Home KRYESORE Zgjidhja e Lindita Nikollës: 9890 vende bosh në universitetet private!

Zgjidhja e Lindita Nikollës: 9890 vende bosh në universitetet private!

“Ju lutem qetësi dhe vëmëndje. Është sistemi më i ndershëm që mundëson meritën dhe preferencën në mënyrën më transparente”. Me këto fjalë iu drejtua Lindita Nikolla sot të gjithë maturantëve, të irrituar për rezultatet që dha formula e re e llogaritjes së degëve në universitete. Nga dita e djeshme, në rrjetet sociale mijëra prej tyre denoncuan rezultatet absurde të formulës së re, që u aplikua për herë të parë këtë vit. Shumë dëshmojnë se nxënës me mesatare të lartë, janë lënë jashtë listave të universiteteve, por përgjigjia e Lindita Nikollës erdhi sot në mbrëmje. Zgjidhja sipas saj do të vijë nga universitetet private. Kuotat e privatit janë 9890 vende, një shifër që, sipas saj i jep zgjidhje problemit.

“Nëse ne sot kemi aplikantë në total 27 mijë e 600, numri i kuotave, vendeve pra, që universitetet kanë aftësinë për të arsimuar janë 24915 në universitete publike dhe 9890 në universitetet jo publike, pra në total 34805, pra shumë shumë vende, se numri i aplikantëve. Një garanci kjo akoma më shumë për të qetësuar opinionin publik për situatën e re” tha Ministrja e Arsimit.

Pra sipas deklaratës së Nikollës, rezulton se 2500 aplikantë minimumi, do të jenë të detyruar ta ndjekin arsimin e lartë në universitetet private. Duke llogaritur këtu pakënaqësitë në preferencat e degëve, nuk është çudi që formula e re të “ngopë” plotësisht kërkesën e privatit për studentë të rinj këtë vit.

Nga ana tjeter mund te thuhet se me këtë deklaratë, Lindita Nikolla ka konfirmuar akuzat që studentët dhe pedagogë të universiteteve publike artikuluan në degjesat publike dhe protesta, studio televizive dhe faqet e shtypite portale, kur diskutohej ligji për arsimin e lartë; ligji i ri favorizoi abuzivisht universitetet private.

Share: