Home KRYESORE Spartak Ngjela: Korupsioni shqiptar tani është kthyer në një War Dog…

Spartak Ngjela: Korupsioni shqiptar tani është kthyer në një War Dog…

Nga Spartak Ngjela

Këmbëngulja e politikës amerikane kundër korrupsionit shqiptar ka degraduar sjelljen e një pjese të lidershipit të Partisë Demokratike.

Këta politikanë të lartë, nga frika, kanë rënë në sjellje të shëmtuara, por shëmtimi në sjellje nuk është vetëm fenomen estetik, ai është shpesh edhe fenomen moral.

l.
Krerët mediokër të Partisë Demokratike kuptohet se janë të kapur nga paniku. Paniku kundrejt ndëshkimit, po i degradon përditë e më shumë, dhe sjelljet e tyre në publik po shfaqen si shëmtim moral. Shembulli më i qartë ishte seanca parlamentare e të enjtes që kaloi. Si ka mundësi që, njerëz me moshë madhore, të kenë atë nivel aq të ulët të intelektit? Është jo vetëm frika, por edhe paaftësia për të kuptuar realitetin ajo që e vendos shpesh njeriun në këto nivele sjelljeje.

Disekuilibri i pardjeshëm mendor i lidershipit te PD-se në Parlament vinte krejtësisht nga klithmat e të implikuarve në korrupsion, por që, në të njëjtën kohë, rezultojnë të jenë ata me të paaftët deputetë të saj. Në qendër te tyte ishte vendosur Saliu.

Megjithatë, nuk duhet menduar se ky është një sulm spontan që vjen nga një çthurje mendore patologjike e disa individëve të implikuar në korrupsion. Ka më tepër se kaq në arsyen e kësaj ngjarjeje, sepse kjo ka të bëjë më tepër me politikën amerikane që është vendosur prerë kundër korrupsionit aktual shqiptar.

Saliu ndërkohë kuptohet se nuk është vetëm nën peshën e panikut që i ka krijuar Reforma në Drejtësi, por është edhe i kapur sak nga ngërçi i stresit që i vjen si pasojë e qëndrimit amerikan kundër tij.

Po shihet qartë ndërkohë se ka një qëndrim politik amerikan kundër tij, të cilin, grupi injorant që rrethon Saliun, e kujton se është i Rames. Kjo ndodh sepse vetë Rama ia përmend Saliut këtë fakt në çdo rast. Dhe kjo është arsyeja që gjendja psikike e Saliut sa vjen dhe rëndohet, kurse, ai vetë, duket se nuk e kupton dot arsyen reale të panikut të tij: ai mendon se, nga salla e Parlamentit, mund të krijojë shkëndinë që do të ndezë zjarrin e destabilizimit shoqëror në Shqipëri, domethënë trazira shoqërore që mund t’i japin atij strehën kundër Amerikës.

Ne fakt Berisha sot shihet se eshtë i pushtuar nga naiviteti. E, bashkë me të, edhe Meta, i cili pardje u dallua se mendon po ashtu si Saliu: që, një konflikt parlamentar patologjik, mund të ndezë patologjinë e përplasjes shoqërore në Shqipëri.

Pse ore Sali ziu, me klithmat e Nokës në aulën e Parlamentit do mundësh FBI-në ti? Ta garantoj unë, Noka do jetë nje pentito, ose i penduari i parë i hetimit kundër teje, nëse ke shkuar thellë në abuzim me anë të tij. Pas Nokës do vijnë të tjerët… E, ç’i do emrat? Ata i ke gati, sepse vetë i ke zgjedhur me karakter spiuni. Po t’i dinë bëmat e tua spiunët, Sali, shumë keq do ta kesh. Gjëma e vërtetë e Sali Berishës do të vijë kur të pendohen spiunët dhe të deponojnë kundër tij. Në fakt, janë mu ata spiunë injorantë, me të cilët Berisha shkatërroi intelektualizmin në Shqipëri. Disa prej tyre kanë dëshmuar që tani.

ll.
Berisha është quajtur pengesë serioze për zhvillimin demokratik të Ballkanit.

Ky është mendimi amerikan për të. Por tani, kuptohet se atij i janë kufizuar mundësitë për këtë pengesë.

Kufizimi i parë është dominimi aktual perëndimor i Serbisë. Është hera e parë, që, të tremburit nga ndëshkimi shqiptar, nuk komunikojnë dot për të kërkuar ndihmë në Beograd.

Në fakt, kjo është arsyeja kryesore e shthurjes mendore të Nokës në Parlament.

Kurse Rama, duke iu kujtuar Hollivudin, nuk iu kujtonte atyre vetem filmin për Gërdecin, War Gog “Qenin e Luftës”, por edhe Amerikën që e kanë kundër… iu kujtonte Reformën në Drejtësi, dhe popullin që e kanë kudër e që po pret me ankth këtë Reforme shpëtimtare.

Keta liderë të korruptuar të PD, po i vë në lojë Rama, sepse në fakt po tallet me frikën e tyre, të cilën Dibra ua çoi deri në ekstrem. Pse Sali, vërtet mendoni dhe t’i si Noka që filmin War Dog e ka bërë Hollivudi me iniciativën e tij? Të kujtohet kur një mjek fshati shqiptar, si puna jote, i tha gazetës New York Times, “letër higjienike?”

lll.
Berisha kishte shumë shpresë në Dibër; se mendonte që, me një fitore drastike atje, do t’i tërhiqte amerikanët nga politika kundër tij. Në fakt kjo ishte një logjikë naive, sepse amerikanët e dinë mirë se Shqipëria nuk mund të destabilizohet dot më nga Berisha, ngaqë Berisha nuk ka më asnjë peshë.

Kurse lakejtë e tij pa mend në koke, nuk kuptojnë asgjë nga kjo politikë, ata sillen me një tërbim amoral, edhe pse thellë-thellë e ndiejnë frikën amerikane.

Por, a do të dalë hapur kunder Amerikës Saliu me anë të lakejve të tij? Mendoj se po. Por kështu do forcojë edhe më tej pozitat ndërkombëtare të Ramës. Sepse tani Rama e ka dominuar Saliun plotësisht në politikën perëndimore. Amerikanët dhe europiano-perëndimorët nuk kanë më asnjë lloj partnershipi politik me Partinë Demokratike. Në fakt ky është fundi i tyre, i cili kuptohet qartë vetëm nga Saliu. Lakejtë mediokër, edhe pse të trembur, nuk e shohin dot fundin e tyre, sepse nuk i lë kundërvënia me shthurje mendore ndaj Rames. Shqetësimi i madh i Saliut iu është transmetuar lakejve si fundi i tyre.

Por kjo lloj sjellje politike i nxjerr fare nga mundësia se mund të gjejnë sërish një gjuhë pranimi nga politika amerikane dhe ajo gjermane. Berisha e ka humbur besimin amerikan, sepse, abuzimi i tij me pushtetin, nuk e lejon që të mendojë qetë për zhvillimin shqiptar. Kurse, vetë zhvillimi shqiptar, është një kusht kryesor i interesit amerikan dhe i interesit gjerman në Ballkan. Sigurisht tani shqiptarët vetë e kanë kuptuar që ky është edhe interesi shqiptar. Edhe Dibra këtë tregoi më 12 shtator.

lV
Zhvillimi shqipar tani, pas Reformës, do të fillojë të ecë sipas motivit amerikan për politikën amerikane në Ballkan. Janë të shumtë ndërkohë shqiptarët e rinj dhe të ditur që po trainohen në Amerikë.

Amerika kuptohet se po kërkon partnership primar me shqiptarët në Ballkan. Ajo po rekruton neoshqiotarët e ditur që kana mbaruar shkolla perëndimore. Shqiptarët ndërkohë e kanë kuptuar këtë, dhe mezi po e presin; kurse gangsterët e politikës shqiptare, pikërisht këtë duan ta sabotojnë me vonesë. Por kësaj nuk ia arritën dot, sepse ndërkohë i mundi frontalisht politika herë diplomatike, dhe herë-herë e drejtpërdrejtë e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Ambasadori diti mirë të koordinonte personalitetin e Amerikës si fuqi botërore, faktet e vërteta kundrejt disa politikanëve shqiptarë të opozitës, dhe eksperiencën e tij të saktë kundrejt mendjeve të trembura të politikanëve të vendeve të botës së tretë. Prandaj nuk e pati të vështirë që t’i mundte politikanët mediokër dhe të trembur të Shqipërisë së sotme.

Tani ata kot këlthasin publikisht, janë të humbur. Historia e Shqipërisë ka hyrë në një rrjedhë të re, dhe korrupsioni nuk ka më asnjë forcë që ta ndalojë. Korupsioni shqiptar tani është kthyer në një War Dog…

Share: