Home KRYESORE Ballsh/ Prokuroria heton kompaninë për shkelje të rregullave të sigurisë në punë

Ballsh/ Prokuroria heton kompaninë për shkelje të rregullave të sigurisë në punë

Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë në Ballsh, ku nga shpërthimi në rafineri humbi jetën punëtori Shkëlqim Muça 42 vjeç, babai i 5 fëmijëve dhe u plagosën 6 të tjerë.

Nga të dhënat e para mësohet se kompania IRTC që po menaxhon rafinerinë e Ballshit po hetohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.  Mësohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të një defekti të përsëritur në pompën e pastrimit në repartin e Hidropastrimit. Pas këqyrjes se vendngjarjes, Prokuroria ka regjistruar hetimet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Gjithashtu Inspektoriati Shtetëror Teknik deklaroi se ngjarja ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave teknike.

ISHTI deklaron se gjatë kohës që po vihej në punë impianti i hidropastrimit është rritur presioni me hidrogjen 3 herë mbi normalen, ndërkohë që nuk ka funksionuar valvula e sigurisë.

Ndërsa kompania ka një version tjetër për ngjarjen. Ajo thotë se incidenti është shkaktuar për shkak të një gabimi njerëzor si dhe nga ndërprerja e paparalajmëruar e energjisë elektrike dhe mosfunksionimi i linjës rezervë të energjisë.

Zbulimi i përgjegjësive kërkohet nga kolegët e viktimës, Shkëlqim Muça.

“Jemi të tronditur momentalisht. Nuk kemi asnjë fjalë për të thënë”, shprehet një punonjës i rafinerisë.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj shprehet se “sigurisht që ka përgjegjësi dhe unë uroj dhe shpresoj që ato të dalin dhe përgjegjësit të ndëshkohen”.

“Unë bëj thirrje ISHP, strukturave shtetërore apo private qofshin, që të zbatohen me korrektësi të gjitha rregullat e vendosura”, thotë Kamber Veizaj, kryetar i Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit.

Vetëm një muaj më parë uzina u rivendos në punë pas një ndalese 1-vjeçare si pasojë e falimentimit të kompanisë ARMO. Uzina iu nënshtrua remontit dhe nisi aktivitetin në ditët para të muajit tetor. PD-ja ka akuzuar qeverinë për afera korruptive, pasi ia ka dhënë rafinerinë Besnik Sulajt (Beso i Taivanit), që njihet si biznesmen pranë Kryeministrit./Opinion.al

Share: