Home KRYESORE Stefani Zhejit: Ti ke harmoni te plote me PD. Une jam me...

Stefani Zhejit: Ti ke harmoni te plote me PD. Une jam me Ramën kundër Berishës!

Andrea Stefani

Thuajse paralel me replikën tënde Zheji, që tentonte të më ndriçonte se problem i Shqipërisë sot është Rama dhe se Berisha nuk vjen më, pashë të publikuar edhe një deklamim të Lulzim Bashës që mbyllej me kredon “Shqipëria më mirë pa Ramën”! Eshtë pikërisht kjo që më shqetëson edhe në pozicionimin tënd koleg. Harmonia e plotë me kauzën e lidershipit të PD për të larguar me çdo kusht Edi Ramën. Dhe 26 vjet përvoja të hidhura për Shqipërinë, më kanë krijuar bindjen se nga një SHQUP i dirigjuar nga autokrati Berisha, nuk mund të dalë asnjë kauzë e mirë për Shqipërinë.

A kam prova për këtë që them? Gjendja e mjeruar e shtetit pas jo pak por 26 vjetësh tranzicion, rrëfen me elokuencë maksimale aftësinë destruktive të kultit të këtij sharlatani që shtiret si demokrat dhe që, mjerisht, ja ka arritur t’i japë ton konfliktual jetës politike si kur ndodhet në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Prandaj kur Berisha kërkon me ngulm largimin e Ramës, jo vetëm logjika por edhe intuita më përforcojnë bindjen se asgjë e mirë nuk mund t’i vijë vendit nga ngopja e këtij amoku.

Në rastin e Berishës jam i sigurt për shkaqet e amokut anti-Rama. Eshtë gjakimi për të bllokuar reformën në drejtësi që kërcënon të ndëshkojë një mullar krimesh dhe korrupsioni të pandëshkuar për mbi dy dekada dhe strumbullari i të cilit, është Saliu më klanin e tij. Dhe kuptohet që largimi i kryeministrit që mbështet reformën në drejtësi (kur ata në opozitë e kundërshtojnë të “shqetësuar” për “sovranitetin” dhe “Kushtetuën”) në një moment kur reforma sapo ka nisur të përparojë, do të ishte njësoj si të shkarkojë një gjeneral në momentin që ai sapo ushtrina është hedhur në sulm. Çorientimi do të qe total dhe disfata e reformës e sigurt.

Ndërkaq, Zheji, nuk mund të flas me siguri se ku i ka rrënjët xanxa e sulmit tënd kundër Ramës. Dua të besoj se është thjesht bindja si gazetar që Rama është korruptuar. Por “provat” që ofron nuk janë fare të mjafta për ta themeluar një bindje të tillë. Nuk jam prokuror dhe nuk mund të them me siguri se në ato 5 raste korrupsioni që përmend nuk ka gisht edhe kjo qeveri, ndonëse 3 prej tyre origjinojnë nga qeveria e kaluar. Por përsëri, ato nuk janë provë për korruptimin personal të Ramës. Lidhur me kanabisin, habitem që ke besuar përrallën kolumbiste se sot, që agjësohet më shumë kanabis nga policia, gjendja është më kritike se kur asgjësohej vetëm sa për të thënë se po luftohej.

Por, për për të gjitha këto, ne do të mbetemi në sferën e spekulimeve boshe, duke trazuar kazanin e llafeve të Berishës, sa kohë që nuk vepron një prokurori që heton dhe një drejtësi që ndëshkon. Për këtë na duhet reforma në drejtësi. Prandaj mbështes, përkundër gjakimeve të Berishës, avancimin e reformës në drejtësi, vullnetin e palëkundër politik për të cilën, e kam parë vetëm te “i korruptuari” Rama. Dhe mezi pres që kjo drejtësi të vijë për të kaluar në skanerin e saj edhe ato raste që t’i përmend si edhe këdo që duhet të japë llogari para saj. Edhe Ramën vetë, nëse e meriton. Mos më thuaj që ke përvetësuar përrallën tjetër berishiste se amerikanët po përgatisin një drejtësi që të jetë e varur nga Rama.

E sa për Berishën, provat për korruptimin e tij personal janë pasuria e tij e maskuar me paratë dhe pronat e vëna nga fëmijët e tij jo vetëm me anë privilegjesh e favorizimesh që buronin nga posti i babait, por edhe nga përfshirja e tyre në biznese si “Gërdeci”, ku strukturat e shtetit u gërshetuan me ato të mafies së municioneve (ka degradim më të thellë të shtetit se kaq?) në një biznes të zi që derdhi gjak të pafajshëm dhe shkatërroi me qindra jetë. Mos duhet që teknikën banale të fshehjes së pasurisë pas fëmijëve, këtë teknikë të rëndomtë të pastrimit të parave dhe pasurisë korruptive, duhet ta pranojmë duke mbyllur sytë?

Por kjo pasuri e dyshimtë, nuk është asgjë përballë provës së krimit të përbindshën të vrasjes së protestuesve në 21 janar dhe për të cilin, përgjegjësia e Berishës është e drejtpërdrejtë. Se u vranë para zyrës së tij dhe, kam të drejtë ta dyshoj, me urdhër të tij. Ndryshe përse do ndërmerrte atë fushatë shpifjes dhe falsifikimesh, të fshirjes së provave duke penguar deri edhe hetimet e prokurorisë që e përdhunoi me fyerje e sharje? Nëse ky falsifikator profesionist nuk përgjigjet për krime të tilla si “21 janari”, do të jetë treguesi se drejtësia nuk ka ardhur në Shqipëri. “21 janari”, “Gërdeci”, korrupsioni 200 milionësh me rrugën Durrës-Kukës, falja e ujrave detare, do mbeten kriteri i vlerësimit. Të mos flasim për një listë të gjatë krimesh për të cilat ai akuzohet si frymëzues dhe nxitës nga ish-bashkëpunëtorë të tij të afërt, si Izet Haxhia për shembull, që sot neglizhohet për turp pikërisht nga një prokurori e kapur prej Berishës. I kemi thënë e stërthënë këto të vërteta por, për sa kohë që hileja e propagandës berishiste bazohet të përsëritja pa fund e gënjeshtrave, nuk ka mjet tjetër kundër saj përveçse përsëritja pa fund e të vërtetave.

Për importimin e mbejtjeve (kjo lidhur me një prononcim të fundit të Mustafa Nanos) si arsye për të larguar Ramën, kam patur mendimin që qeveria duhet ta zgjidhë në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile. Gjë që po rezulton se nuk e ka bërë mirë. Por a është kjo një arsye për të larguar Ramën?! Janë çështje që mund të devijohen fare lehtë në një populizëm destruktiv. Por edhe në këtë rast dua t’i mbetem besnik të vërtetës. Nga ato që kam dëgjuar prej disa specialistëve të fushës, duket që ligji i sapo miratuar është brenda të gjitha standarteve të BE duke lejuar importin e një liste shumë të ngushtë mbetjesh që përdoren si lëndë e parë, dhe pa mbetje, nga industria ricikluese. Pra nuk është fare e vërtetë se kemi të bëjmë me të njëjtin ligj të anuluar nga qeveria Rama në vitin 2013.

Por shoqëria civile ka paraqitur, në mos gaboj, një pretendim jo pa bazë: A është në gjendie shteti ynë t’i përmbahet këtyre standarteve të ligjit duke i ruajtur ato përballë agresionit korruptues të mafies së plehrave që, me shumë gjasa, nuk do të mungojë? Mendoj se në kushtet kur shteti ka treguar dobësi deri edhe për garantimin e cilësisë së ushqimeve në treg, ky është një shqetësim i bazuar. Megjithatë, nëse shteti sot nuk garanton deri edhe cilësinë e akullores mos vallë zgjidhja është të mos prodhojmë më akullore?! Këtu shtrohet çështja si do zbatohet një ligj i mirë nga qeveria dhe jo ajo e kundërshtimit të një ligji të keq si ai i vitit 2011 miratur nga qeveria e PD. Çështje që zgjidhet me bashkëpunim dhe jo me kundërshtim. Nuk është një ligj i mirë për importin e mbetjeve ai që ja hap shtigjet mafias për kontrabandimin e plehrave. Aq më pak zbatimi me rigorozitet i këtij ligji, por shkelja e tij. Por i takon shoqërisë civile të investigojë nëse barrierat e vendosura nga qeveria për mos kontrabandimin e plehrave nën maskën e mbetjeve, janë ato që ajo thotë se janë dhe, nëse janë të mjafta apo jo. Arroganca është e papranueshme për të gjitha palët.

Mendoj se skepticizmi i bazuar i shoqërisë civile, nuk duhet të shërbejë edhe si shkak për rrënimin e industrisë së riciklimit që është po ashtu e rëndësishme për ruajtjen e mjedisit. Dhe është akoma më e pa pranueshme që PD e cila, kur qe në pushtet, miratoi një ligj që lejonte deri edhe importimin jo të mbetjeve por tamam të plehrave që duheshin djegur apo groposur duke ndotur mjedisin, të tolerohet për t’u shitur si kampione kundër imporit të “plehrave”, të tolerohet që një çështje të tillë ta keqpërdorë politikisht për qëllimin e saj, largimin e Ramës, ndërrimin e qeverisë dhe sabotimin e reformës në drejtësi. Koha ka provuar se kauzat e përbashkëta me Berishën janë fatale jo vetëm për Shqipërinë por edhe për ata që aderojnë në to. Kjo është tashmë aksiomatike.

E sa për atë që nuk kthehet më Berisha kjo është versioni i genjeshtrës së tretë historike të PD. E para ishte, në nisje të tranzicionit, se Berisha ishte demokrat dhe solli demokracinë në Shqipëri. Gënjeshtra e dytë qe ajo e hedhur në vitin 2005 se Berisha “ka ndryshuar” se nuk ishte më ai autokrati që i bëri gjëmën Shqipërisë në vitin ‘97. Janë dy gënjeshtra që i kanë kushtuar shumë Shqipërisë. E treta gënjeshtër është kjo e sotmja, se gjoja Berisha ka ikur dhe nuk e drejton më PD dhe se nuk vjen më në pushtet.

E vërteta është se Saliu nuk ka ikur, nuk e ka lëshuar për asnjë sekondë timonin e PD. Dhe nuk do ta lëshojë kurrë. Përralla se “ka ikur” është një farsë e turpshme por dhe pohimi se edhe berishistët e shohin që kohëzgjatja e tij në lidership nuk justifikohet nga asnjë parim i demokracisë. Se largime të vërteta janë ato të Toni Blerit apo Kamerunit, që tashmë nuk kanë më asnjë ndikim në partitë respektive.

Berisha e di këtë dhe, si mashtrues me përvojë që është, vendosi ta pastrojnë lidershipin nga Berisha duke përdorur si lavatriçe Lulzimin. A duhet ta gëlltisim një mashtrim të tillë që më ngjason me larjen e parave të pista? Ata që e gëlltisin kanë nevoja që shkojnë përkundër të vërtetës. Si në përrallën daneze ku edhe pse e shihin qartë mbretin lakuriq, oborrtarët mburrinin rrobat e mbretit. Dhe kthehet në pushtet Berisha, kthehet i nderuar koleg! Ai nuk rri në SHQUP që t’i bëjë garniturën e opozitës Ramës. Rri për pushtet. Ditën e rënies nga “fiku” është betuar të punojë 24 orë në 24 orë për këtë qëllim. Ndaj mund të kthehet një ditë i fshehur prapa një tjetër kostumi a fytyre.

Si prapa Lulit sot. I fshehur prapa një koalicioni. Për ta drejtuar qeverinë dhe kukullat që mund të vendosë nga shtëpia a vila në Lalëz. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Sepse e tillë është struktura e PD. Ajo është një parti e Berishës që nuk ekziston dot pa të. Ndërsa Berisha është padrinoja i PD. Dhe pengesa më e madhe që ky autokrat të realizojë amokun e tij për pushtet, është “i korruptuari” Rama dhe reforma në drejtësi që ai mbështet i mbështetur edhe nga SHBA dhe BE.

Prandaj në dyluftimin Berisha-Rama, që është sot dyluftimi real politik në Shqipëri, jam me Ramën kundër Berishës. Jam për largimin e Berishës. Gjë që e mundëson vetëm drejtësia!

Share: