur, ende ngelet mister kompania e panjohur ofshore turke, Transatlantic Petroleum, e cila i shiti kompanisë së Sulës, plot 75% të aksioneve të fushës gazmbajtëse, nga më të mëdhatë në Europë.

Pavarësisht nga dyshimet e shumta dhe faktet që u nxorrën në media për aferën gjigante të Ramës me Besnik Sulën, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ka nisur puna, nga ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka asnjëlloj informacioni se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re offshore “Rama- Sula” me rafinerinë ARMO.

Konçesioni i Delvinës është pasuria e dytë natyrore, që miku i afër i kryeministrit, mori brenda pak ditësh. Të dyja këto kontrata, janë një objekt i mirë dhe i detyrueshëm për hetim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe veçanërsiht për prokurorinë.

Pika më e errët është ajo, se si do të veprohet me borxhin 595 milon dollarë që ka ARMO.

Por edhe për këtë duket se është menduar, nëpërmjet një skeme tashmë të dekonspiruar.

Kompani ofshore, të panjohura dhe pa kapitale, blejnë ose marrin me qera konçesionet ekzistuese, por në të gjitha rastet, anashkalohen borxhet e mëdha ndaj shtetit, duke u futur garant vetë qeveria. Të mos harrojmë që të gjitha këto lloj biznesesh janë të gatshme në gjendje pune dhe investimi shtesë është shumë i vogël që ato të nisin të nxjerrin fitime të pastra.

Fillimisht të gjithë e quajtën të “çmendur” këtë lëvizje të Besnik Sulës me kompaninë ARMO me rreth 600 milionë dollarë borxhe, por harrohet se në kontratën e cila mbahet e fshehtë, është parashikuar që kompania e tij nuk ka detyrime për sa kohë do ta shfrytëzojë rafinerinë, të paktën ato ndaj shtetit. Dhe këto borxhe përbëjnë gati 70% të totalit, pjesa dërrmuese si detyrime ndaj organeve tatimore dhe Albpetrolit.

Ashtu si ARMO, edhe kompania tjetër e panjohur turke që posedonte deri tani fushën gazmbajtëse të Delvinës, të cilën “e bleu” Besnik Sula, ka dhjetëra milionë dollarë detyrime të papaguara ndaj shtetit. Por duke se edhe këto detyrime do të mbeten jetime. Vendburimi do të shfrytëzohet nga blerësit e rinj, kurse qytetarët nuk do të arkëtojnë asnjë lek nga shfrytëzimi i pasurive të tyre kombëtare.

Deri këtu duket se gjithçka ka shkuar sipas planit, por ARMO borxhin nuk e ka vetëm ndaj qeverisë (për këtë pikë kujdeset personalisht Edi Rama), por edhe ndaj bankave dhe komanive të treta. Pikërisht disa nga këto biznese, sapo ARMO ka nisur punën në 1 shtator janë hedhur në veprim për ekzekutimin e borxhit që ajo u ka.

E para ka qenë shoqëria FIT-MEK-Oil, operator i tregtimit me shumicë të naftës, i cili ka kërkuar ekzekutimin e titullit ekzekutiv për një detyrim prej rreth 9 milionë eurosh.

Më 7 shtator, zyra përmbarimore Kodra Bailiff Service ka kërkuar për llogari të tregtuesit të naftës FIT-MEK-OIL ekzekutimin e titullit ekzekutiv në mënyrë vullnetare për shlyerjen e detyrimit kundrejt palës kreditore prej rreth 1.28 miliardë lekë (rreth 9 milionë euro). Titulli ekzekutiv bazohet në një deklaratë noteriale të marsit të vitit 2014. ARMO ka 10 ditë kohë për të bërë derdhjen e detyrimit, përndryshe kalohet në ekzekutim të detyrueshëm.

Pas saj edhe Tirana Bank, ka depozituar përmes Shoqërisë Përmbarimore TDR Group, shpalljen në ankand të një sërë pasurive të ARMO, si një truall prej 28 mijë metra katrorë dhe Degën e shpërndarjes së karburantit me sipërfaqe 1.600 m2 në Lagjen 1 Maji në Fier, me një çmim prej rreth 96 milionë lekësh. Ankandi zgjat deri në datën 20 shtator, por sipas informacioneve dështimi i këtij ankandi është i sgurtë. Kërkesa e Tirana Bank ka ardhur pasi ARMO, me dorëzanës “Anica mercuria refinery Associated” dhe “Deveron Oil Albania” nuk ka kthyer kreditë dhe shtojcat e kredisë përgjatë viteve 2013- 2015.

Disa muaj më parë ishte një tjetër bankë, Raiffeisen Bank e cila nuk arriti të shesë në dy ankande pasuritë e nxjerra në shitje për një kredi të papaguar nga ARMO prej rreth 20 milionë euro.

Mësohet se nga totali i detyrimeve, afërsisht disaqindra milion dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim- taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit direkt i ka të paktën 100 milionë euro.

E gjithë loja është te fakti se kush do t’i paguajë tani pas 1 shtatorit këstet e kredive të marra në banka të ndryshme. Syri. net ka mësuar se për çdo veprimtari të para 1 shtatorit të këtij viti, kompania ARMO do të konsiderohet “shtetërore”, pra edhe detyrimet e kësaj periudhe i faturohen taksapaguesve shqiptarë. Kurse fitimet nga prodhimi dhe shitja tashmë e garantuar pas kësaj date, do t’i kalojnë kompanisë së Besnik Sulajt. E njëjta gjë vlen edhe për fushën gazmbajtëse të Delvinës.

Meqenëse qeveria vazhdon ta mbajë sekret marrëveshjen për ARMO, disa banka apo operatorë “të tretë”, sapo mësuan lajmin e ndryshimit të pronarit, kanë nisur të kërkojnë te ai borxhet e shumta.

Por shumë shpejt do të kthjellohen edhe ata. Dikush do t’u trokasë në derë që t’u thotë, se Besnik Sula ka punë vetëm me fitimet e ARMO-s, kurse për borxhet pret koha, taksapaguesit “punojnë” çdo ditë për ta zgjidhur edhe këtë problem të vogël, “ku ka ngecuar sharra ditët e fundit”. /marrë nga syri.net/

Share: