Home I pakategorizuar Sa besojnë tatimpaguesit te administrata tatimore?

Sa besojnë tatimpaguesit te administrata tatimore?

Nga Kasem Seferi, Ekonomist

Klima tatimore në shoqërinë shqiptare në këto dekada pas vitit 1990, gjithnjë e në ngritje, ka notuar në detin e një klime antagoniste dhe shumë rrallë në detin e një klime sinergjike.

Në një klimë antagoniste, tatimpaguesit dhe administrata tatimore kanë punuar kundër njëri – tjetrit. Distanca e madhe shoqërore, që u krjua sidomos në këto tre vitet e fundit ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve, tregoi të kundërtën e një klime sinergjike, ku tatimpaguesit dhe administrata tatimore të punojnë sëbashku (si në Europën Perëndimore ku një dukuri e tillë është quajtur: “shërbim dhe klient”, ose distancë e afërt shoqërore).

Një strukturë e tillë dallon nga ajo e zbatimit me forcë të legjislacionit tatimor kundrejt zbatimit me pranimin dhe plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor nga ana e tatimpaguesve, dukuri që proçedon me idenë e të menduarit rreth zbatimit të legjislacionit tatimor në dy dimensione madhorë: ose vetëm me pushtetin e administratës tatimore (ose zbatimin e masave shtrënguese për tatimpaguesit që nuk plotësojnë kërkesat e legjislacionit tatimor dhe, ose me besimin te administrata tatimore).

Këto dimensione dhe, veçanërisht, ndërveprimi i tyre i përbashkët influencojnë tipin dhe nivelin e poltësimit të kërkesave të legjislacionit tatimor. Kësisoj, dallohen dy mënyra të se si administrata tatimore mund ta fitojë bashkëpunimin me publikun: mënyra e parë pretendon se kërcënimi i kontrolleve tatimore dhe i ndëshkimeve mund ta shtrëngojë tatimpaguesin t’i plotësojë kërkesat e legjislacionit tatimor (kjo quhet rrugëzgjidhja ekonomike), ndërsa mënyra e dytë, është ajo që pretendon se kompetenca e perceptuar në menaxhimin e problemeve mund t’i aktivizojë qytetarët ta ndihmojnë administratën tatimore dhe ta ndjejnë obligimin për t’iu përmbajtur vendimeve, politikave dhe praktikave (kjo quhet rrugëzgjidhja psikologjike).

Besimi te administrata tatimore varet nga njohuritë subjektive tatimore, qëndrimet kundrejt administratës tatimore dhe qeverisë, normat personale, shoqërore dhe tradita e një shoqërie në lidhje me pagimin e tatimeve dhe taksave;

drejtësia e perceptuar (ajo horizontale, ajo vertikale dhe drejtësia e këmbimit);

drejtësia proçeduriale (drejtësia e proçedurave si neutraliteti i sistemit tatimor, transparenca e tij, drejtësia ndërvepruese me dy aspektet e trajtimit ndërpersonal:

drejtësia ndërpersonale, e cila pasqyron shkallën me të cilën njerëzit trajtohen me mirësjellje, dinjitet dhe respekt nga administrata tatimore dhe drejtësia informuese, që fokusohet mbi shpjegimet e siguruara për njerëzit që dërgojnë informacionin rreth asaj përse përdoren proçedurat në një mënyrë të caktuar ose përse rezultatet përfundimtare shpërndahen në një mënyrë të sigurt, drejtësia ndëshkuese/restauruese, e cila fokusohet mbi krimin si një veprim kundër një individi ose komuniteti dhe viktima duhet të marrë një lloj rregullimi nga shkelësi i ligjit).

Për t’i parë dhe analizuar konkretisht këto koncepte po i referohem vëzhgimit tre vjeçar që kam kryer në një qytet të mesëm dhe në Tiranë, ku më së shumti, gjobat për mospërdorimin e kasës regjistruese kanë qenë një veprim administrative ndëshkues që është marrë duke lënë mënjanë/shmangur të drejtat e tatimpaguesve, që në gjuhën e administrimit të tatimeve janë detyrë e administratës.

Për pak dijeni për qytetarët dua të sjell në vemendje faktin e neneve 32 deri te neni 48 i ligjit nr. 9920 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i vitit 2008, i amenduar disa herë deri më sot, por gjithnjë me drejtim rritjen e pushtetit të administratës tatimore në kurriz të të drejtave të tatimpaguesit.

Kësisoj, drejtësia e perceptuar e tatimpaguesve ka qenë e lidhur ngushtë me dimensionin e besimit që ata kanë pasur, kanë dhe do të kenë te administrata tatimore, për arsye se një trajtim i drejtë i tatimpaguesve do të ndihmonte në ndërtimin dhe ruajtjen e besimit, ndërsa drejtësia ndëshkimore lidhet me dimesionin e pushtetit për arsye se varet nga zbulimi dhe ndëshkimi me gjobë i tatimpaguesve që nuk kanë plotësuar kërkesat e legjislacionit tatimor; një ushtrim pa kufi i pushtetit ndërhyrës të administratës tatimore me ndërhyrjen në serverin qendror të të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjobat e gjeneruara më shumë se një herë nga sistemi për faj të administratës tatimore e ka zvogëluar konsiderueshëm besimin e tatimpaguesve te administrata tatimore.

Për rrjedhojë, tatimpaguesit, në mënyrë sistematike, mënyrës me të cilën i ka trajtuar ata administrata tatimore iu janë kundërpërgjigjur; në veçanti, ka rënë niveli i gadishmërisë së tatimpaguesve për të paguar tatimet, që mbështetet, madje rritet kur zyrtarët tatimorë i trajtojnë tatimpaguesit si persona që duhen detyruar me masa shtrënguese që të paguajnë detyrimet e tyre tatimore.

Në një klimë të tillë tatimpaguesit priren t’i përgjigjen duke bërë në mënyrë aktive përpjekje për t’i shmangur tatimet dhe, një dukuri e tillë përkufizohet: “moral tatimor”.

Sikundër mund të nënkuptohet lehtë kostot administrative nuk përfshijnë vetëm kostot e kontrolleve tatimore, por dhe kostot e trajtimit të tatimpaguesve, kosto e cila varet nga zgjedhja e rrugëzgjidhjeve që vijojnë: ose një trajtim plot respekt i tatimpaguesve që mbështet dhe ngre moralin tatimor; ose një trajtim arbitrar të tatimpaguesve që e minon moralin tatimor.

Politikanët dhe anëtarët e komisionit të financës në njohuritë e tyre ekonomike kanë një të kuptuar të varfër të politikës fiskale, prandaj edhe administrata tatimore është përballur, përballet dhe do të përballet me kompleksitetet e financës publike dhe legjislacionit tatimor, si dhe dykuptimësitë në interpretimin dhe ekzekutimin e tij, në qoftë se nuk merret kthesa e duhur.

Një tjetër prirje po dëshmon gjithnjë e më shumë se këshilltarët ligjorë tatimorë po specializohen në fusha të veçanta pasi kompleksiteti e bën të pamundur të jesh ekspert i legjislacionit të përgjithshëm tatimor. Legjislacioni tatimor është bërë kaq i ndërlikuar sa që ekspertët kontabël/kontabilistët e miratuar/ekspertët tatimorë kanë vështirësi në interpretimin e shumë prej kushtëzimeve ligjore.

Legjislacioni kompleks tatimor është madje më i vështirë për t’u kuptuar nga tatimpaguesit e zakonshëm për shkak të nivelit të lartë të abstraksionit të gjuhës, fjalive të gjata dhe komplekse si dhe kuptimit shumë profesional të termave, kur dihet se ka një ndryshim thelbësor ndërmjet nivelit arsimor të zyrtarit tatimor dhe një tatimpaguesi të vogël dhe të mesëm.

Për të paguar tatimet, kostot që aktualisht bartin tatimpaguesit janë tejet të mëdha krahasuar me shumat neto që mbledh administrata tatimore. Bizneset dhe individët tatimpagues, në thelb, duhet të paguajnë më shumë se sa le të themi 100 lek për qëllime të përfitimeve që i japin ata qeverisë, krahasuar me 100 lek shërbime që u jep atyre qeveria në kthim.

Para se bizneset dhe individët tatimpagues të paguajnë detyrimin e tyre ata duhet të shpenzojnë kohë për të mbledhur të dhënat, për të organizuar dosjet, për të notuar në detin e gjërë të legjislacionit tatimor me qëllim që të përcaktojnë shumën e saktë të tatimeve.

Përveç kësaj ata blejnë produkte dhe programe të tillë kompjuterikë për mbajtjen e kontabilitetit për t’i ndihmuar ato që të përcaktojnë detyrimin e tyre tatimor. Në fakt tatimpaguesit duhet të paguajnë kostot administrative të domosdoshme që i përkasin administratës tatimore për qëllimin e mbledhjes së tatimeve.

Të mos harrohet se tatimpaguesit paguajnë ekonomistë, ekspertë, jurist, etj për të ndjekur, matur dhe paguar tatimet e tyre. Kjo infrastrukturë përdoret gjithashtu për të optimizuar detyrimin e tyre për t’iu përgjigjur poltikave tatimore në kuptim të minimizimit të detyrimeve të tyre.

Në këtë klimë u bënë ndryshimet në majën e menaxhimit të administratës tatimore dhe doganore, kur ato që menaxhuan në këta tre vjet u bënë menaxherë brenda një nate, dukuri që dëshmon se si dekonsolidohet dhe jo konsolidohet shteti.

Gabimet që u bënë në këta tre vjet duke vënë gomarin para kalit do të ndihen ndër vite dhe ai që e pëson është qytetari i thjeshtë, ai që pagon TVSH – në, akcizën, etj, etj.

Le të gëzohen “akademikët” që u bëjnë fresk qeveritarëve.

Share: