“Siç të kam thënë” – Pa merak nënokja ime.

“Siç të kam thënë” – Pa merak nënokja ime.

0

Nga Agim Xhafka

Që kur ika për studime në Tiranë,në Korçë vija rrallë,por me shumë mall. Mbaj mend që derën ma hapte nëna e bërtiste aq fort nga gëzimi sa komshijtë e mësonin se Valkës i kishte ardhur djali nga Tirana.

Babai gëzohej me mënyrën e tij. Nxirrte mbi tavolinë një shishe që i thoshte votkë. Ishte përzierje alkooli prej panxhari e ujë i distiluar.
-Nuk të dhemb koka. Pi sa të duash,-thoshte ai. Në fakt qe qejfli muhabeti e jo rakie. Pak dhe me raste pinte.

Kështu të tre flisnim pêr çdo gjë. Nuk mbaj mend temat, por atmosfera aq e dashur më mbyt në grykë dhe sot.

Të nesërmen merrja “boçen” e kthehesha në kryeqytet. Nëna dilte në dritare,bënte me dorë e tek kthesa e pallatit nuk harronte të bërtiste:

-E siç të kam thënë!
Të njëjta fjalë nëpër vite. Siç të kam thënë. Në fakt asgjë nuk më kishte thënë. As babai, as ajo nuk ishin moralizues. Nuk mbaj mend të më jepnin urdhëra a porosi. U rritëm si fara që ushqehet nga dielli,shirat dhe erërat. Pa “plehra” e “kimikate”.

Fjalët e nënës qysh atëhere i kam marrë si pasqyrë e sjelljeve të saj. Si punëtore pa fjalë, si mama e pagjumë, si bashkëshorte e urtë, si njeri që familjen e ka fenë e vet, si grua që dashurinë për babain e kishte simbol dhe që donte letërsinë e filmin më shumë se gjumin.

Ndaj sa herë më kujtohet britma tek rrugica:”Siç të kam thënë”,më vjen përgjigja ime për të: – Pa merak nënokja ime.

Siç ke qënë ti jam përpjekur unë dhe ashtu si ti u bënë mbesat e tua. Se ti më fole me punën e pasionin tënd. Ndaj e mësova shpejt të mirën dhe të bukurën. Siç më ke menduar u bëra;i drejtë, i kënduar, punëtor, zemërmirë, i dashur, kurajoz dhe me plot shokë e miq.

Thuaja dhe babait, ta dijë. Thuaja se aq do ai dhe gati e ka gotën për ta trokitur. Ju dua e më mungoni shumë. Dëgjon? Siç të thashë…!

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY