Home KRYESORE Ja kush janë ekonomistët më të mirë të Shqipërisë

Ja kush janë ekonomistët më të mirë të Shqipërisë

Nga Dr. Enriko Ceko

Shpesh në media deklarohen dy apo katër ekonomistët më të mirë të Shqipërisë, apo tre më të mirët e fushës së ekonomisë dhe të bën përshtypje fakti që kjo mënyrë veprimi nxjerr në dukje vetëm dy, tre a katër persona që kanë qenë për vite me radhë ata që kanë vendosur në lidhje me fatin e ekonomisë së Shqipërisë, ekonomi që në fakt është në gjendjen më të keqe të mundshme dhe kjo duket në nivelin e jetesës së qytetarëve të këtij vendi.

Ekonomia e njerëzve të thjeshtë në Shqipëri nuk ka lidhje me parametrat makroekonomikë që qeveria mendon se janë nën kontroll dhe nuk ka asnjë lidhje me bërjen e biznesit, një indeks për të cilin ka një rritje të dukshme të performancës, sipas Bankës Botërore.

Cilësia e jetës në Shqipëri dhe zhvillimi i qendrueshëm ka kohë që janë vënë në pikëpyetje dhe një nga arsyet kryesore është se pikëpamjet për ekonominë në përgjithësi dhe pikëpamjet për modelin ekonomik, degët e ekonomisë, rolin e sektorit të bujqësisë, agrobiznesit dhe turizmit, investimet publike, sistemin fiskal, tregtinë me jashtë, etj, kanë qenë dhe janë të gabuara apo të mangëta. Pikëpamjet vijnë në tregu e ideve nga njerëzit dhe njerëzit që na drejtojnë i zgjedhim vetë nëpërmjet procesit të zgjedhjeve për pushtetin qendror dhe vendor (teorikisht).

Por pyetja është a kemi zgjedhur ne njerëzit më të mirë që të na drejtojnë në përgjithësi dhe në fushën ekonomike në veçanti dhe a janë këta njerëz më të mirët e fushës së ekonomisë, ashtu siç tentohet që të na shiten me mënyra e metoda të ndryshme?

Unë mendoj se jo. Unë mendoj se në përgjithësi dhe në fushën e ekonomisë në veçanti nuk kemi zgjedhur njerëzit dhe specialistët më të mirë. E theksoj: njerëzit dhe specialistët më të mirë, sepse mund të jesh njeri i mirë por nuk je specialist i mirë dhe mund të jesh specialist shumë i mirë por nuk je njeri i mirë. Për të qenë economist i mirë duhen të dyja: Njeri i mirë dhe specialist i mirë i fushës së ekonomisë dhe që duhet të kesh edhe njohuri nga fusha të tjera sa më shumë të jetë e mundur.

Unë mendoj se në fushën e ekonomisë ata që kanë drejtuar vendin dhe ata që ditët e fundit u shitën nga një konferencë universitare si ekonomistët më të mirë të vendit nuk janë të tillë dhe kjo sepse pas më shumë se 20 vitesh vendit i mungon një model ekonomik i pranuar, sepse në Shqipëri nuk ka funksionuar politika fiskale dhe politika monetare dhe aq më shumë përputhshmëria midis këtyre dy politikave, sepse në Shqipëri me ardhjen në fuqi të një klase politike ndryshon pothuajse çdo gjë në lidhje me mënyrën e drejtimit të ekonomisë, sepse në vend ka varfëri shumë të madhe dhe korrupsioni, ekonomia e zezë dhe informaliteti janë në kulmin e mundshëm të tyre.

Nëse Shqipëria do kishte ekonomistë të mirë në drejtim (sepse ekonomistë të mirë dhe shumë të mirë ky vend ka sa të duash, por ata nuk kanë gjë në dorë dhe në rastin më të keq janë të papunë) atëhere eksportet do ishin në një raport më të drejtë me importet, vendi nuk do vuante nga kriza energjetike dhe nuk do importonte miliona dollarë energji çdo vit, fshati nuk do ishtë në gjendjen skandaloze që është aktualisht, sektori i turizmit do sillte shumë më shumë të ardhura dhe fitime për sektorin publik dhe privat, të ardhurat si vend dhe si individ do ishin rritur, duke u përafruar me ato të vendeve më të zhvilluara, etj.

Një ekonomist i mirë duhet të dijë dhe të njohë natyrën matematike të ekonomisë, gjë që dukshëm është me mangësi te ata që na shiten si ekonomistët më të mirë të vendit dhe kjo sepse shifrat janë kokëforta dhe një ekonomist i mirë e di fare mirë se nuk ka asnjë mundësi që rritja ekonomike të jetë 4 – 5% për 25 vite me radhë dhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe të ardhurat të ngelen në vend ose të ecin me ritme shumë të ulëta. Me këto ritme të rritjes ekonomike për 25 vite me 4 – 5% pagat duhet të ishin pesë fishuar dhe GDP duhet të ishte diku te 20.000 USD / frymë. Duket se me shifrat këta ekonomistët më të mirë të vendit nuk janë në rregull. Me këtë rritje ekonomike që pretendohet nga këta ekonomistë për 25 vite duhet të kishim trefishuar prodhimin, por në fakt, fatkeqsisht ende nuk kemi arritur që të konkurrojmë me vitin më të mirë ekonomik të periudhës së komunizmit qoftë në sasinë apo volumin e prodhimit, qoftë në të ardhurat dhe qoftë në rendimente.

Nëse këta janë ekonomistët më të mirë të vendit atëhere këta do kishin publikuar të paktën një model ekonomik ose do kishin kundërshtuar me fakte dhe argument mënyrën e mëparshme dhe aktuale të drejtimit të ekonomisë.

Një nga karakteristikat e një ekonomisti të mirë është gjykimi i drejtë dhe qendrimi i drejtë ndaj çështjeve që shqetësojnë vendin dhe qytetarët, gjë që në fakt nuk ndodh me këta ekonomistë.

Disiplina e ekonomisë bart në vetvehte shumë nëndarje manaxheriale, marketingu, finance, etj dhe në të përdoren metoda induktive dhe deduktive, duke marrë për bazë kontekstin historik, social, koniuktural, etj, gjë që dukshëm mungon te këta tre a katër ekonomistë të shquar të Shqipërisë.

Një ekonomist i mirë në fund të fundit jep edhe zgjidhje për çështjet e rëndësishme ekonomike që shqetësojnë bashkëqytetarët e vendit të vet. Nëse këta ekonomistë do kishin dhënë zgjidhje, atehere gjendja ekonomike nuk do kishte qenë kështu siç është.

Ekonomistët e mirë nxisin prirjet pozitive dhe kritikojnë prirjet negative në ekonominë e vendit, por këta të katër nuk kanë dalë ndonjëherë hapur në publik që të kritikojnë qeverinë për veprimet dhe vendimet e saj ekonomike, përkundrazi i kanë bërë fresk me tërë forcën gjatë tërë kohës si Qeverisë Rama ashtu dhe Qeverive Berisha. Pra, sipas tyre del se çdo gjë është në rreguull, që në fakt nuk është e vërtet.

Një ekonomist i mirë bën thirrje për alokim të mirë të burimeve njerëzore, financiare dhe materiale, por në Shqipëri në mënyrë të dukshme manaxhimi i të tëra llojeve të burimeve le shumë për të dëshëruar.

Një ekonomist i mirë nxit shtimin e numrit të qytetarëve që mendojnë në mënyrë racionale, ata që në gjuhën ekonomike quhen Homo Economicus, që në fakt nuk ka bërë vaki me këta tre a katër ekonomistë që trumbetohen si ndër më të mirët e vendit.

Filozofia ekonomike tregon se alokimi eficient i tregjeve bën që shoqëria të jetë më harmonike dhe çdo gjë të ketë më shumë etikë në jetën e përditëshme, pa marrë parasysh këtu edhe çështjen e mundësive më të mëdha të ekspansionit të burimeve njerëzore, financiare dhe materiale në të tëra aspektet. Është shumë ironike që në 25 vitet e fundit ekonomia shqiptare është shoqëruar me shumë skandale korrupsioni dhe këta tre a katër ekonomistët më të mirë të vendit nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për të bërë diçka kundër kësaj dukurie.

Ekonomstët e mirë e kuptojnë se si funksionojnë tregjet, sepse kjo është në fakt puna e tyre, dhe, nëse do kishim ekonomistë të mirë në drejtim atëhere të paktën tregu do kishte një farë zhvillimi dhe liberalizimi, gjë që nuk ka ndodhur sepse tregjet, produktet dhe shërbimet në vend janë në duart e vetëm disa individëve dhe subjekteve publike dhe private.
Në fakt unë mendoj se në Shqipëri prej kohësh nuk u është lënë vend dhe hapsirë ekonomistëve mendje hapur, atyre që e dinë se si funksionojnë tregjet, atyre që pranojnë gjendjen aktuale të ekonomisë dhe që dinë të japin zgjidhje për problemet që kalon vendi dhe ekonomia shqiptare dhe kjo është ajo që e mundon më së shumti Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ekonomistët vërtet të mirë të një vendi në fund të fundit japin kontribut për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve të atij vendi me fjalën e tyre dhe pikëpamjet e tyre shkencore dhe vendi më i mirë ku mund të realizohet kjo, ashtu si në të tërë vendet e zhvilluara është universiteti dhe vetëm universiteti. Paralelisht këta mund të punojnë si konsulentë biznesi dhe në nivele të ndryshme qeveritare, por në asnjë mënyrë në pozita drejtuese, sepse kjo në një mënyrë apo në një tjetër kompromenton emrin ekonomist i mirë dhe të drejton në karierë politike dhe jo në karierë ekonomike, ndërsa në Shqipëri ekonomistët që trumbetohen si ndër më të mirët në vend zenë vende drejtuese në administratën publike dhe në nivel politik dhe padyshim që punësohen nëpër universitete publike dhe private pa asnjë kontribut të dukshëm, por vetëm me disa publikime të përkthyera, duke marrë këtu në konsideratë edhe nepotizmin dhe mënyrën jo të përshtatshme të përzgjedhjes së pedagogëve nëpër universitetet publike dhe private, ku dukshëm nuk përzgjidhen ata që janë të aftë dhe që kanë investuar në fushën e tyre të studimit, por ata që kanë lidhje politike dhe që kanë mbështetje të dukshme dhe të padukshme nga subjekte publike dhe private të interesuara që këta tre apo katër individë të shpallen si ndër ekonomistët më të mirë në vend, gjë që unë mendoj se nuk është e vërtetë. Dhe më e keqja është se në Shqipëri kështu ndodh edhe me agronomët, ixhinierët, biokimistët, mjekët, etj.

Share: