Home KRYESORE Të bëhesh nënë pa bërë seks – Nënë Tereza dhe feminizmi

Të bëhesh nënë pa bërë seks – Nënë Tereza dhe feminizmi

Nga Adea Gashi

T’i lëmë menjanë akuzat që i adresohen Gonxhe Bojaxhiut për lidhjen me diktatorë, për kushtet e këqija nëpër dhomat ku shëroheshin lebrozët e saj, për misionin si kolonizuese e për shumçka tjetër.

Të merremi me emrin me të cilin i referohen: nënë. Çka përçon koncepti i nënës, i përçuar nga e gjithë veprimtaria e saj fetaro-humaniste? Ajo është një nënë që nuk ka bërë seks kurrë ose nuk e ka pasur ndonjë fëmijë konkret dikund. Ajo është një nënë që nuk ka provuar eksitimin e seksit, shtatzëninë apo jetën. Ajo është një nënë, siç e don përralla jetëmohuese e poshtër dhe e ligë krishtere. Ajo është një nënë – si kujdestare, si dado, plotësisht e mbuluar. Ajo është tërë mirësi, përkushtim e urtësi. Dëlirësisht e nënshtruar.

Ajo qëndron në terrenin e errët e të shkretë – e pazë, e pafjalë, si një mike e mirë e varfërisë dhe sëmundjes. Por humanizmi i saj, është në fakt, antihumanizëm. Ajo brengoset për njeriun pa e kuptuar atë. Pa ia njohur atij të drejtën e jetës, vetë jetën, mëkatet, kufizimet, esencialen që është ekzistenca e tij, materialja.

T’i kthehemi nënës. Si është e mundur të jesh feministe, të luftosh kundër konceptit patriarkal për nënën dhe të admirosh Nënë Terezën? Nuk është e mundur, por në Kosovë njerëzit përtojnë të mendojnë dhe e thejnë kurrizin nga pakujdesia.

Seksi nuk është më diçka e turpshme. Trupi, nuk nënçmohet. Sepse shpirti – ose ajo që e kuptonte krishterimi i Bojaxhiut me të – ka përfunduar njëherë e mirë si koncept. Nëna është një grua e cila merret me vetveten, ka jetë të sajën, angazhime të sajat, e shijon seksin dhe zgjedhë nëse dëshiron e kur dëshiron fëmijë, e të tjera e të tjera. Mos të harrojmë që Nëna e famshme ishte kundërshtuese e madhe e abortit, kundërshtuese e madhe e kënaqësisë në seks, kundërshtuese e madhe e jetës së këtushme (besuese në jetën e përtejshme) dhe ‘buka’ e saj ishte dhimbja e skamja e njerëzve. Gjëra me të cilat duhen marrë politikanë, filozofë e ekonomistë.  Ajo ishte një ekstremiste fetare, që si mjet nuk e përdori dhunën për një formë edhe më të sofistikuar pushtimi – dashurinë – dhe kësisoj ndikoi që njerëzve t’iu përvjedhej një koncept patriarkal në mendjet e tyre./Periscopi.com

Share: