Home KRYESORE Si përfunduan pronarët e vërtetë të shtëpisë së diktatorit Hoxha?

Si përfunduan pronarët e vërtetë të shtëpisë së diktatorit Hoxha?

0

Vila në zonën e bllokut e diktatorit Enver Hoxha, edhe sot e kësaj dite ka mbetur po ajo. Kjo shtëpi është shumë e famshme jo vetëm për faktin se aty ka jetuar Hoxha, por edhe për arkitekturën e saj të veçantë për kohën kur është ndërtuar.

Ajo mbart në vetvete edhe historinë e trisht të pronarëve të vërtetë të tokës dhe shtëpisë. Kastriot Dervishi në një shkrim në Facebook ka treguar në mënyrë kronologjike se cilët kanë qenë pronarët dhe si përfunduan ata pasi Hoxha i “vuri” syrin shtëpive të tyre. Ja çfarë shkruan ai:

Historia e dy shtëpive të E. Hoxhës

Sapo erdhi në pushtet, Enver Hoxha u vendos në hotel “Dajti” në Tiranë. Pak ditë më vonë i pëlqeu një shtëpi e ndërtuar në vitin 1942 nga një italiane, Velleda Lucia Costa. Në shtëpinë tjetër ngjitur me të (nga lindja) që i takonte pronarit Qemal Biçakçiu, u vendos Koçi Xoxe.

Shtëpia ku u vendos diktatori ishte në ish truallin e ish deputetit Hamit Myftiu nga Berati. Këtë truall, më 9.1.1940, Myftiu ia dha me qira për 99 vjet sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Gjatë kohës së qirasë, për 2 vjet, zonja italiane ndërtoi shtëpinë. Nisur nga kjo, ajo kërkoi ta blejë gjithë truallin duke revokuar marrëveshjen e datës 9.1.1940.

Më 2.6.1942 u përpilua “akt revokimi kontrate qiradhënie, fshirje inskriptimi hipotekar, shitje-blerje trualli dhe deklarim zotërimi shtëpie”. Zonja Velleda Lucia Costa nga Gjenova bleu gjithë truallin e shtëpisë dhe parcelës. Megjithatë në këtë shtëpi deri në vitin 1944 banuan Belloti dhe tregtari Petraq Katro nga Korça.

Qemal Biçakçiu (1921-1988) u dënua dhe vuajti burgimin në vitet 1946-1960. Pas daljes nga burgu bëri një jetë të vështirë e pa gëzime. Deri në vdekje ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

Hamit Myftiu u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 2.3.1948.

Pasi Koçi Xoxe u largua nga shtëpia e Qemal Biçakçiut, Enver Hoxha e mori edhe atë shtëpi. Të dyja i lidhi me një korridor të përbashkët. Në vitin 1973 ngjitur me këtë shtëpi ndërtoi shtesën e re që njihet sot si vila nr.31.

Në foto, njëri nga pronarët e vilës (nga lindja) Qemal Biçakçiu gjatë vuajtjes së dënimit në burg./360grade.al

Share:
Reklama juaj