Home KRYESORE Përse po falen gjobat në paketën fiskale dhe çfarë pasojash sjellin ato?

Përse po falen gjobat në paketën fiskale dhe çfarë pasojash sjellin ato?

Nga Kasem Seferi, Ekonomist

Me qëllim që tatimpaguesit të parandalohen që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme të mirat publike, qeveria aktuale në këto tre vite dhe në vazhdim po përdor të tatuarit me masa shtrënguse; për shembull, ligji i proçedurave tatimore zbatohet me masa shtrënguese që përfshinë një sistem kontrollesh, gjobash dhe ndëshkimesh.

Ndodhi kështu për arsye se, për tatimpaguesit e arsyeshëm, nxitësit për t’i paguar tatimet me vullnet të mirë u panë si nxitës shumë të vegjël për arsye se të ardhurat e padeklaruara nga tatimpaguesit para zgjedhjeve të vitit 2013 u paragjykuan se ishin të mlëdha. Prandaj, u mendua se tatimpaguesit duhet të përballeshin me kërcënimin e kontrollit, gjobës dhe ndëshkimit në qoftë se nuk do të deklaronin me vërtetësi të ardhurat.

Tatimpaguesit kontrollohen me një mundësi të kufizuar zbulimi dhe gjobiten me një përqindje tatimore ndëshkuese, ose me burgim (gjë që nuk ka ndodhur për pamundësi profesionale të administratës tatimore), sidomos në ato raste kur mund të zbulohej se ata kishin konsumuar elementë të evazionit tatimor. Megjithëatë, në lidhje me pengimin e vogël që u realizua në evazionin e bërë në ekonominë e vendit, për shkak të intensitetit dhe nivelit cilësor të ulët të kontrollit tatimor, si të ndëshkimeve të paarsyeshme, tatimpaguesit do të evadonin me shumë; pra, përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor ishte e lartë.

Në këtë kontekst qeveria nuk mori asnjëherë në analyze se cilët tipare të sistemit tatimor e nxitën mospërmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor; ose, sa të rëndësishëm ishin mundësitë e nënkuptuara të evazionit në legjislacionin tatimor; ose, çfarë roli luajtën karakteristikat e tatimpaguesit; ose, cilët ishin perceptimet e tatimpaguesit për drejtësinë e sistemit tatimor; ose, cilët ishin perceptimet e tatimpaguesit rreth drejtësisë së kostove shoqëruese të përmbushjes së legjislacionit tatimor; ose, cilat do të ishin pasojat ekonomike dhe të barazisë së trajtimit të mëspërmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor.

Nga përvoja botërore e kërkimeve, është gjetur se evazioni tatimor rritet me rritjen e përqindjes tatimore dhe zbret me nivelin e gjobave dhe mundësinë e kontrollit; evazioni tatimor është më i ulët kur tatimet e mbledhura përdoren për të siguruar një të mirë publike; vendimi për të evaduar ose jo bëhet sëbashku me vendimin se sa shumë përpjekje bëhen për veprimtaritë fitimprurëse.

Një pjesë e madhe e tatimpaguesve nuk mashtron kurrë, për arsye se ata besojnë se mashtrimi është diçka e gabuar; gjithashtu rrjetet sociale të njerëzve dhe shoqatat e biznesit ndihmuan në modelimin e perceptimeve të këtyre normave dhe qëndrimeve, të cilat më pas influencuan në përgjigjet e tyre për dënimet aktuale. Perceptimet e tatimpaguesve rreth evazionit dhe drejtësisë së sistemit tatimor kanë një influencë direkte mbi përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor (individët që e perceptojnë evazionin si mbizotërues dhe/ose që është një krim jo domethënës, priren të jenë më pak përmbushës).

Evazioni tatimor zvogëlohet në qoftë se ekziston një besim më i madh te institucionet shtetërore dhe te administrata publike, me një drejtësi më të madhe të perceptuar dhe me një barazi të perceptuar të këmbimit tatimor (shërbime dhe përfitime qeveritare për tatimpaguesit kundrejt tatimeve të paguara). Megjithëatë, për tatimpaguesit mospërmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor rezulton për arsye se ata nuk binden se përmbushja është pikërisht një detyrim qytetar.

Sjellja e paarsyeshme nga ana e ligjvënësve gjeneron rezistencë për të përmbushur kërkesat e legjislacionit tatimor mungesë respekti për qytetarët dhe refuzim arbitrar për të marrë në konsideratë shqetësimet e tyre në procesin e masave shtrënguese. Mospërmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor, shpesh, interpretohet si rebelim shprehës i tatimpaguesve kundër veprimeve me masa shtrënguese të administratës tatimore, ose legjislacionit tatimor që perceptohet se është jo legjitim.

Pra, përfitimi kryesor i amnistisë tatimore që përmban paketa fiskale e propozuar nga qeveria aktuale është rritja e menjëhershme afatshkurtër e të ardhurave tatimore që, në përgjithësi, është e mbivlerësuar për qëllime elektorale. Përdorimi i aministisë fiskale, vendos kosto shtesë, prandaj do të ishte më mirë që një vend si Shqipëria t’i largohej një amnistie të tillë që në fillim të hartimit të politikës tatimore të vitit 2013.

Duhet bërë e qartë se në kushtet e tanishme në qoftë se për tatimpaguesin ka qenë e arsyeshme që t’i evadojë tatimet në këto tre vite, do të jetë e arsyeshme për atë të vazhdojë t’i evadojë tatimet megjithëse i është i ofrohet një amnisti tatimore. Zakonisht, përmbushja me mirëkuptim e legjislacionit tatimor, bie pas një aministie që nuk shoqërohet nga përqindje më të mëdha të kontrollit tatimor, përqindje ndëshkimi dhe programe të edukimit të tatimpaguesve.

Rënia vjen për shkak të parashikimeve të tatimpaguesve për një amnisti në të ardhmen dhe ndjenjave të tatimpaguesve të ndershëm për një trajtim të padrejtë të evaduesve. Që një amnisti të jetë e suksesshme në rritjen e të ardhurave gjatë dhe pas amnistisë, duhet që tatimpaguesit të besojnë se aministia është një mundësi e vetme dhe vetëm njëherë.

Një amnisti nuk duhet të përdoret si një masë emergjente për të siguruar të ardhura sepse një amnisti e tillë, më pas, do të inkurajonte vetëm mospërmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor në parashikim të një emergjence tjetër të të ardhurave.

Amnistia duhet të jetë pjesë e një zhvendosje madhore të sistemit tatimor dhe kjo kërkon riorganizimin e administratës tatimore, për arsye se në qoftë se planifikohen masa të rritura shtrënguese dhe bëhet riorganizimi i administratës tatimore, amnistia tatimore bëhet një mjet efektiv për të lehtësuar tranzicionin drejt një regjimi të ri dhe më të fortë tatimor.

Një amnisti e tillë ofron disa avantazhe: gjeneron të ardhura të menjëhershme tatimore; tatimpaguesit me evazion në të kaluarën nuk ngelen në evazion të vazhdueshëm; qeveria njëkohësisht pastron llogaritë e saj të borxhit tatimor dhe; shton emrat e evazorëve të së kaluarës në të dhënat e saj.

Është e rëndësishme që tatimpaguesit që kanë evaduar tatimet të besojnë se do të ketë masa më të mëdha shtrënguese, gjë që kërkon që qeveria të ketë kredibilitet, këshillë që gjërësisht është injoruar deri tani në amnistitë fiskale.

Ekspertë të administrimit tatimor mendojnë se në qoftë se kontrolli tatimor në kushte normale ka të drejtë të kontrollojë veprimtarinë ekonomike të evaduesit të mundshëm për më shumë se gjashtë vjet në të kaluarën, me hyrjen në fuqi të amnistisë kjo e drejtë bie. Në këtë kuptim amnistia është një rast i mirë që t’u falen gjobat dhe ndëshkimet e tjera të gjithë atyre që kanë mashtruar me fatura të falsifikuara tatimore.

I ftoj të gjithë ata që besojnë se janë specialistë të kësaj fushe të japin mendimet e tyre në një situatë ekonomike që nevojat dhe interesat e ekonomisë së vendit e kërkojnë, pa ngurrim, pa doreza, me përkushtim dhe besim se mendimi i lirë në qoftë se nuk arrin aq sa kërkon arrin të ndërgjegjësojë ata që duan, ata që kuptojnë dhe ata që besojnë për një të nesërme ndryshe./Perqasje.com

Share: